“Nëse do luhet ndershëm, shpëton Besa”, kapiteni Muçaj fajëson largimet: Rrëshqitja jonë nisi në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2022 | 20:30

“Nëse do luhet ndershëm, shpëton Besa”, kapiteni Muçaj fajëson largimet: Rrëshqitja jonë nisi në janar

Besa rrezikon seriozisht mbijetesën. Nëse në nisje të sezonit flitej për ngjitjen, sot janë në zonën “play out”. Nëse nuk fitojnë ndeshjen e fundit me Bylisin në Luz dhe njëherësh nuk ndalet të paktën Pogradeci nga Tomori (janë të penalizuar në përballjet direkte me liqenorët, i kanë humbur të dyja), janë kavajasit që e pësojnë. Ledjon Muçaj nuk e beson ende që degraduan në këtë pikë, e megjithatë nuk i humb shpresat.

ledion mucaj

Kapiteni mendon se do t’ia hedhin vetëm nëse luhet ndershëm dhe këtë e thotë troç për “Panorama Sport”: “Kurrsesi nuk duhet të ishim sot në këtë situatë, por minimumi duhet të kishim 42 pikë. E morëm lehtë Maliqin, duke e menduar të fituar para kohe.

U kujtuam me Butrintin, por nganjëherë përtej dëshirës e lojës, hyn në një moment të keq psikologjik. Humbjen në Shijak s’po e përmendim, por e pësuam edhe në Lezhë. Personalisht mendoj se rrëshqitja jonë filloi në janar, kur edhe u larguan titullarë si Tafili, Canka, Hoxhaj e të tjerë.

mUCAJ BESA

Nuk u afruan lojtarë të barasvlershëm, por në vend të tyre luajtën lojtarë të rinj. Kjo bëri që përvoja ime, e Perjes, Hysenit, Hoxhës e të tjerëve të mos mjaftonte për të kompensuar gabimet e lojtarëve të rinj. Gabimet pastaj erdhën radhë dhe ndodhemi këtu. Ndoshta në një tjetër moment do ndalemi më gjerë në arsyet dhe mësimet që duhet të nxjerrim. Unë pata mjaft oferta por pranova të jem pjesë e Besës dhe ndihem mirë për këtë, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet sa u takon me rezultateve”.

LLOGARITË – Kur ka mbetur edhe një javë për t’u mbyllur kampionati, verdhezinjtë ndodhen në kuotë të barabartë pikësh me Pogradecin e Turbinën.

mUCAJ BESA 2

Për mbrojtësin, ata nuk rrezikohen nëse do të luhet ndershëm. “Java e fundit duket se ndan shumë verdikte. Por ndryshe nga rivalët tanë, ne luajmë në shtëpi dhe kemi më shumë shanse për fitore. Personalisht pres që kjo javë të paktën të luhet ndershëm dhe ‘Fair Play’. Nëse ndodh kjo, atëherë Besa nuk është aspak e rrezikuar. Kuptohet se na duhet një sakrificë e madhe për të mundur Bylisin kryesues në Kavajë. Unë besoj, pasi motivimet janë të ndryshme mes nesh e miqve”, përfundoi kapiteni.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"