Nga Bufon te Padoin, ja “G8” e Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2016 | 12:40

Nga Bufon te Padoin, ja “G8” e Juventusit

Pesë tituj kampion radhazi… Juventusi nuk është vetëm një klub, por një dinasti e futbollit italian, europian e botëror, një “planet” ndryshe nga të tjerët, në të cilin duket se çdo gjë punon në mënyrën e duhur. juveNatyrisht që nuk janë perfekte, por punojnë dhe luftojnë për të qenë të tillë. Dhe këtë gjë e treguan sivjet, duke përmbysur një situatë kaotike, të cilën pak kush e besonte. Por në fund ia dolën, duke besuar te një grup, te një bosht prej 8 lojtarësh, të cilët janë ingranazhi kryesor i këtij Juventusi dhe gjithçka tjetër që lëviz përreth tij e ka më të lehtë që të hyjë në funksion.

Nëse ingranazhet e botës lëvizen nga 8 superfuqi ekonomike, edhe “planeti” Juventus ka “G8” e tij. Po flasim për 8 lojtarë që, edhe pse kanë parë shumë lojtarë që të afrohen dhe largohen nga skuadra e tyre, ata kanë qenë gjithmonë prezentë, duke vënë në shërbim të skuadrës, mund, sakrificë, muskuj, cilësi, por mbi të gjitha, karakterin e fortë prej burrash të vërtetë.

Po flasim për Xhanluixhi Bufonin, Xhorxho Kielinin, Andrea Barzaljin, Leonardo Bonuçin, Martin Kaseresin, Stefan Lihshtajnerin, Simone Padoinin dhe Klaudio Markizion. Pa dyshim që edhe emrat si Pogba, Dibala, Morata e të tjerë janë gjithashtu të rëndë- sishëm, por këta 8 futbollistë janë ata që kanë qenë pjesa kryesore e dinastisë së pesë titujve radhazi.

Tashmë, të gjithë e dinë se Bufon, Barzalji, Bonuçi, Kielini e Lihshtajner përbëjnë boshtin e mbrojtjes dhe për këta epitetet duket se kanë mbaruar, pasi gjithmonë janë konstantë, shpesh vendimtare, sepse jo më kot prapavija bardhezi është më e forta në Europë, në këto 5 vite të fundit. Por këtij reparti i janë përgjigjur me doza të forta konkurrence edhe Kaseres e Padoin. Dy lojtarë ndoshta të nënvlerësuar, por funksionalë në shumë pozicione, mes mbrojtjes dhe mesfushës. Uruguaiani, i ashtuquajtur “pitbulli”, mjafton t’i japësh besim dhe ai është gati që të “kafshojë” gjithmonë, ndonëse fatkeqësisht aventura e tij në Torino do të mbyllet pas këtij sezoni.

Ndërsa Padoin është “ushtari” që, edhe pse e di se ka më pak cilësi se kushdo tjetër në grup, ai e bën në heshtje detyrën që i kërkohet dhe gjithmonë me nota pozitive. Ndërsa Markizio është një juventin në gjak, duke qenë se ai më shumë se kushdo tjetër e përfaqëson ADN-në e kësaj skuadre, pasi është pjesë e saj që në moshën 7-vjeçare.

Bufon 

Trieste, 6 maj 2012. Duke mundur Kaljarin 2-0, Juventusi fitonte titullin e parë të epokës “Konte”, ndeshje pas të cilës nënvizoi: “Për të më bërë gol sot, duhej të më qëllonin me plumb”. Ky është Bufon, një lojtar me karakter të fortë, që nuk lodhet kurrë së punuari për t’u përmirësuar dhe sivjet, në moshën 38-vjeçare ka bërë sezonin më të mirë të karrierës, i cili lindi edhe falë fjalëve të tij pas humbjes me Sasuolon: “Nuk kam moshë të pranoj të tilla paraqitje të turpshme”.

