Kritikë mbi Shqipërinë që “fsheh” historitë e mëdha…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 10:06

Kritikë mbi Shqipërinë që “fsheh” historitë e mëdha…!

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

KAPITULLI V


*Me këtë shkrim merr fund ky dossier historik i këtij 90-vjetori. Kapitullin e fundit të tij vendosa ta shfrytëzoj jo vetëm për të shpalosur për herë të parë në histori themeluesit e kampionatit të parë sportiv në Shqipëri, që është ai i atletikës së lehtë, por edhe për të përsiatur një problem shumë të rëndësishëm që u përket instancave shtetërore e qeveritare, madje gazetarisë shqiptare: mospërpjekje thuajse universale të Shqipërisë për të zbuluar historitë e vërteta dhe të mëdha të sportit të saj kombëtar. E them këtë duke ju kujtuar se Shqipëria zë vendin e fundit në Europë për shkrimin e historisë të sporteve të saj, të themelimeve të tyre, të të vërtetave të tyre. Kjo tashmâ ka kapë majat. Fajtorë parësorë janë këta: shteti shqiptar, qeveritë shqiptare, ministria përkatëse, KOKSH.

1. KRITIKË NJË GAZETARIE QË NUK KËRKON PËR TË SHKUAR TEK E VËRTETA

Në gazetarinë e vërtetë, jo atë të rrêjshme, “zbulim i madh” quhet edhe ai kur ti tregon një ngjarje të rëndësishme kombëtare, që është zhdukur, që është fshehë, përveçse që nuk njihet. Në gazetarinë e vërtetë sportive, jo atë të rrêjshme, – që dihet, është pjesë e gazetarisë në tanësi, – “zbulim i madh” quhet kur ti edhe në këtë rast, tregon një ngjarje të rëndësishme kombëtare, një ngjarje që është zhdukur, që është fshehë dhe që përveçse për shumë e shumë arsye, ajo nuk njihet. Por, nga ana tjetër, gazetaria sportive ka një veçori që e dallon shumë prej të tjerave. Kjo ka të bëjë me veçorinë që ka vetë sporti. Dhe veçoria e sportit është kjo: në sport ka garë, ka renditje, ka sportist që del i pari e që del i dyti. Në sport ka rezultate, ka minuta e sekonda, ka gola e autorë golash. Ka tituj të kampionit. Ka dhe rekordmenë. Për një çast këtu, po duket sikur po bëjmë një leksion teorie të gazetarisë, ndonëse edhe këtë shpeshherë, me ato çka na kanë mësuar vitet dhe shembujt e gazetarëve të mëdhenj, shpeshherë e kemi bërë. Siç e kam theksuar edhe herë të tjera, gazetaria sportive nuk është ajo, – dhe nuk mund të jetë kurrë ajo, – që merret me barsoleta e me ngjarje që nuk përbëjnë ngjarje.

Gazetari sportive (dhe jo vetëm sportive) nuk mund të jetë ajo që shkruan një faqe të tanë për të treguar se si erdhi një futbollist i huaj në Tiranë, me çfarë avioni erdhi dhe aq më pak që një punonjës i një ambasade shqiptare dikur qenka marrë me këtë ardhje deri në imtësi. E vërteta është se këto hyjnë te përrallat dhe natyrisht nuk mund të jenë pjesë përparësore e gazetarisë së vërtetë. Sikur për një çast të vendosnim për të përshkruar episodet e pabesueshme të udhëtimeve thuajse aventuroze të sportistëve shqiptarë jashtë shtetit ndër vite, sidomos ato të regjimit, do të na delte një “enciklopedi” tejet origjinale, por pa asnjë rëndësi e vlerë historike, megjithatë, sepse do të ishte e mbushur me absurditete qesharake. Bie fjala, sikur unë të ulesha e të përshkruaja udhëtimin tonë të Kombëtares së 21-vjeçarëve në Poloni më 1971, më del thuajse një tregim po aq absurd, por pa asnjë rëndësi historie e gazetarie. Merreni me mend: për atë ndeshje të vetme prej vetëm 90 minutash pra, jemi rropatur plot 10 ditë nëpër Hungari, Çekosllovaki, Jugosllavi e kemi përshkuar me tren gjithë jugun e Polonisë!

