Nga dëmtimet e Hazard te Isko pa shkëlqim, ja 5 telashet e Zidanit pa bërë merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 22:32

Nga dëmtimet e Hazard te Isko pa shkëlqim, ja 5 telashet e Zidanit pa bërë merkato

Reali i Madridit nuk ka nevojë për blerje sepse ka alternativa dhe futbollistë të shkëlqyer, por sigurisht që pa merkato Zinedin Zidan do të vuajë dhe do të ketë disa telashe.

Zidani5

KASEMIRO- Të gjenin një zëvendësues për Kasemiron. Ky ishte një nga prioritetet e Realit të Madridit në merkato. Braziliani luajti 46 ndeshje dhe 4080 minuta sezonin e kaluar. Iu desh të shtrëngonte dhëmbët në disa sfida dhe në të tjera të ishte i kujdesshëm për shkak të kartonëve. Zidan pyetej gjithmonë se kur do të pushonte Kasemiro, por nuk kishte një përgjigje. Valverde dhe Toni Kros e kanë bërë këtë rol në pak sfida, por ata nuk bindin. Kasemiro është i pazëvendësueshëm dhe duhej afruar një lojtar tjetër. U fol shpesh për Kamavingën, por ai vendosi të qëndronte në Francë.

GOLAT- Edhe pse Karim Benzema luftoi deri në javën e fundit për t’u shpallur golashënues i kampionatit spanjoll, goli vazhdon të jetë problem për Realin. Transferimi i Joviçit sezonin e kaluar nuk rregulloi asgjë dhe skuadra madrilene e ka vuajtur shumë largimin e Kristiano Ronaldos.

Benzema nuk diskutohet sepse ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Realit në vitin e fundit, por ka pasur shumë ndeshje ku Zidanit i ka munguar një “vrastar” përpara portës kundërshtare. I përzgjedhuri ishte Haland, por bisedimet me skuadrën madrilene ngecën në mënyrë të papritur.

ISKO PA SHKËLQIM- Ka pasur shumë thashetheme për të ardhmen e Iskos këtë verë, por mesfushori kurrë nuk e planifikoi largimin. Edhe Zinedin Zidanin nuk e bezdis aspak qëndrimi i tij, por duhet të tregojë më të mirën nga vetja për të mos qenë rezervë. Isko ka dy vite që mungon në fushë, për arsye nga më të ndryshmet. Reali ka nevojë për versionin e tij më të mirë për të triumfuar edhe në Europë. Dëmtimet e shumta dhe mungesa e vazhdimësisë kanë qenë një problem për të.

KRAHU I DJATHTË- Është i njëjti problem që Zidan ka edhe me Kasemiron. Kush do të luajë në krahun e djathtë nëse dëmtohet Karvahal? Zizu ka opsion vetëm Odriozolën, e ardhmja e të cilit nuk është e sigurt në Madrid. Zidan nuk e pëlqen shumë dhe në këtë rol mund të “sajohet” Lukas Vaskez.

DËMTIMET E HAZARD- Reali i Madridit e ka vuajtur shumë vitin e kaluar mungesën e një lojtari të rëndësishëm si Eden Hazard. Ai u transferua për të bërë diferencën dhe për të qenë yll i skuadrës, por dëmtimet nuk e lejuan që të shkëlqente. Zidan shpreson që ky të jetë viti i tij, por sërish është shumë larg formës optimale dhe rikthimi nga kombëtarja e Belgjikës nuk ka qenë i duhuri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"