Nga Egnatia tek ndeshja me Partizanin, flet mesfushori: Këtu si në shtëpi, do ta rinisim mbarë kampionatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2022 | 9:47

Nga Egnatia tek ndeshja me Partizanin, flet mesfushori: Këtu si në shtëpi, do ta rinisim mbarë kampionatin

Egnatia po e shfrytëzon më së miri këtë periudhë përgatitjesh dimërore. Nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani, të gjithë lojtarët po marrin ngarkesat e duhura në prag të ndeshjes së parë të këtij viti ndaj Partizanit më 16 janar në Rrogozhinë.

ildian shyti

Trajneri Ramadani ka përgatitur një program të vlefshëm që skuadra është duke e zbatuar mjaft mirë. Seancat janë kryer në fushën me bar natyral, por edhe në atë me bar sintetik në Durrës.

Deri tani gjithçka ka shkuar sipas parashikimit, ndërsa klubi ka zyrtarizuar si afrime portierin Klevis Hasanbelli, mesfushorin Aldi Shyti dhe sulmuesin Ilirid Ademi.

Tashmë të tre kanë firmosur kontratat dhe janë të përqendruar vetëm te përgatitjet. Këto ditë ka pasur vend edhe për një minindeshje brenda grupit, ku emra si Artur Magani, braziliani Xhekson dhe Lila kanë spikatur me gola.

Ndërkohë, i rikthyeri në ekip, pogradecari Shyti, në një bisedë për “Panorama Sport”, u shpreh i kënaqur që do luajë në elitë tashmë me Egnatian.

“Këtu ndihem si në shtëpinë time, pasi kam luajtur më parë dhe e njoh ambientin shumë mirë. Është një klub që në sezonin e kaluar arrita gjithçka. Presidenti Agim Demrozi na ka plotësuar çdo kusht. Shpresoj shumë që besimin e dhënë ta shpërblej në fushën e lojës”, ka thënë fillimisht mesfushori.

BESIMI – I pyetur si e ka parë nga jashtë skuadrën në pjesën e parë të sezonit, duke qenë se nuk ka qenë pjesë e Egnatias, Shyti deklaroi: “E kam ndjekur ecurinë në çdo javë. Duke qenë skuadër që vinte nga Kategoria e Parë, kishte pak vështirësi në fillim. Por, të luash me shumë klube që kanë krijuar përvojë në Superiore, nuk do të thotë të dorëzohesh.

E nisi pak keq kampionatin, por arriti të bënte përmirësime në vazhdim. Gara është e fortë, por duke vlerësuar çdo kundërshtar do të sigurojmë pikët që duhen për t’u ngjitur në renditje. Tifozët rrogozhinas e meritojnë që ta shohin skuadrën e tyre sa më gjatë në Superiore. Jemi që të gjithë për një qëllim.

Jam shumë i kënaqur që do luaj përsëri me Egnatian, tashmë në tjetër kategori”.

Në fund, Shyti foli edhe për ndeshjen me Partizanin. “Kam bindjen se do ta rinisim mbarë kampionatin. Pikë ka plot në lojë, vetëm se duhet të jemi me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet sipas radhës”, përfundoi pogradecari.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"