Kaq mjafton “tregimi” për këtë ngjarje, jo të mbushësh faqet e gazetave, çka sigurisht mund ta bëj, por do të më vinte turp ta bëja. E rëndësishme është diku tjetër. Është historia e asaj ndeshjeje të madhe, edhe pse humbje 1-2 e shqiptarëve të rinj, përballë Tomashevskit, Shimanovskit, Latos e Mushiualit, të cilët vetëm pak muaj më vonë do të eliminonin Anglinë e të rriturve nga Kupa e Botës 1974. Kjo po, ia vlen të shkruhet e të rishkruhet. Prej këtu po më pëlqen të shkoj tek ai që thonë se Marksi ose Lenini e kanë përcaktuar si “diktatori i gazetës”. Ky është drejtori apo kryeredaktori i gazetës. Është ai, të cilit, siç e kam treguar edhe herë të tjera, në vitet ’70 të gazetarisë komuniste, ne ia dorëzonim shkrimin dhe prisnim me emocion se çka do të thoshte, teksa ecnim e shkonim në korridorin e redaksisë. Ai ishte plotësisht “diktator”. Deri aty madje, saqë kishte të drejtë të ndryshonte tejet nga ajo çka kishe shkruar ti. Madje, kishte të drejtë të të hiqte firmën tënde e ta maskonte duke ta zëvendësuar me “Korresp. i ‘Bashkimit'” apo “Korresp. i ‘Zërit të popullit'”.

Dhe ne nuk bëzanim. Sepse, kështu kishte vendosur ai, “diktatori” i gazetës. Është krejt e palejueshme që sot, për më tepër një bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës shkruan ngjarje pa pikë rëndësie, ia dërgon gazetës dhe nuk ka asnjë emocion për botimin ngaqë është i sigurt se ajo çka ai shkruar, ndonëse e asnjë rëndësie, do t’i botohet patjetër. Mirëpo, unë për vete, që i përkas brezit të gazetarëve të vjetër, ndonëse kam qenë kryeredaktor për dekada, edhe sot pres me emocion nëse shkrimi që kam dërguar do të botohet apo jo. Ndonëse ai që do ta vendosë botimin është një gazetar i ri, por i cili tash, në rolin e kryeredaktorit. Pra, që ka forcën dhe pushtetin të të thotë: “Më fal, po këtë shkrim nuk mund ta botoj, nuk vlen!” Nuk ka gjë më të rrezikshme në gazetari sesa ajo që bashkëpunëtorët e jashtëm dërgojnë shkrime të sigurt se do t’i botohen. Madje, këta janë prej atyre tipave, që guxojnë t’i thonë protagonistit, shpesh të pamerituar të shkrimit të tyre, se shkrimi do të botohet, ndonëse nuk e di ende nëse kryeredaktori ka vendosur botimin e shkrimit. Këta bashkëpunëtorë quhen uzurpatorë të gazetarisë. Ua kam thënë kolegëve të mi të sotëm të rinj se nuk e di ku e kanë këtë vetësiguri këta tipa, të cilëve, për çudi, shkrime tejet të parëndësishme u lihen deri me muaj edhe në faqet e internetit. Për fat të keq, mû këtu mund të nisë spekulimi, sidomos me bashkëpunëtorë të jashtëm të gazetës.

