Nga 0-7 e Gjimshitit & Co te 149-0, shikoni goleadat historike në futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 10:08

Nga 0-7 e Gjimshitit & Co te 149-0, shikoni goleadat historike në futboll

Futbolli është i bukur sepse njeh çdo lloj rezultati. Ka ndeshje të ekuilibruara, por edhe nga ato ku shifrat kalojnë çdo pritshmëri. 

Atalanta

7-0 e Atalantës kundër Torinos mund të kishte qenë edhe më e rëndë, por për futbollin e sotëm është gjithsesi e ekzagjeruar. Sidoqoftë, skuadra e Mazarit mund të ngushëllohet, sepse historia e futbollit njeh plot raste kur gjërat kanë shkuar edhe më keq.

2 SHUPLAKA – Edhe ky rekord, e nuk është ironi e fatit, i përket Torinos. Në maj të 1948-ës, “Toro i madh” mposht 10 me 0 Alesandrian. Sa i përket Serisë A, kjo është fitorja më e thellë e një skuadre dhe askush nuk ka mundur të bëjë më tepër.

 LOJË FËMIJËSH – Mbase jo Seria A, por Italia ka regjistruar së fundmi edhe një 20-0. Ishte shkurti i vitit të kaluar kur Pro Piaçenca mundte Kuneon me një rezultat përtej qesharakes. Përveç meritës së ekipit pritës, pa dyshim në shifrat e fryra kontribuoi edhe ekipi i miqve që në krizë financiare u paraqit në ndeshje me 8 lojtarë, shumica e të cilëve nga skuadra e të rinjve.

 FRANCA – Edhe në vende të tjera ka pasur të tilla shfaqje. Më e famshmja në kampionatin francez është fitorja e Soshosë ndaj Valonsjenit 12-1 në sezonin 1935-‘36.

42 VJET MË PAS – Në vitet ‘70, Borusia e Mynshengladbahut ishte një tmerr për rivalët. Edhe Borusia është ndëshkuar prej bashkëkombësve me emër të komplikuar. 12-0 në sezonin 1977-‘78, teksa 42 vjet më pas gjërat kanë ndryshuar disi, por jo edhe aq. Në fakt, dy Borusiat i ndajnë vetëm dy pikë në kampionat dhe verdheblutë ndodhen poshtë.

 BARCELONA? – Duket çudi, por në Spanjë, humbja më e thellë në kampionat i përket Barcelonës. Sezoni 1930-‘31 dhe Atletiko e Bilbaos ndëshkon 12 herë katalanasit, të cilët të paktën shënuan golin e nderit.

 9 GOLA DIFERENCË – Në 1995 Junajtidi mposhtte 9-0 Ipsuiçin. Ky është rekordi që nga themelimi i Premier League në vitin 1992, ku suksesi i “Djajve të kuq” u përsërit nga Lesteri kundër Sauthemptonit vetëm pak javë më parë.

CHAMPIONS – Kur duhej Kupa e Kampioneve dhe merrnin pjesë vetëm kampionet kombëtare, Champions-i ofronte rezultate shumë të çekuilibruara. Njëri syresh është ai i Dinamos së Bukureshtit që mposhti irlandezët e Krusejdërs 11-0 në sezonin 1973-‘74. Të tjera ekipe e tjetër Champions.

 HIRUSHJA – Të qenët Hirushja e një kompeticioni jo gjithmonë është bukur. Rreth temës di diçka kombëtarja e Salvadorit që në Botërorin spanjoll të 1982-shit u turpërua nga Hungaria. 11-0 për magjarët në fazën e grupeve, nga e cila gjithsesi nuk u kualifikuan dot, sepse përpara tyre u renditën Belgjika dhe Argjentina.

 LAVDI AUSTRALIANE – Frenk Farina ka qenë një mesfushor që ka provuar edhe Serinë A, në radhët e Barit në fillim të viteve ‘90. Australiani ka qenë trajner i kombëtares së vendit të tij nga 1999 deri 2005. Arritjet ishin të pakta, por ato vite e kanë futur në histori për shkak të një fitoreje 31-0 ndaj Samoave amerikane në eliminatoret për “Japoni-Kore 2002”. Ai rezultat është ende më i thelli i regjistruar në kualifikueset e një Botërori.

REKORD – Në histori është edhe Madagaskari. Për këtë e ka ndihmuar fitorja 149-0 e AS Adema kundër SO, përkatësisht e para dhe e dyta në kampionat. Pa asnjë shans për të synuar majën e renditjes dhe për shkak të disa vendimeve arbitrare, lojtarët e SO-së bënë 148 autogola në shenjë proteste.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"