Nevil Dede: E dhimbshme, nuk e kisha menduar kurrë Elbasanin në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2017 | 12:05

Nevil Dede: E dhimbshme, nuk e kisha menduar kurrë Elbasanin në Kategorinë e Dytë

Sezoni 2005-2006 ka qenë i artë për Elbasanin. Me disa prej lojtarëve më të mirë në qarkullim dhe presidentin Laze të fuqishëm ekonomikisht, verdheblutë ishin një ndër skuadrat më të mira në Superiore dhe arrinin të fitonin titullin e dytë kampion në histori. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja nuk njihte kundërshtar dhe kapiteni i atëhershëm, Nevil Dede ngriti kupën në një autobus të hapur, të rrallë për kohën në mes të qytetit, duke festuar me tifozët.

dede bejzade

Por gjërat ndryshuan edhe Elbasani sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Dytë, duke prekur pikën më të ulët në futbollin shqiptar. Humbja me Sopotin i ka dhënë ekipit, që aktualisht drejtohet nga Muharrem Dosti, goditjen finale, duke mos i dhënë mundësinë të luajë një ndeshje shtesë. Kapiteni i atëhershëm, Nevil Dede, aktualisht trajneri i ekipit Kombëtare U-19 të femrave, në një prononcim për “Panorama Sport”, është shprehur:

“Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të arrinte ajo skuadër, ai qytet, ajo tifozeri në këtë pikë. Është shumë e dhimbshme. Unë kam qenë i shkëputur këto kohë, por e kam ndjekur gjithmonë me interes Elbasanin, pasi kam kaluar mirë aty dhe kam shumë miq. Ndoshta ka qenë pasojë e keqmenaxhimit, nuk e di, realisht nuk di të them diçka, nuk kam fjalë”, ka thënë Dede.

RINGRITJA

Për Deden, që një ekip të bjerë në Kategorinë e Dytë, nuk është çudi, megjithatë kur vjen puna tek Elbasani dhe mbështetjen që skuadra ka pasur nga tifozët duket se gjërat ndryshojnë.

“Natyrisht që skuadra mund të rikthehet nëse bëhet një analizë e gjërave që kanë ndodhur. Një skuadër mund të bjerë në Kategorinë e Dytë, por Elbasani, për mbështetjen e tifozëve dhe dashamirësve që ka, nuk e besoja se do të arrinte deri këtu. Nuk di çfarë të them më shumë”, ka mbyllur ish-futbollisti.

Tashmë do të mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm kompania angleze që ka blerë aksionet e skuadrës verdheblu. Muajt e fundit, ekipi ka vuajtur financiarisht, ndërsa ka pasur në përbërje lojtarë kryesisht në moshë të re.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"