Ky është ai i cili nuk punon në gazetë, pra, por shkruan në gazetë. Dhe është e tmerrshme kur ai shkruan vetëm atë që do ai. Pra, gati asnjëherë nuk shkruan atë që do redaksia, e cila merret me mend se i qëndron besnik botimit të asaj që kërkon opinioni publik apo qoftë dhe politika e botimit që gazeta synon. Kohët e fundit, gazeta “Panorama Sport” ka botuar, në mos gaboj, dy shkrime tejet të forta kritike në lidhje me KOKSH me autor Martin Bibën, president i Federatës Shqiptare të Mundjes. Pa absolutizuar 100 për qind objektivitetin e këtyre dy shkrimeve, të bën përshtypje ndjenja e përgjegjësisë, çka prej vitesh nuk e shohim të shfaqet në faqet e shtypit nga funksionarët, drejtuesit e forumeve sportive kombëtare dhe thuajse asnjëherë prej drejtuesve, sidomos inspektorëve të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, por edhe të ministrive të tjera për këto probleme. Besoj se e vëreni se prej punonjësve të dikastereve (ministrive) shqiptare nuk gjen asnjë pasqyrim apo rrahje problemesh sportive në shtypin shqiptar. Dikur kjo nuk mund të ndodhte assesi.

E pra, a ka te ne sot përparësi problematika e sporteve kombëtare mbi ato që po detyrohem t’i quaj “përralla sportive”, shpesh të sajuara, përveç të tjerave, me plot dyshime verifikimi? Nuk mund ta them. Është shumë e rëndë mandej, kur ndodh që bashkëpunëtori, punon (pavarësisht pa meritë apo me meritë) në dikastere dhe shkruan rregullisht në gazetë pa trajtuar asnjëherë asnjë problem që lind prej përmbajtjes së punës së atyshme, punë për të cilën përveç të tjerave paguhet nga ne, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Dihet ndërkaq, kryeredaktorët shkruajnë rrallë, sepse koha e tyre është e çmuar për të drejtuar gazetën dhe për të ndalë (jo “censuruar”) politikën e bashkëpunëtorit të një interesi shpesh tejet të dyshimtë. Më vjen mirë kur, bie fjala, vërej se kryeredaktori i “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj, – që i takon brezit të ri të gazetarëve, madje të diplomuar në këtë profesion, – merr përsipër vetë trajtimin e temave të një hapësire.

Kështu më duket, sikur u thotë bashkëpunëtorëve të jashtëm, atë që unë e përsëris shpesh: “Pak ma kadalë!” Sigurisht nuk jam dakord që të zgjatet kaq shumë për mbrapaskenat e disa kampionateve kombëtare të futbollit të viteve ’80 apo ’90, siç ngjau. Ndonëse kjo megjithatë është tjetër punë. E rëndësishme është se edhe unë që kam qenë një ndër kronistët dhe editorialistët e përjavshëm të atyre kampionateve, mësova shumë të reja të mbrapaskenave, madje historike të cilave ne nuk u kushtoheshim fort.

Ajo që dua të theksoj këtu është sa ka shumë kuptim që këto “hetime” gazetarie apo investigime historie të drejtohen edhe nga kryeredaktori dhe jo vetëm nga bashkëpunëtorë të jashtëm, të tipit “të rrezikshëm” të cilët madje marrin guximin deri dhe t’i përvetësojnë në një mënyrën më banale të posedufaktollogjisë.
besnik dizdari

todoshi

2. KRITIKË TIRANËS SË VITIT 2020 PA PISTË TË ATLETIKËS

A vëreni se si Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka lejuar që të ndërtohet stadiumi i ri pa pistë? Kurrë nuk mund të shpëtojë prej këtij “krimi” që i ka dhënë një goditje të papame sportit në kryeqytet. Dhe asnjë zë, asnjë kritikë, asnjë shkrim nuk doli nga zyrat ministeriale për ta ndalë këtë “krim”. Madje, me një servilizëm të pashoq doli ndonjë shkrim për të ngritur në qiell ndërtimin e stadiumit të ri pa pistë. Duke mbërritur madje, deri aty, si për të na servirur “mrekullinë” që po buçiste, duke na thënë se tash e mbrapa falë këtij stadiumi do të luhen ndeshje të mëdha.

