“Nejmar na ka ardhur të gjithëve në majë të hundës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2018 | 22:03

“Nejmar na ka ardhur të gjithëve në majë të hundës”

LOTAR MATEUS

Mateus

Lotar Mateus ka folur nga Moska, ku ndodhet aktu alisht në rolin e analistit. Ish-kapiteni i kombëtares gjermane ka folur për gjërat më pikante që po ndodhin në Botërorin e Rusisë. Sipas tij, skuadra favorite për të fituar Botërorin është Brazili, edhe pse nuk duron dot më aktrimet e yllit brazilian, Nejmar.

nejmar

PËR ANGLINË

Anglezët kanë përfituar nga trajneri që ka ditur të rreshtojë një skuadër kompakte në fushën e lojës që nga minuta e parë. Ai ka përmirësuar lojën e tyre dhe rezultatet po i shohim në fushën e lojës. Ata kanë fituar vetëbesim, kjo u pa edhe në 11-metërshat ndaj Kolumbisë. Deri në minutën e 70-të, kur Dele Ali doli nga loja, ata po zhvillonin një lojë fantastike. Shpresoj që trajnerit Sauthgejt t’i jetë bërë mësim, pasi është një trajneri i ri, por me ambicie. Nëse je duke dominuar kaq bindshëm, pse duhet të bësh një lëvizje taktike dhe të tërhiqesh prapa?

PËR SUKSESIN E SUEDEZËVE

Suedisë i ka bërë mirë që Ibrahimoviç nuk është me ta. Në të kaluarën ka qenë vetëm ai i rëndësishëm, tani janë të gjithë lojtarët. Ata kanë një shpirt gare për t’u admiruar dhe ndaj Zvicrës dhe Meksikës zhvilluan dy ndeshje të mëdha. Vetëm ndaj Gjermanisë u tërhoqën më shumë seç duhet.

SHANSET E RUSISË

Ata kanë argumentet për të mundur Kroacinë. Emocionet do të luajnë një rol të rëndësishëm. Këtu në vend është atmosferë shumë elektrizuese. Askush nuk priste asgjë nga ata në fillim të sezonit dhe tani kanë eliminuar Spanjën dhe janë një hap larg gjysmëfinales. Ndërsa Kroacia ka lojtarë me më shumë eksperiencë se rusët. Ndaj Danimarkës luajtën një ndeshje jo të mirë dhe rrezikuan të eliminoheshin.

PËR FAVORITEN E BOTËRORIT

Brazili është për mua favoriti kryesor, ata kanë zhvilluar ndeshje të mira. Këtë e kam thënë edhe në fillim të Botërorit. Ata kanë gjetur një balancë të mirë midis sulmit dhe mbrojtjes. Në fazën sulmuese janë shumë të rrezikshëm, pasi kanë lojtarë shumë të talentuar. Trajneri ka bërë të mundur që lojtarët të kuptojnë një stil ndryshe loje, duke u nisur nga gjysmëfusha e tyre. Kjo është një disiplinë taktike e miksuar me atë europiane dhe amerikanojugore. Ndaj, Tite është për mua trajneri më i mirë i vitit.

PËR NEJMAR

Jo vetëm mua, por edhe tifozëve po u vjen në majë të hundës sjellja e Nejmarit. Nëse ndodh 1-2 herë është normale, por jo kaq shumë herë. Është bërë i padurueshëm. Kemi folur edhe për “fair play”. Ai është një idol për fëmijët, ndaj duhet të ndalojë të bëjë kështu sjelljesh. Është ndër pesë lojtarët më të mirë të botës, nuk i duhet diçka e tillë.

YLLI I BOTËRORIT

Pse flasim vetëm për Mesin dhe Ronaldon, ata nuk janë më në Botëror. Pse të mos flasim për Kejn dhe Mbape? Edhe Nejmar ka shanse për të fituar trofeun në fund, po luan mire dhe po shënon.

ZOTËRIMI I TOPIT

Zotërimi i topit nuk është më një fjalë e re në futboll. Efikasiteti dhe shpejtësia janë. Spanja dhe Gjermania nuk kishin shpejtësinë e duhur për të shkuar në fazën tjetër. Duhet të kesh në skuadër lojtarë që hyjnë në zonën e rreptësisë, sulmues që krosojnë në zonë. Stili i futbollit po ndryshon, shpirti i garës po bëhet edhe më i rëndësishëm. Zotërimi i topit nuk të çon askund.

ELIMINIMI I SKUADRAVE AMERIKANO-JUGORE

Ky kontinent vazhdon të sjellë 40% të skuadrave në fazat e avancuara të Botërorit. Kolumbia ishte pranë kalimit në turin tjetër, por u mund vetëm nga penalltitë. Peruja u kualifikua duke lënë në shtëpi Kilin. Këto skuadra janë të mirorganizuara dhe kanë një mentalitet fitues. Lojtarët janë të shpejtë dhe shumë prej tyre luajnë në skuadra shumë të mira.

PËR MARADONËN

Jam shumë i mërzitur që e shoh ashtu. Ai ka qenë lojtari më i mirë në botë dhe të shohësh pamjet tani, të shqetësojnë shumë. Kam pasur shpesh me të mendime të ndryshme në futboll, por kemi luajtur në të njëjtën kohë. Në 1990-ën në Itali, unë luaja me Gjermaninë dhe ai me Argjentinën. Dhe më pas shkova tek Interi, ndërsa ai luante me Napolin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"