Nga dronët te lazerët, shtohen rastet për dënime ndaj klubeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2017 | 11:54

Nga dronët te lazerët, shtohen rastet për dënime ndaj klubeve

Gjatë punimeve të Asamblesë, sektori juridik i FSHF-së ka bërë disa propozime për ndryshime të Kodit të Disiplinës Sportive. Të prezantuara nga Aldi Topçiu, drejtori i zyrës juridike në këtë institucion, ndryshimet kanë të bëjnë jo vetëm me riformulimin e disa prej neneve, por edhe shtimin e elementeve, për të cilat klubet do të marrin masa ndëshkimore në rast se gjejnë përdorim nga tifozëritë e tyre. Kjo, edhe në përafrim të vetë ndryshimeve që kanë pësuar rishtazi rregulloret sportive të UEFA-s dhe FIFA-s.

Dy elementet që tashmë përbëjnë shkelje edhe në Kodin e Disiplinës Sportive në Shqipëri kanë të bëjnë me përdorimin e dronëve dhe të lazerëve. Për këtë, ndërhyrja është bërë në nenin 66/3, ku edhe janë shtuar dy elementet e mësipërme si të ndëshkueshme. Ja disa nga nenet që kanë pësuar ndryshim në KDS:

Asambleja FSHF 2017

NENI 49/3
ISHTE: Në çdo rast zbatohet edhe një dënim me gjobë me vlerë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë, deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
BËHET: Sipas rastit, trupa gjykuese mund të aplikojë edhe një masë dënimi me gjobë me vlerë maksimale deri në 1 000 000 (një milion) lekë.

NENI 49/5
SHTOHET: Kur si rezultat i shkeljeve të parashikuara në këtë Nen shkaktohet ndërprerja përfundimtare e lojës, personi juridik, shoqata ose klubi ku i përkasin shkelësi apo shkelësit do të dënohet me humbjen e ndeshjes me rezultatin 3 me 0 në tavolinë

NENI 63/1/c
ISHTE: (Vetëm për personat juridikë, shoqatat, klubet) Me skadimin e afatit paralajmërues në rast se dështojnë në përmbushjen e detyrimeve financiare ose të përmbushjes së vendimit jofinanciar, atëherë klubi përkatës do të dënohet me zbritje të pikëve në klasifikim me jo më pak se gjashtë pikë, dhe do t’i jepet një afat përfundimtar jo më shumë se 12 ditë nga organi gjykues i FSHF-së për të paguar detyrimet për vendimet financiare dhe për të përmbushur vendimin jofinanciar.
BËHET: (Vetëm për personat juridikë, shoqatat, klubet) Me skadimin e afatit paralajmërues në rast se dështojnë në përmbushjen e detyrimeve financiare ose të përmbushjes së vendimit jofinanciar, atëherë klubi përkatës do të dënohet me zbritje të 3 pikëve në klasifikim, dhe do t’i jepet një afat prej jo më shumë se 15 ditë nga organi gjykues i FSHF-së, për të paguar detyrimet për vendimet financiare dhe për të përmbushur vendimin jofinanciar.

NENI 63/D
SHTOHET: (Vetëm për personat juridikë, shoqatat, klubet) Me skadimin e afatit paralajmërues prej 15 ditësh në rast dështimi në përmbushjen e detyrimeve financiare ose të përmbushjes së vendimit jofinanciar, atëherë klubi përkatës do të dënohet me zbritje të 3 pikëve nga klasifikimi, duke dhënë një afat përfundimtar prej dhjetë ditësh nga organi gjykues i FSHF-së për të paguar detyrimet për vendimet financiare dhe për të përmbushur vendimin jofinanciar.

NENI 66/3
ISHTE: Sjellje e gabuar përfshin akte të dhunës ndaj personave ose objekteve, lëshimi ose hedhja e mjeteve ndezëse, hedhja e fishekzjarrëve, paraqitja e parullave politike ose ofenduese të çfarëdolloj forme, shprehja e fjalëve, ose zhurmave/tingujve ofenduese, ose hyrja në fushën e lojës. Në rastin e verifikimit të shkeljeve si më sipër ndaj personave juridikë, shoqatave dhe/ose klubeve ku konsiderohen si mbështetës spektatorët kundërvajtës, do të jepen dënimet si më poshtë:
BËHET: Sjellje e gabuar përfshin akte të dhunës ndaj personave ose objekteve, lëshimi ose hedhja e mjeteve ndezëse, përdorimi i dritave lazer, përdorimi i dronëve, hedhja e fishekzjarrëve, paraqitja e parullave politike ose ofenduese të çfarëdolloj forme, shprehja e fjalëve, ose zhurmave/tingujve ofenduese, ose hyrja në fushën e lojës. Në rastin e verifikimit të shkeljeve si më sipër ndaj personave juridikë, shoqatave dhe/ose klubeve ku konsiderohen si mbështetës spektatorët kundërvajtës, do të jepen dënimet si më poshtë:

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"