A thua se deri më sot ndeshjet e futbollit shqiptar janë luajtur në rrugë. Këta shërbëtorë “ministerialë” harrojnë se arsyeja se përse Lojërat Ballkanike 1946 do të zhvilloheshin në Tiranë, ishte ngaqë Shqipëria kishte stadiumin më modern në Ballkan. Ishte ai, “Qemal Stafa”, tash i rrënuar dhe i zhdukur prej pseudoatdhetarëve së bashku me pistën e tij! Dihet, shtypi, mediat kanë për detyrë dhe forcë, për t’i thënë ndal, për të mos ia blatuar faqet a ekranet e tyre këtij lloj servilizmi të pashoq, që për stadiumin e ri të Tiranës ka shpërthyer deri aty ku nuk mban më…!

Dhe kështu, përkujtimi i 90-vjetorit të themelimit të kampionatit të parë sportiv të Shqipërisë, që është ai i atletikës së lehtë, po bëhet pa pasur kryeqyteti shqiptar një pistë atletike! Por ne, sot, mbas kaq vjetësh, na duhet të nderojmë fort shqiptarët e vitit 1929, që puna e parë që bënë ka qenë ndërtimi i pistës së atletikës në Shallvaren e Tiranës. Madje, këtë e kanë bërë pa përfunduar plotësisht ngritja e fushës së futbollit po në Shallvare. Kjo, ngaqë ata e kuptonin fort mirë se çka është atletika për sportin e çdo vendi. Ishte një kulturë e mirëfilltë e sportit të vërtetë, çka Tiranës, ashtu si sporti i basketbollit, i erdhi po nga Shkolla Teknike e Harry Fultzit. Nuk është rastësi që kampionati kombëtar i atletikës së lehtë të fillonte para atij të futbollit. Duhet pranuar ndërkaq se kampionatin e parë të Shqipërisë për një sport e ka themeluar Tirana.

Po aq sa e ka themeluar Mbretëria Shqiptare. Përderisa ai u zhvillua në Tiranë, po më pëlqen t’ia përanësoj asaj. Përveç të tjerave, edhe ngaqë Tirana i ka ndërtuar Shqipërisë pistën e parë të atletikës së lehtë, këtë të Shallvares 1929. Interesante është se e gjithë kjo vepër ka promotor pikërisht Ministrinë e Arsimit të asokohe, pararendësen e asaj që sot, mbas 90 vjetëve lejoi që pista atletike të zhduket!

3. KRITIKË PËR SHTETIN, QEVERINË, MINISTRINË QË HESHTËN PËR DEKADA

Interesant, vërtet! Këtu në faqet e kësaj gazete kemi shkruar disa herë për faktin tronditës që e ka bërë Tiranën, kryeqytetin e vetëm në Europë pa një pistë atletike. Dhe është vërtet tronditëse se si nuk del një guximtar sado i vogël, pra jo i madh, që bie fjala, duke qenë se mund të punojë në Ministrinë e Arsimit e të Sporteve, – sigurisht mbasi të kishte luftuar brenda mureve të Ministrisë, – të paktën të shkruante nja disa radhë krejt të vogla, qoftë dhe pëshpëritëse për këtë çështje të madhe të sportit shqiptar.

Ndërsa ne, të tjerët, bashkëpunëtorë të jashtëm në një gazetë, nuk do t’i ndalnim kritikat e shumta që vazhdojnë prej gati tre vjetësh. Mos kujtoni se duam të personalizojmë. Më shumë se merita jonë, është e kësaj gazete, “Panorama Sport”, që i ka botuar këto kritika. Ndërkohë, që dihet: ne nuk ndërtojmë pistë, ne vetëm “thërrasim” për të ndërtuar pistë… Merreni po të doni për krenari a s’di se çka, por po kujtoj edhe këtu se falë forcës së gazetës “Sporti Shqiptar”, ia kam arritur t’ia zbuloj Kupën e parë të Shqipërisë në futboll, atë të vitit 1938- ’39.

