Nga alkoolistë në aktorë, ky është ekipi më i mirë i Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2018 | 19:54

Nga alkoolistë në aktorë, ky është ekipi më i mirë i Botërorit

Përpara se të shkelmohej topi i parë i këtij Botërori, shumë mendonin se Rusia do të bënte një nga paraqitjet më të dobëta të vendeve organizatore. Por ky ishte qartazi një alarm fals. Dy ndeshje fantastike, dy fitore bindëse dhe është koha për t’i rimenduar edhe një herë ato që u thanë. Ndërsa ekipe si Portugalia dhe Spanja nuk e kanë siguruar ende kualifikimin, djemtë Çerçesovit ia kanë dalë. Por cilët janë disa nga heronjtë e tij më karizmatikë.

Rusia

PORTIERË

Igor Akinfejev (CSKA Moskë) – Korrikun e shkuar mbajti për herë të parë pas një dekade rrjetën e paprekur në Champions. Një herë u godit nga një flakadan dhe numëron më shumë se 100 prezenca për kombëtaren. Besnik i një klubi të vetëm. Debutoi 16 vjeç, duke pritur edhe një penallti. Lev Jashin i kohëve moderne.

Vladimir Gabulov (Klub Bryzh) – Veterani që ka luajtur për 9 klube të ndryshme. Refuzoi të bëhej portier pasi iu përplas një top në fytyrë që i bëri një saltro të dyfishtë teksa luante me të atin. “Atë ditë kuptova se topat duhen pritur”, tha Gabulov. Andrej Lunev (Zenit) – U refuzua nga klubi i fëmijërisë, Torpedo. U huazua në liga inferiore dhe u kërcënua edhe nga banka pasi mori një kredi në dëshpërim, sepse një nga klubet e tij nuk e paguante.

MBROJTËS

Ilia Kutepov (Spartak Moskë) – Qendërmbrojtësin e talentuar dikur e donte Lacio. U bë i famshëm përpara turneut kur tha se ishte gati të kopjonte Ramosin për të ndalur Salahun apo të kafshonte Suarezin. Nuk qe nevoja, madje dha edhe asistin e golit të tretë ndaj Egjiptit.

Sergei Injasheviç (CSKA Moskë) – Legjendë e futbollit rus që vazhdon të shkëlqejë për kombëtaren e tij edhe 38 vjeç pasi u kthye nga pensioni. Kur ishte fëmijë bëri edhe aktorin në spektaklin “Yeralash”.

Mario Fernandez (CSKA Moskë) – Jo shumë njerëz shkojnë në Rusi dhe heqin dorë nga alkooli. Një qytetar brazilian, i cili veshi në një miqësore edhe fanellën e “Seleçaos”, ia doli: “Shpenzoja shumë kohë në klube nate, më pëlqente alkooli dhe mungoja në stërvitje”, kujton kur luante te Gremio. Lëvizja në Moskë i ndryshoi stilin e jetës dhe pasaportën.

Andrej Semenov (Akhmat Grozni) – I lindur në Moskë dhe i rritur te Spartaku, nuk luajti kurrë për një nga klubet e kryeqytetit. Një nga të ftuarit në Botëror falë dëmtimeve të kolegëve.

Igor Smolnikov (Zenit) – I lindur në zemrën industriale të Uraleve nuk u dorëzua pas shumë huazimeve në karrierë dhe mbrojtësi i krahut sot luan për gjigantët e Shën Pjetërburgut.

Vladimir Granat (Rubin Kazan) – Vjen nga Siberia, ish-qendërmbrojtësi i Spartakut të Moskës, në 2014 u sulmua nga një tifoz i Zenitit që pushtoi fushën dhe i theu nofullën.

Fjodor Kudriashov (Rubin Kazan) – Një tjetër stoper siberian. Debutoi në kombëtaren në moshën 29-vjeçare.

Juri Zhirkov (Zenit) – Ishmbrojtësin e Çelsit e riktheu në kujtesë gruaja e tij javën e shkuar, e cila mbështeti shpërthimin e deputetes komuniste që u kërkoi grave ruse të mos flinin me të huajt gjatë turneut.

MESFUSHORË

Juri Gazinski (Krasnodar) – Një tjetër thirrje surprizë, por e shënoi emrin e tij me germa të arta në histori, duke shënuar golin e parë të turneut.

Aleksandër Golovin (CSKA Moskë) – Autori i golit spektakolar me goditje dënimi në ndeshjen e parë. Një tjetër siberian që është lojtari më i ri në kombëtare (22-vjeç), por e kërkon Juve, Çelsi dhe Arsenali.

Alan Xhagoev (CSKA Moskë) – Nga organizatorët më të mirë të Rusisë, por lëndimi në ndeshjen e parë bëri që Rusia ta humbasë yllin e skuadrës për fazën e grupeve.

Aleksandër Samedov (Spartak Moskë) – U konvertua në ortodoks pas problemeve me depresionin me sugjerimin e gruas së tij, të cilën e takoi teksa punonte në recepsionin e një kazinoje për të paguar studimet. Refuzoi të luante për kombëtaren e Azerbajxhanit, sepse duhet të hiqte dorë nga shtetësia ruse.

Denis Çerishev (Vijareal) – Talenti i ushqyer te Reali është golashënuesi më i mirë i rusëve këtë turne, me 3 gola. Më përpara nuk kishte shënuar kurrë për kombëtaren.

SULMUES

Artom Xjuba (Arsenal Tula) – I pëlqen debati. I famshëm për talljen me Unai Emernkë kur ai ishte te Spartaku i Moskës.

Aleksei Mirançuk (Lokomotiv Moskë) – Debutoi me Slaven Biliçin në moshën 17- vjeçare. I pëlqen të shfaqet në rrjetet sociale dhe tifoz i madh i Ronaldinjos.

Fjodor Smolov (Krasnodar) – Sulmuesi i fuqishëm që flet shkëlqyeshëm anglishten prej moshës 16-vjeçare. Një tifoz i Ibrës dhe Milanit dhe ëndërron të luajë për kuqezinjtë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"