Nejmar një “snajper”, Leo Mesi më driblues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2014 | 19:07

Nejmar një “snajper”, Leo Mesi më driblues

Mesi dhe NejmarPas mbylljes së fazës së grupeve në finalet e edicionit të 20- të të Kupës së Botës, staticienët kanë analizuar dy prej lojtarëve më të përfolur. Nga numrat vihet re një baraspeshë e frikshme, diçka që nuk shihet kur të dy luajnë bashkë te Barcelona.
“Snajperi” – Deri më tani rezulton se Nejmar është shumë i ftohtë para portës. Në tri takimet e para “O Ney” ka goditur në portën kundërshtare mesatarisht 3.7 herë. Gjatë këtyre aksioneve 2.7 herë sfera ka përfunduar në kuadrat, ndërkohë që marzhi i gabimit është një. Tjetër gjë mund të themi për Leo Mesin që finalizon mesatarisht 4.4 herë për çdo ndeshje. Prej tyre 1.7 herë topi ka përfunduar në kuadrat, ndërkohë që 2.7 tentativa kanë qenë të pasakta.
Për skuadrën – Sa u përket statistikave që tregojnë punën që bëjnë lojtarët për ekipet respektive, rezulton se Nejmar kthehet shumë prapa për t’i ardhur në ndihmë prapavijës. 22-vjeçari numëron mesatarisht 6 spastrime për ndeshje. Ndërkohë që për “La Pulgën” kjo mesatare është rreth 3.3. Mesi fiton shumë terren në pasimet e dhëna gjatë një ndeshjeje. Mesatarisht 27-vjeçari numëron 43 të tilla për çdo sfidë. Ndërkohë që Nejmar jep mesatarisht 32 pasime në çdo duel. Përgjegjësi – Për shkak të eksperiencës që ka fituar gjatë viteve në fushë, Mesi e kalon Nejmarin ndjeshëm në topat e marrë nga kolegët në fushë. Mesi merr mesatarisht 46.7 të tillë, ndërkohë që Nejmar 30.3. Kjo statistikë tregon edhe peshën që kanë dy lojtarët në skuadrat e tyre, argjentinasi ngarkohet me më shumë përgjegjësi.
Estetik – Lojtari më spektakolar rezulton të jetë Mesi që driblon mesatarisht 6.7 herë për ndeshje. Ndërsa Nejmar “vetëm” 5.7. Në këtë aspekt, Mesi është edhe më preciz pasi ka humbur mesatarisht topin 0.7 herë për ndeshje. Ndërkohë që “O Ney” këtë statistikë e ka 1.7.

Nejmar tregon mbathjet, FIFA mund ta gjobisë
Mbi të gjitha kanë rëndësi paratë. Për FIFA-n aspekti ekonomik është njëri nga më të rëndësishmit. Nëse shikohen shumat që qarkullojnë në vit në këtë organizëm, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Në këtë aspekt sponsorët janë edhe më të rëndësishëm, prandaj dhe ky organizëm i mbron me metodat më “ekstreme”.
Në fokus – Pas takimit me Kamerunin, Nejmar i ka tërhequr vëmendjen këtij organizmi pasi “pa dashje” i bëri reklamë firmës së mbathjeve që mbante veshur (kishin ngjyrat e flamurit brazilian). 22-vjeçari, pas fitores me Kamerunin, hoqi fanellën dhe uli disi pantallonat duke nxjerrë në pah markën e mbathjeve. Një gjë të tillë ai e kishte bërë edhe gjatë takimit. Kështu, FIFA ka nisur menjëherë një hetim pasi sipas rregullores në fushë mund të tregohen vetëm logot e sponsorëve teknikë që bashkëpunojnë me organizmin e lartpërmendur.
Sponsorët – Siç dihet, Nejmar paguhet rreth 12 milionë euro në vit prej 12 sponsorëve të tij personalë. Mes tyre gjendet edhe kompania “Lupo” që është lider në sektorin e veshjeve intime.
Përsëritja – Një gjest të tillë Nejmar nuk e ka bërë për herë të parë. Edhe pak muaj më parë, gjatë një ndeshjeje të vlefshme për Ligën e Kampioneve, 22-vjeçari u akuzua se tentoi që t’i bënte reklamë markës së mbathjeve që vishte.
Analogjia – Kjo çështje është më serioze seç duket, pasi Nejmar mund të rrezikojë një gjobë të kripur. E tillë ishte edhe ajo që mori Niklas Bendtner gjatë “Euro 2012”, kur në një takim nxori mbathjet për t’i bërë reklamë një kompanie bastesh. Për këtë motiv UEFA e gjobiti lojtarin me 100.000 euro. Mbi futbollin dhe paratë FIFA nuk bën shaka.
Precedenti – Nuk është një rastësi që gjatë këtij Botërori nuk shikoni lojtarë me kufjet të markës “Beats by Dre” të kompanisë “Beats Electronics”. Mësohet se “Soni”, që është partner i FIFA-s, ka ftuar këtë institucion që të mos lejojë futbollistët që gjatë kohës që ekspozohen në stadium të mbajnë me vete të tilla kufje.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"