Nëntë fitore radhazi, në Fier krenohen me ecurinë në shtëpi
Në Fier krenohen me ecurinë në shtëpi. Kundër Burrelit sigluan të nëntën fitore rresht dhe blinduan zonën “play out”. Misioni i radhës është blindimi i vendit të 4-t, që të kenë mundësi ta presin në “Loni Papuçiu” vendin e 6-të në takimin e parë shtesë. Ky sezon vërtet nuk nisi mirë për Apoloninë, por dukshëm u transformuan në janar.
Rezultate pozitive shoqëruan njëra-tjetrën dhe luhatjet e fazës së parë mbetën një mirazh. Falë ndryshimit të rregullores, ata kanë mundësi që të tentojnë ngjitjen në elitë. Edhe pse duhet të kalojnë tri ndeshje shtesë, bardhejeshilët janë optimistë. Ata besojnë shumë se do të jenë ato ekipi i tretë që do të kapë “Abissnet Superioren” dhe sidomos pas rezultateve të fundit.
Janë kthyer në një ekip që shënojnë shumë dhe nuk pësojnë lehtë gol, kjo falë punës së përditshme të stafit teknik dhe egos që shfaqin lojtarët në fushë. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta nga ky kampionat, qëllimi është i qartë: të marrin 6 pikë përballë Lushnjës dhe Vorës.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"