Nga Broja te Gashi e Aliji, legjionarët shpërthejnë me gola. Javë e artë për shqiptarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 21, 2020 | 14:51


Nga Broja te Gashi e Aliji, legjionarët shpërthejnë me gola. Javë e artë për shqiptarët

Javë e artë për shqiptarët. Katër gola janë shënuar nga “shqiponjat” në kampionate të ndryshme, nga mbrojtja deri në sulm. Armando Broja, Azdren Llullaku, Naser Aliji dhe Shkëlqen Gashi kanë qenë protagonistë me ekipet e tyre respektive duke realizuar një poker kuqezi.

legjionaret

Armando Broja – Një bomber në rritje për të cilin Çelsi vendosi huazimin në Holandë, në mënyrë që të ketë minuta në elitë si dhe që të shënojë sa më shumë. Që në paraqitjen e dytë, bomberi i Kombëtares ka gjetur rrugën e rrjetës në elitën holandeze. Armando Broja ka shënuar golin e parë me Viteshen. Sulmuesi i Kombëtares u aktivizua në minutën e 66-të duke lënë gjurmë në rezultat. Në fitoren 2-0 ndaj Sparta Roterdamit, pas vetëm 16 minutash në fushën e lojës, Broja dyfishon shifrat e ndeshjes. Në minutën e 82-të, Broja ishte i vëmendshëm në zonë teksa pas një pasigurie të portierit kundërshtar, i cili nuk zotëroi topin pas gjuajtjes së një prej lojtarëve të Viteshes, Broja i vëmendshëm dhe i saktë e shtyn drejt rrjetës.

Azdren Llullaku – Sulmuesi shqiptar, Azdren Llullaku, është duke kaluar një moment të shkëlqyer në Ligën e Dytë rumune me skuadrën e Konkordias. 32-vjeçari gjeti sërish rrugën e rrjetës, në triumfin 4-0 që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Pandurit. Llullaku hapi serinë e golave në minutën e 30-të të takimit, duke kaluar në avantazh Konkordian. Ky ishte goli i 3- të në 4 javët e para të kampionatit për ish-sulmuesin e Kombëtares, që është shndërruar në lider te skuadra e tij e re. Momentalisht Konkordia renditet në vendin e 3-të me 8 pikë në 4 ndeshje, teksa ka si objektiv ngjitjen në elitën e futbollit rumun.

naser alijii

Naser Aliji – Mbrojtësi i majtë i Kombëtares, Naser Aliji, ka vulosur triumfin e thellë të Honvedit 1-7 me një gol nga goditja e dënimit. I aktivizuar në minutën e 46-të, futbollisti i Kombëtares është treguar i saktë në minutat shtesë të ndeshjes, teksa në të 90+3-tën, me një goditje me të majtën, kalon murin mbrojtës dhe e dërgon sferën në rrjetë për 1-7. Honved shpartalloi në këtë raund të Kupës skuadrën e ligës së tretë, Tizaujvaros. Për Alijin ky është goli i parë me skuadrën e Honvedit.

Shkëlzen Gashi – Plot 2 vite pa gjetur rrugën e rrjetës, ish-sulmuesi i Kombëtares duket se e ka thyer më në fund “mallkimin”, teksa ka shënuar në sfidën ndaj Uill. Gashi aktivizohet te skuadra e Arau në Ligën e Dytë zvicerane, teksa në minutën e 15-të kaloi në avantazh skuadrën e tij, pas një asisti të Liridon Balajt, lojtar i Kosovës. Për të gjetur golin e fundit të Gashit në një ndeshje zyrtare, duhet të kthehemi në 23 shtatorin e vitit 2018, kur sulmuesi ishte pjesë e Kolorado Rapids, teksa shënoi në sfidën ndaj Kolumbus. 32-vjeçari iu bashkua skuadrës së Arau në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës. Megjithatë, goli i Gashit është përmbysur teksa Uil ka fituar në këtë ndeshje me rezultatin 1-3.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com