Nga Demiraj te Stojku, pesë trajnerët skanojnë ecurinë: Apolonia për elitë, por mungon …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 18:48

Nga Demiraj te Stojku, pesë trajnerët skanojnë ecurinë: Apolonia për elitë, por mungon …

Pavarësisht dyshimeve, luhatjeve, debatit, besimit e mosbesimeve, Apolonia e këtij sezoni po bind deri në këtë fazë. Nëse do krahasonim 9 javët e para në 5 sezonet e fundit, kuptohet qartë se ecuria është më e mira.

Apolonia2 

Artan Mërgjyshi ka shënuar disa rekorde në drejtim, të pashënuara më parë në këtë periudhë 5-vjeçare që Apolonia ka luajtur në Kategorinë e Parë dhe konkretisht: 17 pikë (1 pikë më shumë se sezoni 2015-’16, po Mërgjyshi trajner); pozitiviteti i golave: + 6 (i mëparshmi: 2015-’16, +5); 2 humbje (4 sezonet e kaluara – 3 humbje në 9 javë).

mergjyshi

Gjithashtu, me Apoloninë e këtij sezoni, Mërgjyshi barazon numrin e fitoreve: 5 të tilla, arritur po në të njëjtën periudhë (2015-’16), kur qe vetë trajner i bardhejeshilëve. Për ecurinë, mangësitë dhe pritshmëritë e Apolonisë në bazë të këtij “trendi”, flasin për “Panorama Sport” trajnerët që e kanë drejtuar këtë skuadër gjatë 5 edicioneve të fundit, duke iu përgjigjur pyetësorit tonë:

1. Si e vlerësoni ecurinë e fazës së parë të Apolonisë?

 2. Cilat janë pikat më të forta dhe më të dobëta të Apolonisë?

 3. Me këtë ecuri, a e gjykoni Apoloninë si kandidate reale për në Superiore? 

ELIDON DEMIRAJ (ish-trajner, 2016-2017): 

1. Veç fillimit të kampionatit, ecuria ka qenë e mirë. Do veçoja pjesën e fundit të fazës, ku të rinjtë lanë pas luhatjet duke shfaqur nivel të kënaqshëm javë pas jave. Skuadra ka pasur probleme për shkak të dëmtimeve, mungesave, lojtarëve të adaptuar jashtë rolit të tyre… Dy fitoret e fundit ndaj Devollit dhe Orikut kanë ardhur në çastin e duhur për të rritur adrenalinën dhe psikologjinë e ekipit.

2. Pika më e fortë janë të rinjtë. Dëshira dhe ambicia e tyre është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar. Si pikë të dobët, ndoshta do cilësoja mungesën e eksperiencës. Ka lojtarë që kanë përvojën e menaxhimit të situatave të vështira dhe mendoj se në ndeshje delikate (por edhe gjithmonë), duhet që këta futbollistë ta udhëheqin këtë grup të rinjsh dhe krejt skuadrën me mentalitetin e duhur dhe drejt fitores.

3. Me 2-3 përforcime në lojtarë përvoje, absolutisht që Apolonia i ka të gjitha shanset. Aty është gara, mes Pogradecit, Lushnjës, Apolonisë dhe mbase edhe Besës, paçka se gjer tani kavajasit nuk kanë qenë ku duhet. Më lejoni diçka: dua të veçoj Pogradecin, që “po zhgënjen” pozitivisht, sepse kanë një grup pa shumë emra dhe që prej vitesh luajnë së bashku, çka vlen dhe duhet marrë si model.

NDRIÇIM KASHAMI (ish-trajner 2017-’18): 

1. Pavarësisht disa luhatjeve, Apolonia ka treguar se është një ekip i mirë, por jo shumë i mirë për të dalë kampion. Luan në një kampionat të vështirë, mjafton të shohësh rezultatet që skuadrat e menduara si të dobëta kanë arritur ndaj ekipeve të quajtura “të forta”, brenda dhe jashtë fushe.

2. Mbase tingëllon paksa e çuditshme, por, për mua pika më e fortë e kësaj Apolonie ka qenë mbrojtja, edhe pse gjysma e repartit aty janë jashtë pozicionit të tyre dhe këta të përshtaturit janë lojtarë të rinj në moshë. Meritë ka trajneri, por edhe futbollistët. Apolonia është ekipi me më pak gola të pësuar në Grupin B. Pika e dobët? Mbase ndoshta duhet pak më tepër përvojë, lojtarë që duhet t’u shërbejnë si ‘busulla udhërrëfyese’ këtyre të rinjve premtues.