Kjo është forca e gazetarisë së vërtetë. Tash, përmes gazetës tjetër sportive, kësaj “Panorama Sport”, po zbuloj për Shqipërinë pjesëmarrësit e kampionatit të parë sportiv të saj, që është kampionati kombëtar i atletikës së lehtë 1929. E vërteta është se edhe Kupa e parë e Shqipërisë, edhe pjesëmarrësit e parë të kampionatit të atletikës së lehtë 1929, aty kanë qenë, nuk i kam gjetur unë.

Unë vetëm sa kam përveshë mëngët për t’i rigjetur. Duke qëndruar kështu te ky kapitull V i 90-vjetorit të kampionatit të parë kombëtar të atletikës së lehtë në Shqipëri, është e pafalshme për gazetarinë e Shqipërisë në tanësi, që për 90 vjet të tana ka fshehur, ka zhdukur, nuk i ka gjetur, madje nuk është lodhur aspak për t’i gjetur se cilët janë këta djem nanash, këta atletë shqiptarë, sado modestë të kenë qenë, të cilët morën pjesë në këtë kampionat. Cilët janë pra, kampionët e parë? Cilat janë rezultatet historike të sportit shqiptar 1929? Kështu ka ndodhë në Shqipëri. Pyetje që marrin përgjigje mbas 90 vjetëve. Madje, kështu ka ndodhë vetëm në Shqipëri. Sepse Shqipëria zbulon shumë pak. Kjo jo vetëm nga injoranca shekullore e Shqipërisë, por edhe ngaqë kësisoj “zbulimesh”, dihet që kërkojnë mund të madh, hulumtim, studim, bibliotekë, arkiv, shënime, verifikime tejet të lodhshme, sistemime e risistemime.

Në vende të tjera këto punë drejtohen nga shteti, nga qeveritë, nga institucionet. Janë këta që ngarkojnë njerëz për t’i bërë, madje përgatisin e formojnë njerëz për t’i realizuar këto zbulime. Në fushën e sportit një shtet serioz themelon arkivin e tij kombëtar të sporteve, me drejtor e punonjës, me studiues atdhetarë, që sakrifikojnë, jo të tipit që merren me përralla e barsoleta apo me episode që nuk meritojnë më shumë se dhjetë rreshta ose me asnjë rresht. Nuk mund ta merrni me mend se sa mbrapa është Shqipëria në këto punë, ndonëse ka Ministri të Sporteve, ka Komitet Olimpik Kombëtar, ka universitete. Na ka ndodhë këto ditë një diçka krejt e vogël në dukje, por shumë interesante dhe e madhe në përmbajtje. Diçka që tregon se sa mbrapa jemi. Gazeta “Panorama Sport” dhe zëvendëskryeredaktori i saj Jorgis Memo kërkonin të gjenin se kush ka qenë trajner i Partizanit në kampionatin 1974-’75.

Në skenë dolën tre emra: Loro Boriçi, Ilia Shuke, Kolec Kraja. Bukur deri këtu. Mirëpo, për një vit të tanë 1974-’75, gazeta sportive e kohës ka përmendur emra trajnerësh të skuadrave vetëm nja dy a tre dhe këta vetëm nga një herë! Dhe është fantastike se si, edhe kur për çudi, para fillimit të kampionatit botoi emrat e të gjithë futbollistëve të federuar për atë kampionat, nuk vuri emrin e asnjë trajneri.

Për vete, ndonëse mëtoja se i kam plot blloqet jo keq e arkivit tim, askund nuk gjeta emrat e trajnerëve të skuadrave. Kujtesa dihet, ka një kufi. Për Partizanin mendoja se trajneri mund të ishte Loro Boriçi. Mendoja paksa për Kolec Krajën. Pasiguri. Kur menduam se kjo “luftë” na mposhti, papritmas në shkrimin përmbyllës të gazetës “Bashkimi”, gazetar i së cilës isha, atë të 15 qershorit 1975, pashë se kisha intervistuar të 14 trajnerët e skuadrave për të votuar për 11-shin më të mirë të kampionatit, një iniciativë krejt unikale për asokohe.