Kielini 

Kur është në formë, kundërshtarët bëjnë mirë që të ndërrojnë rrugë, sepse ai është i pakalueshëm. Kjo nuk është një frazë e sajuar, por ajo që kanë konstatuar shumë sulmues fenomenale, si Mesi e Ronaldo, të cilët përballë fizikut të Kielinit janë përulur. Për më shumë, ai është një nga ato mbrojtësit e stilit të vjetër, një ndër stoperat e fundit në këtë futboll modern, por edhe një profesor i denjë për të gjithë të rinjtë që kanë ardhur kohët e fundit te Juventusi.

Barzajli 

Të gjithë muret me kalimin e kohës rrezikojnë të rrëzohen, të humbin ndonjë tullë të rëndësishme… Por Andrea Barzalji, muri i mbrojtjes bardhezi është një përjashtim sepse, pavarësisht 34 viteve mbi shpatulla, ai jo vetëm që nuk ofron kurrë paraqitje banale, por ka ditur të përshtatet me çdo situatë në mbrojtje, me tre dhe me katër lojtarë, por kur i është kërkuar, ka bërë me nota pozitive edhe rolin e mbrojtësit të djathtë të krahut, duke mahnitur me forcën e tij.

Bonuçi

Më 3 mars 2012, Juventusi i Kontes barazon 1-1 në shtëpi me Kievon dhe Leonardo vërshëllehet nga tifozët e tij. Por siç ka pranuar gjithmonë Bonuçi: “Sa më shumë më vërshëllejnë, aq më i fortë bëhem”. Reagimi ndaj atyre vërshëllimave vjen i përpiktë, në po atë sezon; gol deciziv kundër Palermos, që vlen parakalimin kundrejt Milanit në krye të renditjes. Nga aty nisi kthesa e madhe e karrierës së Bonuçit, i cili u shenjtërua edhe nga Guardiola: “Lojtari që admiroj më shumë”.

Kaseres

Është e vështirë që të gjesh një lojtar që mbulon të gjitha rolet e mbrojtjes dhe Martin Kaseres është një nga të paktit në qarkullim. Por që nga janari 2012, kur ai mbërriti në Torino, uruguaiani tregoi gjithashtu se për të nuk ka rëndësi nëse e nis si titullar apo zbret në fushë gjatë lojës, ai thjesht vrapon, “kafshon” dhe madje, edhe shënon, si në ndeshjen që vulosi titullin 2011-2012, kundër Milanit. Dhe duket absurde që Juventusi do ta lërë të ikë në fund të sezonit.

Lihshtajner

Pas 100 vitesh dhe ndoshta më shumë, mbase do të vazhdohet të flitet për këtë mbrojtës krahu që vraponte lart e poshtë nëpër korsinë e djathtë, pa treguar kurrë lodhje. Dhe më e bukura është që pas çdo feste, titulli të këtyre pesë viteve, të gjithë nënvizojnë: “Vitin tjetër, vështirë që Lihshtajner do të vazhdojë të vrapojë me të njëjtin ritëm”. Por “lokomotiva” i përgënjeshtron të gjithë dhe konfirmohet çdo vit si i pazëvendësueshëm. Përpikmëri zvicerane!

Padoin

Padoin bën rimë me Higuain, të paktën kështu mendojnë tifozët e Juventusit, të cilët e adhurojnë Simonen: “Higuain bën golat, Padoin fiton titujt dhe ai është idhulli ynë”, nënvizojnë ultrasit bardhezi. Një “xhol” i çdo situate, aq sa në këto pesë vite vetëm roli i portierit i ka munguar. Gjithmonë fjalë pakët dhe gjithmonë prezent kur i kërkohet të vërë në dispozicion cilësitë e tij, sepse për Padoinin, futbolli është i thjeshtë: “Grupi vjen përpara individit”.

Markizio 

I bekuar si një “princ” i Juventusit që në lindje, duke qenë se ai i ka thurur në trup ngjyrat bardhezi. Autoshkollën për të bërë liderin e nisi në Serinë B, me fanellën e “Zonjës së Vjetër”, fillimisht si mesfushor shkatërrues, por edhe me detyra ndërtuese në sulm, e deri tani, kur ka marrë trashëgiminë e Andrea Pirlos, si organizatori për përpara mbrojtjes. Shumëfunksional, inteligjencë taktike dhe vazhdimësi të frikshme, janë këto tri cilësitë kryesore të Princit Markizio.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"