Nespor sfidon Souen: E dija që nuk do e kisha të lehtë, nuk dorëzohem për të qenë titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2017 | 22:34

Nespor sfidon Souen: E dija që nuk do e kisha të lehtë, nuk dorëzohem për të qenë titullar

Dy gola në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë dhe për më tepër ndaj Mamurrasit nuk janë shumë për të siguruar një vend titullari te Skënderbeu. Dhe Martin Nespor e di mjaft mirë një gjë të tillë. Sulmuesi i çek i Skënderbeut, që u afrua me shumë bujë gjatë merkatos së verës, duket se po pret me padurim momentin për të treguar vlerat e tij.

nespor

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Nespor thekson se që në momentin e parë kur erdhi në këtë ekip u vu në dijeni të konkurrencës së fortë që ka në sulmin e Skënderbeut.

“Po mundohem të tregoj dita-ditës forcën time dhe normalisht që kjo kërkon pak kohë që të përshtatem edhe me ekipin. Që në momentin e parë kur pranova të vija te Skënderbeu isha vënë në dijeni për forcën e madhe që ka ky ekip dhe sidomos konkurrencën e madhe në majën e sulmit. Të kesh lojtarë kaq të fortë si Ali Soue gjithçka bëhet më e vështirë, por kjo nuk më step, as më mërzit, preferoj të tregoj në fushë se çfarë jam në gjendje të bëj”, u shpreh Nespor.

GOLAT

Dy golat e shënuar në Kupë, për Nespor nuk është se kanë ndonjë domethënie të veçantë, teksa kërkon të qëndrojë i përqendruar. Çeku bën me dije se është i qetë dhe i përqendruar vetëm për t’u stërvitur dhe për të pritur mundësinë që do t’i japë trajneri.

“Dy golat e mi të Kupës janë të veçantë vetëm për mua, pasi e di që nuk kishin ndonjë shkallë vështirësie shumë të madhe. Ishin dy gola përballë një ekipi të lehtë në letër dhe këtë e kupton që kur sheh ndryshimet në formacion dhe rezultatin që u mbyll ky takim. Megjithatë luajta me përgjegjshmëri dhe arrita të shënoj.

Nuk është se ata gola nuk janë të rëndësishëm, por do të tregoj më shumë në stërvitje. Çdo lojtar kërkon që të ketë më shumë minuta në dispozicion, por unë nuk jam i shqetësuar, thjesht po mundohem të pres momentin tim. Kur të vijë moment im në fushë, dua që ta shfrytëzoj sa më mirë të jetë e mundur dhe nuk do të zhgënjej askënd.

Në fund të fundit, mua më takon të stërvitem dhe më pas vlerësimin e bën trajneri, është ai që bën formacionin. Sa për formacionin mund të them se e dija që Skënderbeu luan me një sulmues dhe kjo e vështirëson shumë praninë e lojtarëve të tjerë në fushë në këtë pozicion.

Megjithatë, këto janë thjesht justifikime, unë nuk u trembem sfidave dhe jam gati të jap më të mirën derisa të më jepet mundësia për të luajtur”, ka përfunduar Nespor, i cili është edhe një prej lojtarëve të mirëpaguar te skuadra e Skënderbeut, por që nuk po gjen ende hapësira në kampionat.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"