Nga avioni në stadium, Janku: Xhorxh Besti më bëri gol nga korneri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 22:17

Nga avioni në stadium, Janku: Xhorxh Besti më bëri gol nga korneri

Po udhëtonin drejt Irlandës së Veriut dhe, në një revistë që ishte në avion, të ulur bashkë Mikel Janku dhe Famir Frashëri shikojnë një foto të Xhorxh Bestit me flokë të shkurtra. Por kur kanë dalë në nxehmje, në korridorin e stadiumit, krejt ndryshe, janë ndeshur me Bestin dhe kanë dyshuar për një çast. Të befasuar, madje s’e kanë njohur sepse ai ishte me flokë të gjata. I janë afruar dhe Frashëri, i cili komunikonte anglisht, e pyet: “Pse me flokë të gjata, dukeni më simpatik me të shkurtra” dhe përgjigjja e Bestit ishte: “Imitoj Beatles”.

Janku

NË BELFAST, GOL NGA KORNERI

Dy herë është përballur Xhorxh Best me shqiptarët: Të dyja me ekipin përfaqësues në eliminatoret për Botërorin “Angli 1966”. 4-1 ka përfunduar ndeshja e parë në Belfast dhe 1-1 në “Qemal Stafa”. Në 37 ndeshje me kombëtaren irlandeze, ai realizoi nëntë gola: 4 ndaj Qipros dhe nga një kundër Turqisë, Anglisë, Skocisë, Zvicrës dhe Shqipërisë.

Mikel Janku

Mikel Janku, portieri i kombëtares, e kujton ende atë gol: “Ka qenë maj i vitit 1965. Luanim në Belfast dhe rezultati ishte 3-1. Për ne kishte shënuar Jashari dhe ishim në minutat e fundit të ndeshjes, kur Besti realizoi golin e katërt. Ishte një goditje këndi dhe unë ndodhesha i vendosur në shtyllën e dytë, ndërsa topi kaloi mbi kokën e Deliallisit që qëndronte në shtyllën e parë.

Mikel Janku kombetarja

Ndërsa në Tiranë ai nuk mundi të shënonte”, rrëfen Janku për “Panorama Sport”. Best vazhdoi të thirrej rregullisht në përfaqësuesen e viteve ’70 (1964-’78 është periudha e tij me kombëtaren), edhe pse ishte në rënie të karrierës dhe kishte filluar problemet me alkoolin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"