3. Pa diskutim që po. Është ndër pretendentet më cilësore dhe besoj se ia del, nëse gjithçka menaxhohet mirë dhe në kohën e duhur nga të gjithë faktorët për këtë stad. Sipas meje, Apolonia i ka të gjitha shanset të jetë favorite kryesore për në elitë”.

MARJOL MIHO (ish-trajner 2018-2019): 

1. E vlerësoj pozitivisht. Ka një trend rritës nga java në javë të ekipit, çka tregon se kjo skuadër ka ngjallur shpresat dhe besimin e tifozëve fierakë. Ka lojtarë të rinj që po rrisin personalitetin, shtuar edhe ata pak lojtarë përvoje sa janë, si dhe puna e mirë e Mërgjyshit, kanë bërë që të përmbyllet një fazë e parë për t’u përgëzuar.

2. Një nga pikat më të forta do të veçoja trajnerin Mërgjyshi, ndërsa lojtarët e rinj do t’i ndaja dysh: si pikë e fortë dhe po aq si pikë e dobët. Pse e them këtë? Si pikë e fortë: mosha, dëshira, përkushtimi, gjendja fizike shumë e mirë, por (kahu negativ) penalizohen nga eksperienca, pa harruar të shtoj që lojtarët e përvojës tek Apolonia mund dhe duhet të bëjnë më tepër për këta të rinj.

3. Me këtë trend që ka Apolonia, me rritjen që po tregon javë pas jave dhe me ndonjë përforcim në merkaton e dimrit, po, mendoj se do të jetë kandidate potenciale për në elitë.

 GENTJAN STOJKU (mars – maj 2019):

1. Sipas meje, Apolonia ka zhvilluar një fazë të parë normale, as shumë të mirë dhe as shumë të keqe. Ka shpërdoruar mundësi, mbase mund të ishte më lart, por ka një renditje për t’u marrë në konsideratë.

2. Tani jam trajner i një ekipi që garon në të njëjtin grup me Apoloninë, ndaj do të na lejoni edhe disa përgjigje paksa shkurt dhe pa detaje. Mosha e re më duket pika e fortë e fierakëve, ndërsa pikën e dobët nuk di ta them… Nëse këmbëngulni, atëherë shoh si pikë të dobët mosndërthurjen e të rinjve me lojtarët e përvojës dhe ‘denatyralizimin’ e roleve. Jo për faj të trajnerit, madje ai ka meritë në përshtatësinë që u ka bërë.

3. Nuk e di, mendoj për skuadrën time dhe do të doja Turbinën në këto stade në fund të sezonit.

ARTAN MËRGJYSHI (2015- ’16, 2019-’20):

1. E vlerësoj deri diku brenda pritshmërive këtë ecuri. E dija dhe e kam deklaruar se prisja një kampionat të vështirë me kontingjentin që kisha, por prapë kam thënë se do të bënim një garë dinjitoze, por jo dominuese – fiksojeni këtë gjë. Thoni se po mbrohem? Jo! Statistikat tuaja janë shifra me të cilat unë mund ‘të rrihja gjoksin’, por nuk jam tip që kënaqem kollaj vetëm nga shifrat.

2. Si pika të forta, përpos organizimit të klubit, do të evidentoja entuziazmin dhe dëshirën që ka grupi, motivimin dhe gjendjen fizike. Në anën tjetër, kanë ndikuar negativisht deri diku mungesa e përvojës dhe dëmtimet, organika jo e plotë: Sharavolli, Nako, Ceka, Branica, shtuar largimin e K. Priftit – që janë jo pak, por gati gjysma e ekipit, të cilët i kemi zëvendësuar me mundësitë që kemi pasur në dispozicion.

3. Që në hyrje të kampionatit e kam pasur të qartë se çfarë na priste dhe çfarë duhet të bënim. Nuk është surprizë për ne vendi i tretë gjer tani.

Do të luftojmë denjësisht me rivalet tona, por, duke parë ecurinë e fazës së parë, them se do të jemi në garën e titullit dhe, pa pretenduar shumë në merkaton e janarit, besoj se do të jemi ekipi i duhur, sepse kemi një grup relativisht të mirë, që po vjen duke u konsoliduar dhe që mund t’ia dalim, edhe pse, e ritheksoj, nuk do ta kemi aspak të lehtë. Në paçim përforcime në janar? Normal që ia dalim ca më lehtë”.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"