Nga Burreli në Ballsh, rrëfehet mesfushori Mëllugja: Ëndërr të luaja në Superiore, Luftëtarin nuk e falim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 17:30

Nga Burreli në Ballsh, rrëfehet mesfushori Mëllugja: Ëndërr të luaja në Superiore, Luftëtarin nuk e falim

Një nga pikat e forta të Bylisit në këtë sezon është edhe Donald Mëllugja. E ka nisur karrierën te Burreli dhe pas 5 sezonesh provoi që të luante tek Iliria dhe Besa.

bylis

Gjatë kësaj vere u transferua në Ballsh dhe duhet thënë që mesfushori po shkëlqen. Është e para herë për të që luan në elitë, ndaj për të mund të quhet kulmi. Janë luajtur 7 javë dhe ai ka humbur vetëm 7 minuta nga 630 të mundshmet.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai rrëfen rrugëtimin e tij në futboll dhe synimet. “Kur isha te Burreli, e kam pasur gjithmonë ëndërr që unë të luaja në Superiore, sepse është maksimumi për çdo futbollit në Shqipëri. Eksperienca tek ekipi i vendlindjes, por edhe në Fushë-Krujë dhe Kavajë më ka ndihmuar që unë të jap më të mirën time te Bylisi. Jam 24 vjeç, kam shumë për të dhënë dhe besoj se nga java në javë jam përshtatur me garën në elitë dhe me synimet që ka skuadra. Deri më tani kemi qenë në rrugë të mbarë, për fat të mirë”, u shpreh fillimisht mesfushori i qendrës.

SYNIMET – Mëllugja thotë se dëshiron që të mbetet gjatë në Kategorinë Superiore dhe me Bylisin, një klub i cili i ka dhënë mbështetjen dhe shansin për të treguar veten. “Në këtë klub më ka mbështetur presidenti dhe trajneri, por edhe lojtarët që janë këtu me eksperiencë ne më të rinjve na mbështesin. Dua që të jem gjatë pjesë e projektit të Bylisit. Gara tashmë hyn në kulmin e vet, e dimë që janë takime të vështira të gjitha, sepse këtu nuk mund të rikuperosh ashtu siç edhe ndodh në Kategorinë e Parë. Por, kam besim se ne do të ruajmë këtë ritëm, duke bindur me lojë dhe rezultate”, u shpreh matjani.

LUFTËTARI – Nuk kishte si të mos fliste edhe për ndeshjen e radhës. 24-vjeçari beson te vazhdimësia në Gjirokastër dhe ruajtja e kreut, ndonëse e pranon që e lehtë nuk do të jetë. “Kanë një ekip që i vlerësojmë, ashtu si çdo kundërshtari tjetër që jemi ndeshur deri më tani. Ne do të bëjmë maksimumin si çdo javë, me shpresën që të kthehemi me pikët e plota nga transferta me Luftëtarin. Nuk mund të flasim”, përfundoi Donald Mëllugja.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"