Nejmar i sinqertë: Po, jam një lojtar kopjac

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2014 | 20:10

Nejmar i sinqertë: Po, jam një lojtar kopjac

NejmarNejmar është futbollisti brazilian nga i cili pret i gjithë kombi, por, pavarësisht kësaj, talenti 22-vjeçar ndihet i qetë në prag të Botërorit. Sulmuesi shprehet se nën presion ka jetuar që kur talenti iu vu në pah në moshën 13-vjeçare dhe ai do të japë gjithçka që të mos zhgënjejë. “Ka qenë një ëndërr që kur unë kam qenë i ri dhe sot ajo është para meje. Unë jam numri 10 i Brazilit, do të shkoj të luaj për Kupën e Botës në vendlindjen time. Nuk ndiej asnjë presion. Kjo situatë duhet të më japë krenari dhe lumturi që të futem në fushë. Të gjithë thonë se fitorja e Kupës së Botës është një kënaqësi e pashpjegueshme, kështu që unë jam i paduruar që ta ndiej vetë këtë. Mezi po pres të bërtas: Ne jemi kampionët e botës!”, tha ylli i Barçës.
Kopjimi – Nejmari ka marrë shumë në lojën e tij kur ishte i vogël nga Robinjo, ish-ylli i Mançester Sitit që u aktivizua në finalet e 2006-s dhe të 2010- s, por u la jashtë nga Skolari këtë herë në Botëror. “E kam ndjekur nga afër Robinjon, sepse kur shkova te Santosi, ai ishte ylli. Është idhulli im. Triblonte shumë. Kam parë më pas Ronaldinjon, Ronaldon, Lionel Mesin, Kristiano Ronaldon, pra çdo lojtar të aftë që është në qarkullim. Kam parë video të tyre. Kur luaja për kënaqësi apo në stërvitje, përpiqesha që të bëja të njëjtën gjë. Dhe kur ishte një ndeshje për të luajtur, gjithçka vinte natyrshëm. Nuk është se kam ndonjë marifet që e kam shpikur vetë deri tani. Kam driblime normale si ato kur përdor trupin të gënjej rivalin, ose triblimi pa top kur stërvitem. Kam përdorur edhe rrotullimin e Zinedin Zidanit. Kam kopjuar shumë”.
Kërcimi – Nejmar mendon se kërcimi e ka ndihmuar shumë që të përparojë në futboll. “Çdo brazilian pëlqen që të kërcejë sadopak. Vendos pak muzikë që të bën të jesh në formë dhe nëse një brazilian mund të jetë i ulur, do të nisë që të kërcejë. Unë vij nga një familje që i pëlqen samba dhe pagode (kërcim). Unë mendoj se e kam muzikën në gjak. Më pëlqen të dal me miqtë. Me Santosin festoja duke kërcyer, kur shënoja. Ja kështu kënaqeshim ne”. Ylli i “Seleçaos” shton se për të futbolli është qejf që duhet të menaxhohet. “Duhet të jesh serioz në këtë sport, por unë gjithnjë jam i lumtur kur luaj. Sepse kur je i lumtur, gjërat zgjidhen. Kur je i trishtuar, punët asnjëherë nuk shkojnë mirë”.
Vëmendja – Braziliani tregon mbi përvojën e tij me kamerat. “Unë gjithnjë i kam bërë punët sipas mënyrës sime. Shtypin e kam pasur me vete që kur isha 13 vjeç, ndërsa ata thoshin se unë do isha Robinjo i ri. Jam një njeri që nuk shqetësohem shumë. Nëse nuk më kujtoni se unë jam Nejmari dhe se luaj me Barçën dhe Brazilin, unë e harroj. Njerëzit më imagjinojnë siç më shikojnë në televizion, por unë jam ndryshe, sepse nuk e ndiej presionin”.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"