“Nëse do të kem vetëm 1% mundësi, do të jem në fushë”, Mziu: Totalisht i tronditur, jam përmendur në spital

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2023 | 13:20

“Nëse do të kem vetëm 1% mundësi, do të jem në fushë”, Mziu: Totalisht i tronditur, jam përmendur në spital

Një goditje me top në nofull, e çoi në kolaps. Për më shumë se 7 minuta mjekët i qëndruan në kokë dhe provuan me të gjitha format që të përmendej, e megjithatë vetëm në spital i ka ardhur vetëdija. Tronditja që pësoi Sokol Mziu ishte shumë e madhe, por vetëm kaq.

MZIU

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, kapiteni tregon se e mësoi që Korabi u kualifikua në finalen e madhe vetëm në ambientet spitalore. Por edhe pasi ia thanë, nuk ishte shumë i qartë për atë që po i thoshin. Dëshiron shumë që të jetë në fushë edhe në finalen e “play off”-it me Erzenin, por vendimi tashmë u takon mjekëve.

Sokol, si jeni momentalisht?
Tani jam mirë. Shumë më mirë. Çfarë ndodhi në minutën e 66-të.

Mbani mend diçka?
Më kujtohet që njëri prej mbrojtësve tanë ishte në tentativë për të larguar topin. Ai top më goditi mua në nofull. Më pas, mbaj mend që e pashë veten në spital.

A mund të evitohej?
Ka qenë një moment shumë i shpejtë dhe distancë shumë e afërt. Ka qenë më shumë fat i keq.

Kur erdhi autoambulanca në fushë nuk ishit të ndërgjegjshëm?
Nuk më kujtohet asgjë, ndonëse sytë i hapa që në fushë. Vetëdija më erdhi vetëm në spital. Në çfarë konkluzioni arritën mjekët? Pas ekzaminimeve, mjekët thanë se nuk kisha dëmtime të rënda, vetëm tronditje. Edhe sot do të më mbajnë në mbikëqyrje, pastaj do të vendoset se çfarë do të bëhet.

Kur e mësuat që Korabi kishte fituar?
E kam mësuar kur kanë ardhur çunat e ekipit në spital. Ishin të gjithë dhe fitoren ma kishin dedikuar mua. Por edhe kur ma thanë, nuk kuptova shumë.

Mund të na tregoni ndonjë moment të veçantë kur erdhën futbollistët e tjerë në dhomën tuaj?
Ishin të gjithë të tronditur. Unë jam munduar të bëj ndonjë shaka më tepër, por të gjithë kanë qenë të përhumbur. Tani situata është në rregull dhe të gjithë do të mblidhemi të konsumojmë diçka për të festuar fitoren me Flamurtarin, por edhe të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Mendoni se do të jeni pjesë e finales së madhe?
Nëse do të kem vetëm 1% mundësi, do të jem se s’bën në fushë.

Kishit preferenca për kundërshtarin në “play off”?
Nuk kemi pasur ndonjë preferencë, sepse nuk e kishim luksin të zgjidhnim. Ne si ekip jemi të përulur të gjithë bashkë. Do të japim maksimumin me këdo që do të kemi kundërshtar. Të tjerat le t’ia lëmë fushës.

Sa besoni se Korabi mund të rikthehet në Superiore?
Edhe pas ndeshjes me Tomorin më është bërë kjo pyetje. Ne jemi me këmbë në tokë dhe po i marrim ndeshjet një nga një. Po japim maksimumin, po sakrifikojmë. Uroj dhe shpresoj që t’ia arrijmë qëllimit dhe ëndrrës së përbashkët që ka çdo futbollist dhe çdo tifoz dibran.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"