Nga debutimi te fitimi i “Topit të Artë”, Sheva ripërshkruan etapat e aventurës milaniste: Ja kujtimet më të bukura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 19:54

Nga debutimi te fitimi i “Topit të Artë”, Sheva ripërshkruan etapat e aventurës milaniste: Ja kujtimet më të bukura

Takimi me futbollin italian i ndodhi vitin 1999 kur ishte vetëm 22 vjeç. Gola pa fund dhe titull kampion që në sezonin e parë. Megjithatë, nuk ishin të shumtë ata që besonin te djaloshi i ardhur nga Ukraina, por brenda pak kohe, Andrij Shevçenko diti të fitojë respektin dhe dashurinë e milanistëve.

andriy_shevchenko22_793362c

Aktualisht në krye të kombëtares ukrainase, Sheva ka pranuar ftesën e televizionit të Milanit për të dhënë një intervistë gjatë së cilës përshkoi etapat më të rëndësishme të karrierës së tij si kuqezi.

Emocione – “Fitorja e titullit në ndeshjen kundër Romës është një ndër kujtime e mia më të bukura. Ajo ditë mbetet e paharrueshme ashtu si emocionet kur me “Topin e Artë” zbrita në fushën e “San Siro”-s. Italia dhe veçanërisht Milani, do të jenë gjithmonë në zemrën time.

Mbërritja – “E kuqja dhe e zeza janë ngjyrat e klubit që më dha aq shumë, që më ndihmoi të fitoja Ligën e Kampioneve e shumë trofe të tjerë në futboll. Në fakt, megjithëse mbërrita në 1999-tën, Milani më ndiqte prej më tepër se dy vitesh e unë e kisha të qartë se si funksiononin gjërat asokohe.

Popullaritet i futbollit italian ishte tepër i madh, sidomos falë ekipeve si Juvja, Milani apo Roma. Isha 22 vjeç e megjithatë ndihesha gati për atë hap të karrierës time. Ja që nuk isha edhe aq gati e në fillim pata vështirësi të ambientohesha.”

Fillimi – “Pata fatin të kem një trajner si Zakeroni që ndikoi shumë pozitivisht në aventurën time milaniste. Ishte një njeri shumë i zgjuar dhe pavarësisht se nuk isha gjithmonë titullar, mund të them se luaja me rregullsi. Fitova siguri ndeshje pas ndeshje dhe paraqitjet më të mira në sezonin e parë mendoj se i kam bërë kundër Romës dhe Lacios. Mbaj mend një barazim 4-4 me Lacion dhe unë shënova tri herë.”

Zhgënjimi – “Synoja të arrija majat sa më shpejt dhe më ndihmoi fakti që një vit më parë Milani nuk kishte zhvilluar një sezon brilant. Ekipi ishte në ndërtim e sipër, por megjithatë fituam titullin e unë rezultova golashënuesi më i mirë i atij sezoni. Një arritje e tillë ishte e jashtëzakonshme, por nuk më mjaftonte as mua, e aq më pak skuadrës. Megjithëse u shpallëm kampionë, mezi prisnim të niste sezoni i ri.”

Sheva Milan

Viti II – “Pritshmëritë e larta na ndërlikuan punën, aq më tepër që trajner nuk ishte më Zakeroni. Ekipi pati vështirësi, por unë vazhdoja të shënoja. Ndiesha mirë dhe sezonin e mbylla me 24 gola në kampionat, por problemi i madh ishte se Milani nuk fitoi asgjë.”

Suksesi – “Më pas erdhi titulli. Gjatë gjysmës së parë të kampionatit ishte një garë tresh mes Milanit, Romës e Juves. Në fund të fazës së parë verdhkuqtë kryesonin Serinë A me 7-8 pikë avantazh ndaj nesh. Gjithçka ndryshoi në ndeshjen e “Olimpico”-s të cilën e fituam. Brenda një javë rikuperuam pikët diferencë, madje i lamë 4-5 pikë pas. Janari dhe shkurti rezultuan fantastikë për rezultatet, por edhe sepse po luanim shumë mirë. Fitorja e titullit pikërisht ndaj Romës në “San Siro” e bëri atë ditë të paharrueshme. Festa me tifozët dhe fytyrat e tyre të lumtura përbëjnë një nga momentet më të bukura të karrierës time.

Andriy-Shevchenko-001

Topi i Artë – “Synoja “Topin e artë” prej shumë vitesh dhe më në fund arrita ta fitoja. Mendoj se e meritoj, aq më tepër që më votuan për golat dhe paraqitjet e mia në fushë. Ishte një vit i veçantë, ashtu si ndeshja e parë në “San Siro” ku ndava me tifozët gëzimin e “Topin të artë”. Stadiumi ishte mbushur si kurrë më parë, i kam në kokë imazhet e asaj dite. Tetë vitet te Milani më kanë afruar shumë me tifozët, ndaj edhe lidhja ime me qytetin dhe Italinë mbetet kaq e fortë.

PËRGATITI: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"