Nexhipi: Kukësi për titull, do jemi të frikshëm

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 17, 2018 | 20:22

Nexhipi: Kukësi për titull, do jemi të frikshëm

Kukësi nuk e nisi mirë kampionatin, duke barazuar me Laçin dhe humbur me Flamurtarin. Me gjithë ndeshjet e mira, fitorja u gjet ndaj Tiranës dhe më tej e dyta radhazi ndaj Teutës, të cilat kanë bërë që verilindorët të rikthehen si pretendentë për të rrëmbyer kreun e renditjes. Në një intervistë për “Panorama Sport” është drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, që skanon ekipin e Kukësit dhe flet për objektivat sezonalë. Ai shpjegon pse nënkampionët vuajtën në Durrës si dhe vlerëson kundërshtarët, ku si rivalë shikon Skënderbeun, Partizanin e Flamurtarin. Pavarësisht të gjithave, beson te titulli.

Nexhipi 2

Dy fitore radhazi për Kukësin, a është ky ekipi që donit?

Është fakt që dy fitore radhazi bëjnë mirë për skuadrën. Në ndeshjen e parë duhet të merrnim tri pikët dhe ishte mëkat që nuk u arrit, pasi patëm shumë raste shënimi dhe kundërshtari me një rast na ndëshkoi. Megjithatë, ne nuk shikojmë mbrapa, por para dhe koha po e tregon që jemi në rrugën e duhur.

Çfarë ndryshoi nga dy takimet e fillimit?

Ka ndryshime ekipi natyrisht, pasi është ekip i ri dhe duhet kohë për çdo gjë. Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra sa i përket lojës, pasi dhe ndaj Laçit e Flamurtarit dominuam në lojë e në raste, por gabuam në disa aspekte të tjera. Tani jemi pjekur si ekip, çunat e kanë kuptuar rëndësinë, e nga java në javë do jemi më të frikshëm si skuadër.

Fitore shumë e vështirë në Durrës, pse patët aq vështirësi thuajse në të tre sektorët?

Ndeshje e vështirë, pasi edhe Teuta ka bërë një ekip shumë të mirë me Bledi Shkëmbin në krye. Mendoj që do të jenë më të rrezikshëm se sezoni i shkuar. Është fakt që në 20 minutat e fundit na rrezikuan, pasi ishin favoritë në lojën në ajër, duke pasur shumë lojtarë të gjatë. Në tërësi i përgëzoj çunat për lojën që bënë dhe për tri pikët e marra.

A e dëmtuan mungesat Kukësin, paçka se fituat?

Pa Shametin e Rrumbullakun, natyrshëm që patëm vështirësi, pasi të gjithë e dinë rëndësinë e tyre, por unë vlerësoj zëvendësimet, të cilët bënë më të mirën. Qaqi u paraqit shumë mirë dhe Zguro po ashtu për sa luajti. Sidoqoftë, kjo është gjë e mirë te Kukësi, pasi kemi kontingjent lojtarësh dhe do pretendojmë për gjëra të mëdha këtë sezon.

Rexhinaldo ishte një “kurth” për Teutën apo vërtet rrezikonte?

Rexhinaldo, deri ditën e ndeshjes, nuk dihej nëse do luante, por morëm “OK-in” nga mjekët që na konfirmuan se nuk do rrezikonte për t’u dëmtuar. Ndaj e aktivizuam, por nuk ishte kurth. Dihet rëndësia e tij, është një aset për ne në sulm. Luajti, sakrifikoi dhe shënoi.

Po tani që ai luajti, mos ndoshta rrezikon për Kamzën?

Vërtet që u dëmtua me kombëtaren e tij, por luajti të gjithë lojën me ne. Siç e thashë, nuk rrezikon, pasi ka kohë për rikuperim të plotë. Ka luajtur i sforcuar, por nuk rrezikon dhe do jetë gati ndaj Kamzës.

Si e shikoni ndeshjen me Kamzën?

Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi kanë ekip të mirë. Aq më tepër që kanë marrë Duron trajner, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të fitojmë ndaj tyre. Kemi ekipin e plotë, kemi kualitet dhe natyrshëm do kërkojmë vetëm tri pikët.

Kush ju surprizoi nga lojtarët në Durrës?

I gjithë ekipi bëri një ndeshje shumë të mirë. Dua të theksoj dhe më vjen mirë që Limaj po kap ritmin dhe po bën gjëra pozitive në mesfushë edhe pse është vetëm 21 vjeç. Ethemi bëri një paraqitje për t’u vlerësuar. Gjithashtu, Shahik tregoi se do jetë një vlerë e shtuar për Kukësin. Më vjen mirë që lojtarët e rinj po rriten duke u konfirmuar. Të rinjtë po marrin hapësira, e ky është dhe synimi ynë, që ata të dalin në pah, e nëpërmjet Kukësit të shkojnë në Europë.

Po rivalët si i shikoni dhe sipas jush cilët janë?

Është një kampionat i fortë, i vlerësoj shumë të gjitha ekipet, por në garën me ne, unë shoh si rivalë Skënderbeun, Partizanin e Flamurtarin. Për mendimin tim, këta janë rivalët që do luftojnë deri në fund.

Dy ndeshjet e para e zbehën Kukësin, ndërsa dy fitoret radhazi e ngritën në piedestal. Sipas jush a është Kukësi për titull?

Starti nuk ishte i mirë, ndaj dhe ndodhi kjo, por unë besoj shumë tek ekipi. Ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe ky është vetëm fillimi, e duke pasur shumë kualitet dhe shumë lojtarë në dispozicion, normal që do jemi pretendentë realë për titull.

SKERDILAID SULOZEQI






www.minuta90.com