Nga “armiq” të sezonit të kaluar në idhuj, “pleqtë” mbajnë në kurriz Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2020 | 18:20

Nga “armiq” të sezonit të kaluar në idhuj, “pleqtë” mbajnë në kurriz Realin

Të njëjtët… Tingëllon si një frazë ofenduese. Shumë kohë duke bërë të njëjtën gjë. Këto fjalë revoltuan tifozët e pranishëm në “Santiago Bernabeu” gjatë sezonit të kaluar. “Kush luajnë? Të njëjtët”, thoshin tifozët në shkallët e stadiumeve. Me këtë ide dhe me rrezikun që të njëjtat fytyra do të hidhnin në erë një tjetër sezon, e rinisi kampionatin Zinedin Zidan. Kjo orkestër ishte e njëjta që luajti një muzikë të shëmtuar në La Liga, Champions dhe në Kupën e Mbretit.
REALI
Dështuan të gjithë edhe pse kishin kontratat në xhepin e tyre dhe nuk rrezikonin vendin në skuadrën madrilene. Problemi ishin tifozët, të cilët nuk bindeshin dhe kërkonin revolucion total. Donin që t’i largonin të gjithë. Kur ka kaluar një vit nga ai sezon që ishte për t’u harruar, në foton përpara ndeshjes apo të festave të golit shfaqen “të njëjtët”. Është Kurtua, Ramos, Karvahal, Kros, Modriç, Benzema. Shfaqen herë pas here të rinj si Hazard, Mendi apo Rodrigo, por në fund të fundit janë të “njëjtët”. Diferenca është që këtë vit ka buzëqeshje në fytyrën e tyre. Ky kampionat është shndërruar në një hakmarrje nga garda e vjetër e skuadrës së Zidanit, por edhe e vetë trajnerit ndaj tifozëve.

Është një demonstrim i jetës, krenarisë dhe dëshirës për të bërë histori dhe për të fituar shumë trofe, edhe pse e ke “dollapin” plot me kupa. Dështimi i një viti më parë i shërbeu skuadrës, por mbi të gjitha “pleqve” për t’u motivuar dhe për t’u hakmarrë. Tibo Kurtua është në rrugën për t’u shpallur portieri më i mirë i kampionatit dhe e ka mbajtur portën të paprekur në 16 ndeshje nga 30 që ka luajtur dhe i ka zhdukur të gjitha dyshimet. Serxho Ramos është lideri i këtij Reali, i cili ka shënuar 4 gola në 6 ndeshjet e fundit. Karvahal duket në superformë dhe fitoi një penallti që mund të vlejë titullin kampion. Rafael Varan u rikthye që të rikuperonte vendin e tij të titullarit dhe largoi të gjitha kritikat e një sezoni më parë, ndërsa shembulli i duhur është Luka Modriç. Edhe kroati mendonte që të largohej nga Reali për një aventurë tek Interi apo Milani, por tani është një pikë e fortë e mesfushës dhe e formacionit të Zidanit.

Pa harruar Toni Krosin që në çdo ndeshje jep kontributin e tij dhe Karim Benzemanë. Francezi ka udhëhequr formacionin “Galaktik” në shumë sfida. Pavarësisht se të rinjtë kanë dhënë kontribut të çmuar në këtë skuadër, janë pikërisht “të njëjtët” që po i japin titullin skuadrës së Zidanit.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"