Nga asambletë te skandali me auditimin, Bezhani: Në KOKSH po bëhet krim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 18:36

Nga asambletë te skandali me auditimin, Bezhani: Në KOKSH po bëhet krim

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe skandalet me sa duket janë një binom i pandashëm. Shkeljet, përplasjet dhe akuzat ndërmjet anëtarëve të KOKSH nuk kanë fund. Ndonëse disa muaj më parë Komiteti Olimpik ka përfunduar deri në prokurori, teksa është ngritur një procedim penal për veprën penale të ‘Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën’, nga ky institucion vijojnë të dalin akuza për shkelje të rënda. Këtë herë objekt i përplasjeve janë bërë datat e asambleve, teksa sekretariati i KOKSH ka njoftuar 13 dhjetorin për asamblenë statutore dhe 23 dhjetorin për asamblenë zgjedhore.

bezhani (1)

Por presidenti i KOKSH, Viron Bezhani deklaron se caktimi i dy datave të asambleve është në kundërshtim të plotë me statutin, ndërsa akuzon për këtë veprim sekretariatin dhe një pjesë të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv: “Ajo që po bëjnë këta është e turpshme. Donin që unë të fusja me zor në rend asamblenë zgjedhore. Një kërkesë idiote, të cilën unë sigurisht nuk e pranova. Por, megjithëse unë nuk e futa në rend dite kërkesën e tyre, sekretariati mori një nismë së bashku me 5 anëtarë dhe vendosën t’ia nisin federatave duke i njoftuar për datën e asamblesë zgjedhore, duke bërë kështu një gafë të rëndë statutore”, shprehet Bezhani, i cili më pas tregon përse nuk mund të bëhet asambleja zgjedhore vetëm 10 pas statutores: “Statuti siç dihet pas miratimit në asamble do të dërgohet në ministri, ku minimalisht duhen 2 ditë, ndërsa më shumë se 2 javë kërkon procedura e regjistrimit dhe miratimit nga gjykata.

Pasi të jenë bërë të gjitha këto, atëherë le të shkohet në zgjedhje, por këta kanë lënë vetëm 10 ditë diferencë. Me cilin statut do të shkohet në zgjedhje?! Me statutin e vjetër apo me të riun që nuk është i miratuar në gjykatë?! Ky proces ka etapa të cilat këta po i anashkalojnë. Kanë nxjerrë si pretekst rezolutën dhe duan që të mbulohen me të, por rezoluta nuk ka të bëjë fare në një kohë kur po shkelet hapur statuti”, thotë kreu i KOKSHit. Më tej Bezhani shtron problemin që do të sjellë ky veprim për kandidaturat e presidencës: “Ajo që është më e turpshme ka të bëjë me ata që do të kandidojnë për president. Si do futen në garë? Sigurisht që do të futen me statutin e ri, por në këtë mënyrë statuti i ri do të jetë ende i paligjëruar.

Në statut mund të ketë pika, të cilat mund të mos i pranojë ministria. Ka pika të tjera ku thuhet se kandidati për president nuk duhet të vijë nga politika dhe nëse miratohen, një kandidat si Fidel Ylli nuk futet dot në garë. Pra këtu bëhet fjalë që të zhvillohet një garë pa u përcaktuar ende rregullorja e lojës. Akoma më i turpshëm është fakti se komisioni i etikës nuk ka kohën minimale për t’i shqyrtuar kandidaturat. Siç e thash këta po e shkelin ligjin kokë e këmbë dhe kjo është arsyeja që unë nuk i lejoj, sepse unë nuk dua të bëhem pjesë e një veprimi të jashtëligjshëm”.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

SKANDALI ME AUDITIMIN – Presidenti Bezhani bën të ditur se nuk do të lejojë kurrsesi që të kalohet në asamblenë zgjedhore pa u bërë auditimi i KOKSH-it: “Në mbledhjen e fundit vendosa edhe një pikë më vete që është jashtëzakonisht problematike dhe që ka të bëjë me auditimin. KOKSH ka 2 vite që nuk bën auditim. E bënë në 2018-ën ku e mbanin mend të gjithë se si e sollën në minutën e fundit pa e parë asnjë nga anëtarët. Është e qartë që ata nuk duan që të bëjnë auditim, nuk duan të informojnë saktë dhe nuk duan që të jenë transparentë. Dmth kemi vitin 2019 dhe po mbaron gjithashtu viti 2020, ndërsa nuk është bërë akoma auditimi i institucionit, që është një krim dhe një skandal i vërtetë. Por unë do t’i shkoj deri në fund ligjit dhe pa realizuar auditimin nuk e bëj kurrë asamblenë zgjedhore”.

Bezhani e mbyll prononcimin e tij, duke denoncuar një tjetër shkelje që sipas tij kërkonte që të bënte sekretariati: “Në mbledhjen e fundit më paraqitën disa praktika për të shpërndarë lekë për disa federata. U kërkova bilancin për të parë se si paraqitet situata në mënyrë që të shikojmë kemi apo nuk kemi lekë dhe këto para që do t’i shpërndajmë ku do t’i marrim. Por nuk më dhanë asnjë lloj përgjigjeje”, përfundon kreu i KOKSH-it.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"