Nevil Dede paralajmëron ndryshimin: Gabimet e Erzenit nga sot ndalohen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2021 | 10:40

Nevil Dede paralajmëron ndryshimin: Gabimet e Erzenit nga sot ndalohen!

Erzeni u ka dhënë fund përgatitjeve për javën e 4-t të Kategorisë së Parë dhe është gati që të presë Turbinën në “Tofik Jashari”. Skuadra e ka kryer seancën e fundit në Pezë-Helmës, ku nuk kanë munguar këshillat dhe porositë. Stafi teknik ka vulosur edhe 11-shen, me të cilën do të kërkojë kthesën e madhe. Pas rezultateve zhgënjyese në këtë fillimkampionat, që të gjithë presin që shijakasit të ndryshojnë dhe dëshmojnë se janë pretendentët numër një për ngjitjen në elitë. Luajnë në shtëpi dhe gabimet janë të ndaluara. I këtij mendimi është edhe trajneri Nevil Dede, gjë që e pohon edhe për “Panorama Sport”.

nevil dede 1

“Jemi përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës. Në çdo seancë kam parë një ekip të përkushtuar, që u është përgjigjur edhe ngarkesave të larta. Nga kjo ndeshje të gjithë presin shumë, duke filluar nga tifozët, drejtuesit, por edhe ne si staf apo vetë futbollistët. Kam besim se nga nesër (sot), do të vijë ndryshimi.

Besoj se lojtarët do të zhvillojnë tjetër lojë, që pa dyshim duhet të shoqërohet me fitore. Nuk ka shumë rëndësi kundërshtari, pasi misioni është një i vetëm dhe më shumë se i qartë.

Skuadra është e qetë para Turbinës dhe nuk ka asnjë lloj presioni. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për objektivin ‘Superiore’, ndaj duke filluar nga kjo javë nuk falet më asnjë hap fals”, përfundon trajneri i shijakasve.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"