Nënta e mallkuar, ish-sulmuesi Dosti: Lojtarët e kanë mendjen te lekët, Partizanit i duhen dy përforcime për të dalë kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 20:07

Nënta e mallkuar, ish-sulmuesi Dosti: Lojtarët e kanë mendjen te lekët, Partizanit i duhen dy përforcime për të dalë kampion

Në numrin e djeshëm, “Panorama Sport” paraqiti një vëzhgim rreth mallkimit të numrit nëntë te Partizani në 6 sezonet e fundit në Superiore. Por, ky vëzhgim ka bërë që të reagojë një nga bomberat e Partizanit, Edmond Dosti, i cili me numrin nëntë mbi shpinë ka korrur një sukses të trefishtë në sezonin 1992-1933.

Edmond Dosti

Në atë edicion, Dosti u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit, me 21 gola, dhe falë kontributit të tij të kuqtë dolën kampion dhe fituan Kupën e Shqipërisë. Ai titull i fituar në atë kohë ka mbetur i fundit për Partizanin. Sipas Dostit, këtë edicion janë shanset më reale që të thyhet pritja e gjatë, por duhen riparuar disa gjëra.

NUMRI NËNTË- Sa i përket mallkimit që po i përndjek fanella me numrin nëntë, Dosti është i mendimit se lojtarëve nuk ua ka fajin ajo shifër, por përkushtimi i tyre. “Fanella me numrin nëntë te Partizani ka domethënie të madhe, jo se e kam mbajtur dhe jam mundur ta nderoj, por në përgjithësi me atë numër janë profilizuar golashënuesit më të mirë të “demave”.

Ndaj, faji nuk është te numri, por te lojtarët që e mbajnë atë. Në kohën time të ishe lojtar i Partizanit, do të thoshte shumë. Ne kemi luajtur me gjak e sakrificë për atë fanellë me shumë histori. Ne kishim sedër dhe nuk krahasohemi me lojtarët e sotëm, që mendjen e kanë te paratë dhe jo te fanella që mbajnë veshur. Ndaj, edhe klubi duhet të ketë kujdes kur të shpërndajë numrat, pasi ajo fanellë ka peshë të rëndë dhe nuk mund të bijë në dorë të kujtdo.

rubin hebaj

Një këshillë kam për Hebajn, meqë e mban atë numër tani. Të keqen nuk ia sjellë numri, por të përkushtohet më shumë. Është lojtar i ri dhe e ka të ardhmen për para. Nëse e kupton peshën reale të asaj fanelle që përfaqëson dhe angazhohet më shumë, mund të bëhet pikë referuese”, u shpreh fillimisht ish-numri nëntë i Partizanit, Edmond Dosti.

PËRFORCIMET- Sipas Dostit, me afrimin e një “pyke” dhe organizatori në merkaton e janarit, titulli nuk diskutohet këtë sezon. “Më vjen mirë që ato që them në të mirë të Partizanit, po kuptohen edhe nga klubi. Së fundmi, po dëgjoj se Partizanit i duhet një bomber. Këtë gjë e kam shprehur në intervistat e dhëna më parë për “Panorama Sport”. Po e përsëris sërish se cilat janë nevojat e Partizanit aktual, për të mos diskutuar trofeun madhor.

Dosti Austri

Gjetja e një “pyke” cilësore është e domosdoshme. Ekipit i mungojnë golat me kokë dhe spondat nga pika referuese në majë të sulmit. Edhe një organizator është më se i nevojshëm. Këtë mund ta bëjë më së miri Bardhi, pasi i ka ato cilësi. Ndaj më mirë është që të investohet te ky lojtar si organizator sesa si pykë, pasi i pëlqen lëvizshmëria. Nëse klubi i plotëson këto dy poste, me bindje të plotë Partizani nuk e diskuton titullin.

Këtë e them referuar nga grupi që kanë, ecuria në javët e para, por edhe niveli i kundërshtarëve. Nuk do të ishte keq të afrohej edhe një qendërmbrojtës që di të luajë topin, ta marrë nga portieri dhe ta përcjellë përpara. Ekipi është në rrugë të mbarë, por duhet lënë i qetë, të mos vihet nën presion”, përfundoi Dosti.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"