Nevil Dede i bindur te suksesi i Erzenit ndaj Shkumbinit: Nuk diskutohet fitorja në këtë situatë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2022 | 9:39

Nevil Dede i bindur te suksesi i Erzenit ndaj Shkumbinit: Nuk diskutohet fitorja në këtë situatë!

Në Shijak sot luhet derbi i lumenjve, ku pa dyshim Erzeni është i detyruar që të kthehet në shtratin e fitores ndaj Shkumbinit, që në fazën e parë e ka surprizuar në Peqin.

NEVIL DEDE

Erzeni pas humbjes së duelit direkt me Bylisin tani duhet të mendojë për blindimin e vendit të dytë, për të mos i lënë ndjekësit që t’i rrezikojnë biletën për ngjitjen në Superiore.

Për këtë situatë janë të ndërgjegjshëm si stafi teknik ashtu dhe futbollistët, prej të cilëve tashmë kërkohen vetëm rezultate maksimale. Pikërisht për këtë qëllim, Erzeni ka zhvilluar një javë intensive përgatitjesh për ndeshjen me Shkumbinin.

Në prag të kësaj sfide, trajneri i skuadrës shijakase, Nevil Dede, për “Panorama Sport”, u shpreh:

“Në këtë situatë nuk duhet të diskutohet fitorja, sidomos në fushën tonë, dhe për këtë kërkohet qartësi në lojë nga futbollistët. Shpirtin e lartë luftarak dhe cilësitë që mbart Erzeni do t’i shpalosë para tifozërisë së vet, për të bërë kthesën drejt fitoreve, siç kemi bërë edhe në fazën e parë.

Pavarësisht se kemi një mungesë shumë të rëndësishme, Raboshtën, që nuk do të luajë për shkak të kartonëve, jam i bindur se skuadra ka kapacitete për të kompensuar mungesën e tij.

E dimë që Shkumbini, pavarësisht situatës aktuale, është një skuadër me tradita, që na ka mundur në fazën e parë në fushën e vet. Mobilizimi në këtë ndeshje duhet të jetë maksimal, pasi edhe peqinasit kanë objektivin e vet.

Shpresoj shumë që sot Erzeni t’i rikthehet vazhdimësisë pozitive, për të arritur të marrë pikë të plota, që është detyra kryesore që ka skuadra”.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"