Revolucioni i dytë besoj se do të jetë ai televiziv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 21:35

Revolucioni i dytë besoj se do të jetë ai televiziv

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

I pari pra, siç kam sh kuar këto ditë, besoj do të jetë ai i ndryshimit të përbërjes, skemës, shtimit të skuadrave të kampionatit kombëtar të futbollit. Revolucioni i dytë them se mund të jetë ai televiziv. Ideja për këtë revolucion të dytë m’u forcua tejet kësaj të diele që shkoi, kur pashë e mësova për “kërcënimin” e FSHF-së ndaj televizionit të cilit kjo FSHF i ka shitur të drejtën televizive të ndeshjeve të kampionatit, këtij që quhet Superligë.

Kësisoji, duke u njoftë me këtë “kërcënim” të FSHF-së, papritmas ose ndoshta disi me nxitim, nisa të bindesha se ky revolucion vërtet që do të fillonte. Mirëpo, brenda 24 orëve pashë se revolucioni u fashit! FSHF-ja u dorëzua shpejt, siç u pa ngaqë u mor vesh me televizionin përkatës dhe kaq. E thotë vetë komunikata e djeshme e saj:

“…Pas diskutimeve të vazhdueshme shoqëria ‘DigitAlb’ ka vendosur të paguajë një pjesë të detyrimeve që ka ndaj FSHF-së sipas kontratës, duke zhbllokuar përkohësisht ngërçin. Ndërkohë që, ky ngërç të zgjidhet përfundimisht shoqëria duhet të shlyejë këstin e radhës brenda javës sipas marrëveshjes së dakordësuar. Në të kundërt situata e së dielës mund të përsëritet…”.

Edhe në këta rreshta të pajtimit në fjalë, të duket se prapë ka një “kërcënim”, i cili është ai që “kërcënon” për pagesë brenda javës.

Megjithatë, për një çast, më duket sikur – të paktën unë për vete – kot kisha besuar për revolucionin televiziv. Ajo që mbeti në gjithë këtë histori të rrufeshme, nja 30- orëshe, edhe pse disi “të rrêjshme”, ishte transmetimi i një ndeshjeje të vetme të kampionatit prej FSHF-së përmes faqes së saj të internetit, çka mund të jetë një rast botëror, shumë “origjinal”.

Dhe vetëm kaq pra. Ndonëse prapë ma ka ânda që revolucioni televiziv të jetë diku këndej pári. Sigurisht nëse do të themelohej Liga Kombëtare e Futbollit, revolucioni do të ishte i pashmangshëm. Ngaqë dihet, kudo kampionati kombëtar i futbollit i një shteti nuk menaxhohet apo drejtohet nga federata përkatëse, por nga Liga Kombëtare e Futbollit që drejtohet prej klubeve të vendit. Dhe është ajo që ka edhe të drejtën e shitjes së transmetimit të ndeshjeve të kampionatit. Jo si në Shqipëri ku FSHF personalizon gjithçka, zotëron gjithçka, drejton gjithçka, është sunduese po në gjithçka. Dhe nuk bëzan askush. Qëndrojnë “gatitu” të gjithë. Madje, pa u dëgjuar asnjëherë komanda tjetër, ajo që me “zemërgjerësi” thotë: “Qetësohu!”PARTIZANI

Është fantastike kjo që ngjet në Shqipëri sot. Televizioni publik, “RTSH”, nuk ndihet assesi, megjithëse sot ka nja 10 kanale. Madje, ky televizion është kaq “bujar”, saqë e lëshon edhe një pjesë të ekskluzivitetit të transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares në “ndihmë” të televizionit tjetër, i cili pa u trembur aspak guxon ta transmetojë madje, me pagesë! Edhe kjo “bujari” ngjet vetëm në Shqipëri.

A thua është e guximshme të kërkosh, bie fjala, që në këtë situatë të vështirë virusesh shëndetësore e virusesh ekonomike, t’i transmetosh pa pagesë këtij populli të lodhur sa s’ka ku shkon më, këto ndeshje shqiptare, për fat, të një niveli ende të ulët?

Të shtunën dhe të dielën u luajtën ndeshjet e Kupës së Italisë. U transmetuan nga “RAI” pa pagesë. Shqipëria “piciruke” me televizionet e saj po “piciruke”, transmeton me pagesë edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë që për fatin jo të mirë janë të një niveli mediokër. Besoj e kuptoni se asnjëherë si sot në historinë tonë, Kupa e Republikës së Shqipërisë nuk ka qenë më e parëndësishme sesa sot.

Mjaft me kaq për kësaj here. Dhe, duam apo nuk duam, ashtu si ai i riorganizimit të Kampionatit, edhe revolucioni televiziv megjithatë është i pashmangshëm.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"