Dhe kur shkoj te Partizani, shoh se trajneri i tij është Kolec Kraja. Çudi e madhe! Dhe prapë nuk guxoj t’i vë vulën. Mos ndoshta gjatë kampionatit është ndërruar Ilia Shuke me Kolec Krajën? Si zgjidhet kjo punë? Vetëm duke shkuar te protokollet e ndeshjeve. Ose, duke pyetur një për një lojtarët e Partizanit në atë kampionat. Mirëpo, ku janë protokollet? Në FSHF? Në Arkivin e Shtetit? Në Arkivin e Sporteve? Mirëpo, ku e ka Arkivin e Sporteve Republika e Shqipërisë? Askund! E shihni pra, sa poshtë që është Shqipëria në këtë rrugë, ende shumë pak të shkelur…!

4.KRITIKË DHE AUTOKRITIKË PËR HARRESËN E THEMELUESVE TË KAMPIONATIT TË PARË

Si autor i këtij dossier-i, ndonëse jam marrë shumë me atletikën e lehtë, nuk më falet që nuk jam ndalë sa duhet deri më sot, për të gjetur, për të zbuluar, shqiptarët e mi, themelues të kampionatit të parë kombëtar të një sporti në Shqipëri, që është ai i atletikës së lehtë. Me kohë kam gjetë kampionët e të gjitha kampionateve të viteve ’30, pra fituesit e vendit të parë, por jo të gjithë pjesëmarrësit me rezultatet përkatëse.

Kësisoj, ky shkrim i sotëm i një kritike historike, siç po më pëlqen ta quaj, që më shërbeu për të përsiatur papërgjegjësinë shqiptare për të zbuluar, gjetur, publikuar saktësisht kapituj të rëndësishëm të historisë së sportit shqiptar, zbulon, tregon, rendit, fikson emrat e parë të një kampionati të parë sportiv në Shqipëri, që është pra, kampionati i Shqipërisë i atletikës së lehtë 1929. Ky është. kampionati i parë kombëtar i Shqipërisë për të gjitha sportet, pra edhe para futbollit. Dhe atletika e lehtë është sporti i cili i ka themeluar fanellat e kombëtares kuqezi që sot i mbajnë të gjitha kombëtaret shqiptare të të gjitha sporteve.

Atletika e lehtë është sporti i parë që ka përfaqësuar Shqipërinë në gara zyrtare ndërkombëtare siç janë Kampionatet Ballkanike të Atletikës së Lehtë. Dhe me një kulm tjetër: atletika e lehtë është sporti i parë që e ka përfaqësuar për herë të parë në histori Shqipërinë në një Kampionat Europian, që është Kampionati i dytë Europian i Atletikës së Lehtë i vitit 1938 në Paris. Atletika e lehtë është sporti i parë në historinë e Shqipërisë që me një përfaqësues të saj me emrin Sejfedin Biçaku, në këtë Kampionat Europian ka arritur të jetë midis finalistëve të një gare: trehapësh me 13.68 metra.

Këto janë shifra ndërkombëtare për asokohe dhe një rekord i Shqipërisë i cili është thyer vetëm mbas 20 vjetëve prej një aleti tjetër po ndërkombëtar për ne, i paharrueshmi Hysni Bebeziqi. Dhe që deri para një viti, pra për plot 82 vjet Biçaku i madh mbeti i vetmi atlet shqiptar finalist i një Kampionati Europian, deri kur mbërriti Izmir Smajlaj në Kampionatin Europian të vitit 2018 në kërcimin së gjati. Unë për vete, edhe pse i kam kushtuar kapituj librash, nuk e kam mbyllë historinë e bujshme të Sejfedin Biçakut, i rënë heroikisht më 1945 në përpjekjet e tij në rezistencën antikomuniste. Shqipëria ka pushkatuar dy ndër rekordmenët e parë ndërkombëtarë që ka pasur para luftës: Sejfedin Biçakun dhe Abdyl Këllezin.

