Nga Alban Hoxha te Edgar Çani, ja kronologjia e përplasjeve te Partizani në këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2018 | 14:48

Nga Alban Hoxha te Edgar Çani, ja kronologjia e përplasjeve te Partizani në këtë sezon

10 SHTATOR 2017

Drejtuesit italianë të klubit, me në krye Luçiano Moxhin, pezulluan kapitenin Alban Hoxha në startin e sezonit para ndeshjes me Laçin. Sipas drejtuesve, portieri kishte thyer rregullat duke u larguar pa leje nga grumbullimi i skuadrës. Kapiteni nuk u grumbullua për këtë takim hapës, ku edhe zv.kapiteni Batha u ul në stol. Pas një jave plot polemika u gjet gjuha e përbashkët dhe Hoxha u kthye si titullar në javën e dytë, por ai dorëzoi shiritin e kapitenit duke mos e mbajtur asnjë ditë në këtë edicion makthësh të Partizanit.

Alban Hoxha

17 JANAR 2018

Partizani e mbylli në mënyrë të shëmtuar fazën përgatitore në Turqi. Trajneri Sulejman Starova dhe mesfushori Lorenc Trashi patën një përplasje të ashpër gjatë miqësores së fundit që të kuqtë kanë luajtur dje ndaj ekipit gjerman Berliner AK. Konflikti mes palëve nisi rreth 15 minuta para fundit të ndeshjes, kur trajneri Starova e zëvendësoi Trashin, i cili shpërtheu pasi donte të luante deri në fund.

Trashi Starova

Mes palëve precipitoi një zënkë me tone të larta dhe ofendime. Pas kthimit në Shqipëri, klubi mori masa ndëshkuese ndaj trajnerit dhe lojtarit. Trashi u urdhërua të shkonte te Partizani B dhe, pasi luajti një ndeshje miqësore, iu bashku sërish ekipit nën drejtimin e Starovës.

14 PRILL 2018

Trajneri Klevis Dalipi u ankua publikisht për disa nga lojtarët pas humbjes 4-0 në Kukës duke dhënë mesazhin se fanella e titullarit duhet fituar. Në këtë transfertë pati një kundërvënie të disa lojtarëve ndaj trajnerit, kryesisht për fjalët që tha për mediat ndaj tyre, por edhe ata që u zëvendësuan, i kërkuan llogari Dalipit.

Dalipi

Një ditë më pas situatën e mori në dorë presidenti, i cili konfirmoi trajnerin Dalipi dhe u bëri thirrje lojtarëve për reflektim. Por që nga ajo ditë, Partizani nuk ka ngritur më kokë, vetëm sa vjen e degradohet.

8 MAJ 2018

Bruno Telushi konfrontohet në distancë me trajnerin Dalipi në seancën e fundit stërvitore para transfertës së Gjirokastrës. Shkak u bë lënia jashtë formacionit për këtë takim. Lojtari i kërkoi llogari trajnerit pse nuk është titullar, por Dalipi i ka kujtuar se është ai që vendos.

telushi

Lojtari ka përdorur ironinë dhe i është afruar me të bërtitura, por kanë ndërhyrë shokët e ekipit dhe stafi për të shuar debatin. Telushi i revoltuar braktisi stërvitjen. Më pas klubi nuk e grumbulloi lojtarin për në Gjirokastër. Mesfushori ka kërkuar falje për veprimin dhe dje ka nisur përgatitjet, por pritet të përballet me gjobën e klubit për thyerje të disiplinës.

10 MAJ 2018

Sulmuesi Edgar Çani konfrontohet me trajnerin Klevid Dalipi për shkak të një ushtrimi në stërvitje. Çani  ka shpërthyer ndaj Dalipit dhe i është hakërryer me të bërtitura dhe ofendime jo etike dhe tentativë për goditje. Nëse nuk do të ndërhynin shpejt lojtarët e tjerë, ku i pari ka qenë Sulejmani që ka frenuar vrullin e Çanit te trajneri, nuk do të mungonte edhe përplasja fizike. Pasi ka shfryrë dufin, Çani është larguar drejt dhomave të zhveshjes. Tani mbetet për të parë se çfarë vendimi do të marrin drejtuesit e klubit për sulmuesin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"