Nejmar: Harrojeni spektaklin te Brazili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2014 | 19:10

Nejmar: Harrojeni spektaklin te Brazili

NejmarNejmar është lideri i Brazilit në Kupën e Botës, duke e udhëhequr atë te seria e rezultateve pozitive deri tani. Ai pranon se nuk janë të prirë për të dhuruar spektakël, por për të fituar ndeshjet, ndaj nuk do ndryshojnë stil edhe në përballjet e ardhshme. Futbollisti i Barcelonës ka thurur elozhe për Rodrigezin e Kolumbisë, por e paralajmëron që aventurën në Botëror do e mbyllë pikërisht kundër “seleçao”-s…
Si e shikoni Kolumbinë?
Normalisht që Kolumbia është një skuadër e madhe. I ka fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri tani dhe kjo tregon qartë potencialin e saj. Nuk është e lehtë të triumfosh në përballjet e Kupës së Botës, ku marrin pjesë ekipet më të forta të kontinentit. Kolumbianët ia kanë dalë mbanë, duke bërë edhe diferencën në fushën e lojës.
Ylli i tyre është Rodrigez. Çfarë mendimi keni për të?
Është një talent i madh dhe një futbollist i shkëlqyer. Të dy kemi të njëjtën moshë, 22 vjeç. Gjithsesi, me gjithë respektin që kam, aventura e tij në Botëror do përfundojë në duelin kundër “seleçao”-s.
Në Kombëtare kanë ardhur psikologë. Ka qenë e nevojshme?
Unë nuk isha mësuar të kisha një trajtim nga psikologët të them të drejtën, por është diçka e shkëlqyer. Jam lidhur shumë me psikologen, pasi më ka ndihmuar me të vërtetë. Është e nevojshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndeshje të Botërorit, ku presioni është i madh. Ka qenë një ndihmë për të gjithë futbollistët dhe dua që ky trajtim të vazhdojë deri në fund të edicionit.
Ka pasur kritika se Brazili nuk po dhuron spektakël. Jeni dakord me to?
Ne nuk kemi ardhur për të dhuruar spektakël në fushën e lojës. Kemi ardhur për të fituar. Ndeshjet janë të vështira dhe mjaft të ekuilibruara. Është e nevojshme që të jesh i kujdesshëm dhe të mendosh më shumë për rezultatin, sesa për bukurinë e lojës që zhvillon. E rëndësishme është që në fund të ngremë trofeun dhe jo të kujtohemi si një ekip që dhuroi futboll të bukur, por u eliminua.
Keni besim që Kombëtarja juaj mund të realizojë objektivin e saj?
Sigurisht që po. Forma jonë është gjithnjë në rritje dhe jemi gati për të fituar të gjitha ndeshjet e mbetura. Ky Brazil do shpallet kampion, pasi i plotëson të gjitha kriteret e mundshme.
Ka pasur probleme brenda grupit të lojtarëve?
Jo, është i vetmi element që nuk diskutohet, pasi jemi një grup shumë kompakt dhe në harmoni të plotë. Pikërisht fakti që shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin na heq disi edhe presionin e madh që kemi mbi supe. Duhet të kuptoni që jemi Brazili dhe e zhvillojmë Botërorin në shtëpinë tonë. Triumfi është detyrim për ne.
Si është forma juaj fizike?
Kam folur me përgatitësit atletikë dhe më kanë siguruar se jam gati të jap maksimumin tim në fushën e lojës. Nuk ndiej asnjë dhimbje dhe mezi po pres ndeshjen e radhës.
Jeni i sigurt se nuk do sakrifikoni duke luajtur si titullar në përballjen e ardhshme?
Ua thashë që jam në formë shumë të mirë, ndaj nuk kam se si të sakrifikoj.
Do ketë ndryshim të skemës nga trajneri?
Nuk e di. Atë e vendos trajneri dhe është personi i duhur që duhet të pyesni.
E keni fiksim të shpalleni golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni?
Aspak. Unë jam këtu për t’u shpallur kampion bote dhe jo të fitoj “Këpucën e Artë”.
Nëse do kalonit Kolumbinë, cilin prej kundërshtarëve do preferonit?
Për mua, nuk ka asnjë preferencë, pasi e dimë që cilido qoftë ai, do jetë shumë i vështirë për t’u kaluar. Gjithashtu, ne duhet të tregojmë se meritojmë të shpallemi kampionë bote, duke mundur këdo që do kemi përballë. Por ky nuk është momenti për të menduar për gjysmëfinalet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"