Nëntë afrime, por Partizani ka besuar vetëm te 3 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 11:04

Nëntë afrime, por Partizani ka besuar vetëm te 3 lojtarë

Tri javë kampionat, 6 pikë dhe vetëm dy gola të realizuar. Partizani është dukshëm më mirë se sezoni i kaluar, por në fushë nuk është se ka shkëlqyer për të krijuar një bindje se do të jetë ai pretendenti kryesor për titullin kampion. Një provë e madhe është ndeshja e së dielës në Laç, aty ku të besuarit e Skënder Gegës do të duhet të tregojnë “dhëmbët” përballë një kundërshtari që si kurrë më parë guxon të pranojë se këtë sezon është edhe ai për titull.

Partizani

Të paktën kështu është shprehur vetëm pak ditë më parë presidenti i Laçit, Pashk Laska, gjatë një bisede për “Panorama Sport”. Gjatë këtyre tri javëve ose më saktë në ndeshjet ndaj Skënderbeut, Kamzës dhe Kastriotit, Gega nuk i ka pasur të gatshëm të gjithë përforcimet e merkatos. Partizani e mbylli me 9 lojtarë të afruar dhe 10 të larguar. Eneo Bitri, Ardit Hila, Rron Statovci, Rubin Hebaj, Emanuele Mensah, Hyon-Uk So, Alma Abo Uakili, Besnik Ferati dhe Eraldo Çinari u zyrtarizuan njëri pas tjetrit në periudhën qershor-shtator.

Por, nëse shikon aktivizimet e tyre në tri ndeshjet e para, rezulton se për trajnerin Gega kanë qenë vetëm tre të besuar, të paktën deri më tani. Mesfushori Hila dhe sulmuesit Hebaj e Mensah kanë luajtur në të tria takimet, por askush prej tyre nuk ka marrë minutat e plota. Hila dhe Hebaj e kanë nisur si titullarë, por janë zëvendësuar, ndërsa Mensah është aktivizuar vetëm ndaj Kamzës nga minuta e parë.

stat

Ndërkohë, ende nuk ka bërë debutimin zyrtar me fanellën e kuqe në Superiore qendërmbrojtësi beratas, Eneo Bitri, i cili në të tria takimet ka qenë në stol. E njëjta gjë edhe për mesfushorin nga Koreja e Veriut, Hyon-Uk So, ndërsa mbrojtësi i majtë, Uakili dhe mesfushori Ferati nuk janë grumbulluar fare. I fundit që iu bashkua “demave” ishte Eraldo Çinari, i cili sipas të gjitha gjasave do të ketë shansin të debutojë në Laç.

Ndërkohë, një mister më vete është injorimi i mbrojtësit të djathtë kosovar, Rron Statovci. Ky i fundit po stërvitet prej kohësh me Partizanin B dhe duket qartë që nuk futet në preferencat e Gegës, i cili ka konfirmuar si titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes Labinot Ibrahimin. Gjithsesi, janë luajtur vetëm tri javë kampionat dhe ndoshta të nëntë afrimeve do t’iu vijë radha për të treguar veten me fanellën e kuqe.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"