Tash si mendoni, a thua është histori kjo apo është nga ato “përrallat” që përmendëm më sipër? Të mjerët ne! Kjo është më shumë se histori. Është dramë. Është dhe tragjedi! As fotografitë sportive të këtyre rekordmenëve të rënë nuk gjenden në asnjë zyrë institucionesh, muzeale a arkivi sportiv në Shqipëri…! Por prapë unë (dhe jo vetëm unë) besoj te zbulimet e mëtejshme të gazetarisë së vërtetë, asaj që nuk rrên, asaj që gjithnjë vërteton dhe zbulon.

Në këtë rast është fjala për sportistët më themelues të sportit shqiptar të paraluftës, që fati historik e desh që të ishin atletët, djemtë e paharrueshëm të vitit 1929. Tek janë tani ata, themeluesit e kampionatit të parë sportiv në Shqipëri, pjesëmarrësit e kampionatit të parë kombëtar të atletikës së lehtë. Këtu për herë të parë në faqet e gazetës “Panorama Sport”. Është një nder.

111111111111111112222222222222233333333333333333

Kjo është atletika e lehtë, që kemi vonuar kaq shumë t’ia zbulojmë historinë e saj të parë. Si gazetar i vjetër, më takon këtu që të kërkoj të falur, që kam vonuar kaq shumë për të realizuar këtë zbulim të madh historik të sporteve shqiptare. Kjo, sepse kam besim se e njoh mirë këtë profesion të jetës, çka do të thotë se nuk jam prej atyre që për një sportist të famshëm thotë se “ai nuk jeton më” dhe që kur del se ai jeton, këtyre tipave aspak nuk u shkon ndërmend të kërkojnë falje. Sigurisht, edhe pse shkruajnë, ata nuk mund të bëjnë pjesë në familjen e gazetarëve. Mëkat që shtypi i sotëm ka heqë dorë nga rubrika e përjetshme e gazetarisë “Ndreqje gabimi”, që për çudi gazetaria komuniste e pati marrë prej gazetarisë klasike kapitaliste.

Ndërkaq, sot nuk është e lehtë të gjesh foto autentike të vitit 1929 të këtyre kampionëve apo pjesëmarrësve, çka kërkon kohë të gjatë, shumë mund, ndoshta po aq sa çfarë u munduam deri në rraskapitje për të ndërtuar këtë dossier të emrave, datave, episodeve, rezultateve e zhvillimeve, ndonëse edhe me ndonjë mungesë rezultatesh të gjithë të renditurve. Kemi fatin e madh të zotërojmë, megjithatë, një foto që mbetet emblematike për krejt kampionatin. Është ekipi i atletëve të Korçës që morën pjesë në këtë kampionat. Vështrojeni me vëmendje se sa kulturë, finesë, sportivitet që përmban kjo foto e cila ka në mes dy organizatorët e mëdhenj korçarë, prof. Sotir Sugari dhe Dhionis Gogo.

Të duket si një ekip ndërkombëtar i një gare olimpiade, të sprovuar, ndonëse ishte vetëm një fillim shqiptar. Vetëm Korça plakë e një kulture mund të të dokumentojë kësisoj, qoftë edhe 90 vjet më parë, kur Shqipëria ende ishte në hapat e parë të formimit dhe forcimit të shtetit të saj. Rikujtoj këtu se kjo është një fotodokument i rrallë botuar prej autorëve Nevila dhe Ilia Jorgji në kalendarin e tyre të vitit 2004 kushtuar sportit korçar. Por, megjithatë, kjo nuk është thjesht punë Korçe a Shkodre, punë Tirane a Elbasani, Durrësi e Vlore. Është punë historie e këtyre shqiptarëve të parë të kampionatit tonë.

F U N D

* Për vazhdimësi shih shkrimet e “Panorama Sport” të 1 korrik 2019, 22 janar 2020, 14 e 26 maj 2020.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"