Nga “demat” te Bylisi, Peposhi: Vijmë nga dy humbje, por e mundim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 10:00

Nga “demat” te Bylisi, Peposhi: Vijmë nga dy humbje, por e mundim Partizanin

Ardit Peposhi është një nga pikat e forta të skuadrës së Bylisit. Në fakt, për të sfida e sotme është e veçantë, pasi Arditi është rritur në akademinë e Partizanit, e madje ka debutuar me skuadrën e parë në Kategorinë e Parë që në moshën 17-vjeçare. Peposhi ka një karrierë me disa skuadra, duke luajtur edhe me Tiranën, Kukësin, Korabin, para se të rikthehej në Ballsh ku e ka vitin e tretë të karrierës.

pEPOSHI BYLIS

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ardit Peposhi ka pohuar: “Jam rritur në klubin Partizani, ku edhe fillova futbollin si me ekipet e moshave ashtu edhe në skuadrën e parë. Kur unë fillova të luaja me të rriturit, Partizani përjetoi një nga momentet më të vështira të historisë, duke rënë në Kategorinë e Dytë…”.

ECURIA

Peposhi ka luajtur në sfidën e sezonit 2014- 2015, kur Bylisi ka barazuar në Tiranë, por edhe ka fituar, kur ballshiotët u hoqën titullin të kuqve me fitoren 2-1 në kryeqytet. “Me Partizanin na ka ecur, madje edhe kur ishte ndeshja e titullit për ta. Atë vit ne morën edhe pikë në kryeqytet me tre lojtarë 18- vjeçarë në formacion. Kurse në fazën e parë të këtij sezoni morëm pikë dhe luajtëm shumë mirë në Tiranë. Por, këto janë për statistikë, sepse ndeshja sot ka specifikë ndryshe. Ne vijmë nga dy humbje dhe patjetër duam fitoren ndaj Partizanit”, u shpreh në vijim 26- vjeçari.

Peposhi

SYNIMI

“Ndeshja është mjaft e vështirë dhe në të tilla sfida çdo ekip kërkon të japë më të mirën. Ne duhet të bëjmë maksimumin dhe Partizani sigurisht që na motivon, sepse në të tilla ndeshje çdo lojtar kërkon që të tregojë vlerat më të mira”, u shpreh Peposhi.

TIFOZËT 

Në fund Peposhi ka edhe një mesazh për tifozët. “Në ndeshjet e tjera me Partizanin në Ballsh ka pasur shumë tifozë, shpresoj që të vijnë e të na mbështesin. Ne do të bëjmë më të mirën në fushën e lojës dhe u bëj thirrje tifozëve që të vijnë dhe të na përkrahin në këtë ndeshje”, tha Peposhi në mbyllje të prononcimit për “Panorama Sport”.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"