Nga dëmtimi te dështimi në Rusi, ishte viti më i errët i Nejmarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2018 | 19:13

Nga dëmtimi te dështimi në Rusi, ishte viti më i errët i Nejmarit

Ky nuk ishte viti i Nejmarit. Aspak. U dëmtua me PSG-në dhe mungoi në të gjithë pjesën e fundit të sezonit. Por, nuk ishte as Botërori i Nejmarit. Duhet të ishte një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij, por, në fakt, u eliminua në fazën çerekfinale kundër Belgjikës.

nejmar

Braziliani largohet vetëm me 2 gola të shënuar dhe me një futboll aspak të mirë. Ndeshja e tij më e mirë ishte ndaj Meksikës, edhe pse asnjëherë nuk e lëshoi topin nga këmba. Lotët e tij, teatri i tij, koha e shpenzuar në tokë dhe protestat ndaj arbitrave ishin ato që shënjuan kompeticionin e tij, më shumë sesa futbolli. Nuk kishte vazhdimësi dhe vendosmëri. I mungoi ritmi për shkak të dëmtimit që pësoi në gishtin e këmbës në fund të shkurtit dhe u rikuperua me vështirësi për Botërorin.

Kërkoi një penallti kundër Munie në minutën e 89-të dhe Kurtua e bllokoi në mënyrë fantastike në të 93-ën. Pasi e humbi Botërorin e zhvilluar në vitin 2014 për dëmtimin e pësuar nga Zuniga (nuk ishte prezent në humbjen e turpshme 7-1 kundër Gjermanisë), u rikthye me dëshirën për të rikthyer “Seleçaon” aty ku e meriton. Por, Brazili nuk arriti as në gjysmëfinale, një dështim…

SHPRESË- Por, është ende 26 vjeç dhe shumë i ri për të thënë se nuk do të ketë më shanse për të fituar Botërorin. Në Katar do të provojë sërish shansin e tij, edhe pse ky eliminim do të lërë një shije të hidhur te Nejmar dhe te Brazili. “O’Ney” ishte pjesë e një skuadre të fortë, por deri në momentin që u përball me një surprizë si Belgjika e Roberto Martineznit. Tani do të nisë pushimet, por pa e ditur se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm. Ai sigurisht që do Realin, por PSG-ja nuk do ta shesë. Sigurisht që do të flitet shumë për të, por ky nuk ishte viti i Nejmarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"