Nga “bumi” financiar te falimentimi, ja 15 vitet e skuadrës së Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 15:15

Nga “bumi” financiar te falimentimi, ja 15 vitet e skuadrës së Elbasanit

Në 15 vitet e fundit, Elbasani ka provuar gjithçka në futboll, nga “bumi” financiar te kolapsi, nga ngjitja në majën e futbollit shqiptar në Kategorinë e Dytë. “Panorama Sport” ju jep një pasqyrë të qartë edhe për sa u përket pozicioneve që kanë marrë verdheblutë në 15 kampionatet e fundit.

elbasani

“BUMI” FINANCIAR – Një “erë e re” po niste për Elbasanin, me afrimin e investitorëve të rinj që kishin synim arritjen e klubit në majat e futbollit shqiptar. Ia dalin të mbijetojnë në Superiore në sezonin 2003-2004, por në dy vitet pasardhëse do të ndërtohej një skuadër që do të sfidonte ekipet e kryeqytetit dhe do të dominonte futbollin shqiptar. Në krye të klubit vjen Arben Laze, duke paguar shuma të mëdha parash për afrimin e yjeve të futbollit shqiptar dhe në 2005 zë vendin e dytë.

Vitin e ardhshëm vjen titulli në Elbasan, i dyti në historinë e klubit pas atij të vitit 1984. Pas titullit kampion bie niveli i skuadrës, por ia del që të jetë konkurruese në Superiore dhe pas gjashtë vjetësh në elitë, në sezonin 2008-2009, verdheblutë bien nga kategoria. Këtu nis edhe drama e këtij qyteti, me “bumin” financiar që ia lë vendin kolapsit financiar.

KOLAPSI FINANCIAR – Pas rënies nga Superliga, verdheblutë mbledhin forcat dhe rikthehen menjëherë në Superiore, por bien sërish sezonin pasardhës. Ndërkohë, kanë nisur problemet financiare, të cilat ndihen në klub, me lojtarë që kanë probleme me pagat dhe kjo gjë reflektohet në rezultate. Pas tri vjetësh të tjera në Kategorinë e Parë, elbasanasit rikthehen në elitë, por sa për formalitet, sepse nuk i ndahen vendit të fundit dhe zbresin sërish poshtë në sezonin 2014-2015.

SHPRESAT – Aktualisht, Elbasani ndodhet në “ajër” dhe për të ardhmen askush nuk di se çfarë të thotë. Me shitjen e aksioneve tek anglezët një vit më parë, në Elbasan u krijua ndjesia se do të kishte një “bum” financiar, por ndodhi e kundërta. Shpresat për rikthimin e verdhebluve sërish në majat e futbollit shqiptar nuk janë humbur ende, pasi në skenë kanë dalë investitorë të rinj, që mund të jenë të gatshëm të bëjnë investimet që kërkon një qytet traditë si Elbasani.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"