Nga “bingoja” me fantazistin serb tek penalizimi i të “pabindurit”. Ja situata te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2021 | 17:52

Nga “bingoja” me fantazistin serb tek penalizimi i të “pabindurit”. Ja situata te Kukësi

K ukësi ka arritur të bëjë një goditje “in extrem is”, teksa ka siguruar shërbimet e fantazistit serb Luka Milunoviç. 28-vjeçari ka firmosur një kontratë 1- vjeçare me verilindorët dhe shihet si një afrim shumë cilësor.

kukesi

Mesfushori vjen te Kukësi nga Napredak Krusevac, ku u aktivizua së fundmi në kampionatin serb, teksa ka qenë pjesë edhe e Debrecenit në Hungari, Arisit të Selanikut në Greqi dhe në fillimet e tij te klubi i madh, Crvena Zvezva, ku edhe është shpallur kampion. Të dhënat e lojtarit duken shumë premtuese dhe gjasat janë që me këtë goditje në Kukës kanë bërë të harrohet ikja e ish-kapitenit Agim Ibraimi. Milunoviç është një numër 10 tipik, por në raste të caktuara mund të përdoret edhe si sulmues i parë, si dhe nga krahët.

KARRIERA

Serbi ka një karrierë të gjatë mbi supe, ku ka shëtitur në mjaft skuadra, si brenda Serbisë edhe jashtë saj. Karrierën e nisi te moshat e OFK Beograd dhe më pas me ekipin e parë të kësaj skuadre militoi në elitën e futbollit serb. Pas një viti në ekipin ku u rrit, Milunoviç provoi një aventurë 1-vjeçare në Belgjikë me Zulte Varegen në Divizionin e Parë, për t’u rikthyer sërish në vendin mëmë, kësaj here te Crvena Zvezda.

Me gjigandët serbë ai qëndroi për tri sezone, duke arritur të fitojë madje edhe titullin kampion dhe kupën. Provon një tjetër aventurë në Greqi, ku dy sezone luan me Platanianë dhe dy të tjera me Arisin e Selanikut, për t’u rikthyer në Serbi te skuadra e Vozdovac. Më pas, 28-vjeçari provonedhe futbollin e Malajazisë me ekipin Melaka Junajtid. Dy skuadrat e fundit para se të vinte te Kukësi ishin Debreceni në Hungari dhe Napredak në Serbi. Fantazisti, ndërkohë ka luajtur edhe me moshat e Serbisë, teksa me ekipin e 21-vjeçarëve u aktivizua edhe në 16 ndeshje duke shënuar pesë gola.

TRAJNERI

Mbërritjen e Milunoviçit në Kukës e ka pritur me shumë dëshirë edhe vetë trajneri Diego Longo, duke zbuluar se kanë bërë një goditje për vetë faktin se lojtari është i aftë të bëjë thuajse gjithçka në fazën ofensive. “Na duhej një i tillë. Një lojtar teknik dhe ofensiv. Një luftëtar i aftë për të sulmuar hapësira dhe për të shënuar. E doja fort ardhjen e tij: Mirë se erdhe Luka!”, u shpreh Longo në një postim në rrjetet sociale.

Kjo tregon se ka qenë këmbëngulja e italianit që të afrohej në skuadër lojtari, të cilin e ka pasur si kundërshtar në kampionatin grek, kur ishte zv.trajner te skuadra e PAOK-ut të Selanikut. Ky është rasti i dytë që italiani del publikisht dhe lavdëron afrimin e një futbollisti, pasi më parë e pati bërë edhe me spanjollin Pablo De Lukas. Mesa duket, kjo dyshe do të jetë edhe shtylla e ekipit të tij te verilindorët në këtë debutim si trajner i parë, pasi në të kaluarën ka qenë gjithnjë në rolin e asistentit.

Penalizohet Fluturim Domi

Te Kukësi kanë filluar penalizimet për të “pabindurit”. “Panorama Sport” mëson se mesfushori me tipare sulmuese, Fluturim Domi është dërguar të stërvitet tek ekipi U-21 që drejtohet nga Rrahman Hallaçi. Lojtari 20-vjeçar mësohet se ka kërkuar letrat për të gjetur një tjetër ekip ku mund të ketë hapësira, por në Kukës nuk duan të privohen nga shërbimet e tij dhe këtu kanë nisur pakënaqësitë. Klubi ka urdhëruar që të stërvitet me U-21, ndërsa ka edhe 2 vite kontratë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"