Nga e ardhmja e trajnerit Duro te Mazrekaj, tri enigma te Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 19:41

Nga e ardhmja e trajnerit Duro te Mazrekaj, tri enigma te Laçi

Laçi nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro i ka tejkaluar objektivat në Europë, kështu që humbja 3-0 nga Anderlehti nuk e zbeh aspak mrekullinë e kurbinasve në këtë edicion të parë të Konferencë Ligës, ku kaluan dy turet e para.

Mazrekaj goli

Të enjten, Laçi luan në Bruksel sfidën e kthimit me Anderlehtin, që më shumë duket si formalitet, pasi është e pamundur që të përmbysësh gjigantët belgë në shtëpinë e tyre pas humbjes 3-0.

Gjithsesi, kurbinasit kanë premtuar se do të shkojnë në Belgjikë për të qenë sa më dinjitozë dhe për të bërë lojën e tyre, ku më së shumti kjo ndeshje mund të shërbejë si një vitrinë për “yjet” e Laçit për të hedhur një hap më të madh në karrierë. Përpara këtij 90- minutëshi në fundit në Europë, te laçianët mbizotërojnë disa enigma, që kanë të bëjnë më së shumti me vazhdimësinë e skuadrës në sezonin e ri futbollistik, ku tri presin zgjedhje të shpejtë. E

ARDHMJA E DUROS

Pas ndeshjes së 12 gushtit me Anderlehtin, Laçi mund të mbetet pa trajner, pasi dihet se Shpëtim Duros i ka mbaruar kontrata me kurbinasit dhe ai i qëndroi besnik drejtimit të ekipit në Konferencë Ligë, ku shkruan edhe historinë e klubit. Trajneri Duro është pyetur disa herë në lidhje me të ardhmen e tij te Laçi, por asnjëherë nuk ka pasur një përgjigje të prerë.

Gjithnjë trajneri kryeqytetas ka pohuar se me kurbinasit i ka mbaruar kontrata, por do ta drejtonte ekipin deri në përfundim të aventurës europiane dhe më pas do të bisedojë me presidentin Laska. Trajneri Duro i ka lënë të hapura të gjitha mundësitë, ku pa dyshim garancia e vetme ka të bëjë me formimin e një grupi solid. Gjithsesi, nga ajo që duket dhe që përflitet, me shumë mundësi Laçi mund të ketë ndryshime edhe në pankinë, kjo në varësi të përmbushjes së planeve që mund të ketë Duro për sezonin e ri.

FIRO TITULLARËSH

“Hemorragjia” e titullarëve të sezonit të shkuar te Laçi nisi pa u mbyllur mirë sezoni. Madje, ky proces mund të shtrohet edhe pas aventurës europiane. Kjo është dilema e radhës që mbizotëron te kurbinasit, gjë e cila kushtëzon edhe të ardhmen e trajnerit aktual. Përveç atyre që janë bërë zyrtarë nga sezoni i shkuar, kësaj liste i shtohet edhe braziliani Lukas Ramos, i cili ndonëse figuroi i federuar në UEFA për turin e parë, nuk u kthye kurrë, madje tani nuk figuron më as në listën e federimeve.

Pikëpyetje ka mbi të ardhmen e sulmuesit Van Dejv Harmon, i cili që pas mbylljes së sezonit të fundit nuk është parë më në Laç. Thuhet se gjatë periudhës së pushimit Harmon ka kryer një operacion dhe kështu që është vonuar rikthimi i tij. Vonesa e gjatë më shumë lë të kuptojë për “divorcin” e radhës. Kapiteni Aleksandar Ignjatoviç ka deklaruar se pas ndeshjeve në Europë me shumë mundësi largohet nga ekipi, pasi i ka mbaruar kontrata. Përveç mbrojtësit serb, nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë shitje apo largim tjetër nga radhët e Laçit.

MENTOR MAZREKAJ

Dilema më e freskët që kërkon zgjidhje para ndeshjes së kthimit me Anderlehtin ka të bëjë me gatishmërinë e Mentor Mazrekajt për transfertën e Brukselit. Sulmuesi kosovar humbi takimin e luajtur në “Elbasan Arena” pas një dëmtimi muskulor në prag të duelit të parë.

Mazrekaj ka qëndruar pushim që nga e marta dhe nesër pritet të rikthehet në stërvitje, ku stafi do ta shikojë nga afër për të vendosur për aktivizimin e tij. Gjithsesi, në kampin laçian nuk janë shumë optimistë për riaftësimin e 32-vjeçarit për ndeshjen e së enjtes. Mungesa e Mazrekajt u ndie shumë te Laçi në ndeshjen e parë me belgët.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"