Nga COVID-19 tek apendiciti, futbollisti i Besëlidhjes: Muaj tmerri, tani dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 19:45

Nga COVID-19 tek apendiciti, futbollisti i Besëlidhjes: Muaj tmerri, tani dua…

Këta 3 muaj nuk kanë qenë fort të qetë për Milan Gjorgjeviçin. Mesfushori serb ka kaluar peripeci pas peripecie që nga gushti e deri më sot. Që prej mbylljes së sezonit, ai u kthye në vendlindje për të pushuar dhe teksa priste lajme për nisjen e sezonit, u infektua nga “COVID-19”. Pas karantinimit, telashet shëndetësore e ndoqën këmba-këmbës. Me të ardhur në Shqipëri për të nisur fazën përgatitore u sëmur nga nervi shiatik dhe kur po e kalonte këtë, pati një krizë në apendicit dhe u detyrua të operohej. Pas dy javësh stërvitjeje individuale, 34-vjeçari i është bashkuar grupit me ngarkesë të plotë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” na rrëfen gjithçka ka përjetuar këtë periudhë dhe shpreson që e keqja të ketë mbaruar dhe tani ta përndjekë vetëm suksesi në fushë me Besëlidhjen.
milan-gjorgjevic
Në muajin gusht u prekët nga Koronavirusi, si e përjetuat?
Pas mbylljes së sezonit futbollistik, u ktheva në Serbi. Pas disa ditësh ndjeva këputje, temperaturë dhe shqetësime të tjera. Bëhet fjalë për muajin korrik, në mos gaboj. Pas analizave rezultova pozitiv me “COVID-19”, çka më detyroi që të ngujohesha dhe të izolohesha. Përpos vetmisë dhe stresit, nuk kisha ndonjë shqetësim të madh shëndetësor dhe falë Zotit e kalova lehtë. Në fillim unë isha dyshues, por kur e përjetova vetë, u binda për rrezikshmërinë e këtij virusi.

Dimë që me kthimin në Shqipëri, ju përndoqën sëmundje të tjera…
E vërtetë. Nuk ka qenë periudhë e lehtë. Pasi u shërova nga Koronavirusi dhe mora sigurisht analizat ku isha negativ, vendosa që të kthehesha në Shqipëri, pasi nisi faza përgatitore për sezonin 2020-2021. Pas disa ditësh stërvitje më nisën shqetësimet shëndetësore.

Çfarë kishit këtë herë?
Kësaj radhe shfaqa probleme me nervin shiatik, çka më detyroi që të ndërprisja stërvitjen dhe të nisja mjekimin. Këtu dua të falënderoj mjekun e skuadrës, Denis Faslinë, që më ka qëndruar afër. Pasi nisa të rehabilitohesha nga nervi shiatik, më nisën shqetësime të tjera aq sa dhimbjet u bënë të padurueshme, shkova në spital dhe menjëherë më dërguan në sallën e operacionit ku iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale në apendicit të cilin ma hoqën. Shërbimi në spital, kujdesi i kirurges që më operoi ishin mjaft të kënaqshme, ndaj dua që t’i falënderoj. Përveç këtyre nuk më ka munguar mbështetja e presidentit Gjok Noka, që më është gjendur pranë për gjithçka.

Pas gjithë këtij kalvari që ju ka shoqëruar në këta 3 muaj, si ndiheni fizikisht?
Tani jam shumë mirë nga ana fizike, ka dy javë që i jam rikthyer stërvitjes, kryesisht individuale dhe që nga java e shkuar i jam bashkuar grupit në stërvitje me ngarkesë të plotë. Jam mjaft i lumtur dhe i gëzuar që po e ndiej veten shumë mirë fizikisht, jam në formë të shkëlqyer. Shpresoj se shumë shpejt do të jem i gatshëm në dispozicion të trajnerit dhe të jem pjesë e formacionit.

Si ju duket Besëlidhja e këtij sezoni dhe a mund të realizohet ngjitja pas 12 vitesh pritjeje?
Pasi është ruajtur boshti dhe janë bërë afrime cilësore, ky grup vërtet të bind. Nga Kupa u eliminuam, por për kampionat jam i bindur se do të jemi më të mirët e grupit dhe objektivi do të realizohet.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"