Nga dueli Inter-Juventus dhe Di Maria-Lukaku te Leva, Rumenige i thotë të gjitha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2022 | 16:18


Nga dueli Inter-Juventus dhe Di Maria-Lukaku te Leva, Rumenige i thotë të gjitha

Pensioni për Karl-Hainc Rumenigen nuk është aspak i mërzitshëm, përkundrazi. Ai ka fluturuar shpesh nga Mynihu në qytete të ndryshme në Itali, ndërkohë që dje ka qenë në Milano, për të marrë pjesë në ceremoninë dhe në vlerësimin e tij si pjesë e “Murit të Famës së Serisë A”.

rumenige

Dhe pa dyshim që si ish-interist, por në të njëjtën kohë si njohës i mirë i futbollit, 66-vjeçari nuk mund t’u shmangej pyetjeve që lidheshin me transferimin e De Ligtit nga Juventusi te Bajerni apo edhe çështjen “Levandovski”.

Rumenige, ta nisim nga tema më e nxehtë: Kostiç është një lojtar që bën për Juventusin, pasi po flitet kaq shumë së fundmi?

Për Frankfurtin vjet ishte lideri absolut, duke qenë se është një lojtar që di të shtyjë në të majtë, është shumë i shpejtë dhe teknikisht është i një kategorie të lartë. Unë di se do ta hidhnin titullar me Bajernin (ashtu ndodhi), por kjo nuk më duket diçka e drejtë nga ana e klubit, pasi nuk mund ta mbash një futbollist me zor në skuadër.

Ndërkohë Juventusi ka marrë Di Marian, ndër mëngjarashët më të fortë të 20 viteve të fundit, por që i pëlqen të luajë në të djathtë. Gjithsesi është 34 vjeç, ndaj mendoni se Seria A po transformohet në një kampionat për pensionistë?

Jo. Në Gjermani ne mundohemi gjithmonë të blejmë të rinj që t’i rrisim dhe më pas t’i shesim, për të fituar para. Ideja ime e skuadrës ka qenë gjithmonë miksimi i talentit me veteranët. Kështu kemi fituar ne te Bajerni. Për sa i përket Di Marias, unë nuk do ta quaja pensionist, pasi ai mund të japë ende diçka. Është lojtar i vlefshëm.

Po rikthimi i Lukakut, ju duket më shumë një operacion “Nostalgjia”, apo e bën Interin favorit për titullin?

“Martesa” e tij e menjëhershme me Çelsin dhe Tuhelin nuk ishte ajo e duhura. Nuk ishte e lumtur. Ndaj, mendoj se bëri mirë që të rikthehej aty ku ishte i suksesshëm. Miku im Marota drejtoi një operacion formidabël, duke parë se e shiti dyfish dhe ndërkohë tashmë e rikthen në huazim, thuajse falas. Ndërkohë, nëse Interi është favorit apo jo për titullin, këtë duhet ta shohim.

Vjet ishte Juvja që u dha kurajë të gjithëve, duke e nisur keq kampionatin, duke u hapur dyert dy milanezëve që të dilnin në dy vendet e para. Gjithsesi, nuk besoj se në Torino gabojnë për tri vite radhazi, pasi edhe dy janë shumë, ndonëse Interi si grup lojtarësh është pa dyshim favoriti.

Të vërtetën, u habitët nga Milani kampion?

Pak po, pasi Interi mund të ishte konfirmuar lehtësisht kampion. Humbi disa pikë absurde, pasi e thashë, ishte vjet, por edhe sivjet është sërish skuadra më e fortë, më e kompletuar.

Pas pensionistëve vjen edhe një talent, De Ketelare…

E njoh, por kur një lojtar i ri zbarkon në Itali nga një realitet i huaj, në këtë rast nga Belgjika, duhet vlerësuar se si përshtatet me futbollin e Serisë a, pasi nuk është aspak i lehtë.

Bundesliga dhe Seria A fituan dy nga 3 trofetë e UEFA-s sezonin e kaluar. Cili është kampionati më i fortë mes të dyve?

Fatkeqësisht për Serinë A dhe Bundesligën, kampionati më i fortë është ai anglez. Por në të njëjtën kohë më interesanti dhe emocionuesi. Ne duhet të mësojmë nga ata, jo sepse janë më profesionistë se ne, përkundrazi, por dinë ta shesin futbollin në një mënyrë, e cila u lejon që të fitojnë një mal me para dhe këto kanë rëndësi në ditët e sotme.

Bundesliga startoi. Na thoni pse dikush duhet ta ndjekë atë, duke qenë se aty fiton gjithmonë Bajerni juaj?

Sepse bëjmë një futboll dëfryes. Po, Bajerni dominon prej 10 vitesh, por është faji i Dortmundit me shokë që nuk e mposhtin dot.

Pa Levandovskin dhe Halandin, kur do të jenë protagonistët e rinj?

Sidomos Leva do t’i mungojë si uji Bundesligës. Bajerni gjithsesi arriti të blejë një emër të madh si Mane. Tjetër lajm ishte rikthimi i Gëces te Frankfurti, ndonëse Bundesliga nuk qahet, pasi çdo vit lindin talente të mëdhenj si Musiala, ndonëse edhe Koman, Mane, Gnabri e Sane janë ndër lojtarët më të fortë në botë.

De Ligt u pagua 67 milionë euro, plus bonuse. Mendoni se i vlen të gjitha ato para?

Të presim dhe të shohim. Edhe Juventusi e kishte paguar shumë, por ndoshta nuk i ka bindur. Ndoshta u joshën nga oferta. Unë di të them se në prapavijë Bajernit i mugon vetëm “shefi” Alaba, pengu im më i madh, por shpresoj që De Ligt të më bindë se është një lojtar i madh. Nuk i harroj telefonatat në të gdhirë të të ndjerit Mino Raiola: Hainc, blije, blije këtë djalin. De Ligt do të bëhet lojtar i madh dhe ja tek erdhi “ribashkim”.

PANORAMASPORT.AL