Negociata shumëpalëshe deri te Juventusi/ FSHF “all in” për Bajramin, kuqezinjtë tentojnë të zbusin Empolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 12:09

Negociata shumëpalëshe deri te Juventusi/ FSHF “all in” për Bajramin, kuqezinjtë tentojnë të zbusin Empolin

Nedim Bajrami e ka çantën gati me rrobat për të qenë pjesë e grumbullimit të Shqipërisë. Sapo KAS-i vendosi për pranimin e kërkesës së tij në mënyrë që të ndryshonte përfaqësuesen, djaloshi i entuziazmuar shprehu dëshirën për të qenë menjëherë me kuqezinjtë në Poloni.

Bajrami

Mirëpo, në këtë moment, Empoli po ngre maksimalisht murin burokrat, që po pengon dëshirën dhe ëndrrën e djaloshit për t’iu bashkuar sa më shpejt kombëtares së origjinës.

FTESA – Gazeta ka mësuar se në lojë tashmë nuk është vetëm një e-mail formal që i dërgon Empolit ftesën për të lënë të lirë mesfushorin për datat e FIFA-s. Kjo, nuk u ka mjaftuar emilianëve me pretendimin burokrat se nevojitej që kjo ftesë të dërgohej 14 ditë para nisjes së grumbullimit.

Ndonëse në rregullore klubi italian është bazuar në pika të qarta, në realitet, diçka e tillë ishte e pamundur dhe do të krijonte dyshime në mos polemika, pse Shqipëria i dërgon ftesë një lojtari, e drejta e të cilit nuk ishte vendosur ende nga tribunali i Lozanës, KAS. Kësisoj, FSHF-ja është vënë menjëherë në lëvizje gjatë paradites së të hënës, sapo u publikua vendimi nga KAS-i për pranimin e kërkesë-padisë së bërë nga FSHF-ja në emër të futbollistit, duke dërguar edhe ftesën në skuadrën e Serisë A.

NEGOCIATAT – Dëshira për t’iu bashkuar Kombëtares dhe nevoja që ka trajneri Reja për një lojtar të tillë kualitativ, duket se duhet të presin ende për t’u bërë bashkë. Megjithatë, FSHF-ja në të gjithë strukturën e saj është përfshirë në negociata me skuadrën emiliane.

nedim bajrami

Gazeta ka mësuar se në lojë është futur edhe Juventusi. Me anë të doktor Xhanluka Stesinës, njëherazi në stafin e Kombëtares dhe në qendrën mjekësore të bardhezinjve, i cili me lidhjet dhe njohjet e tij garanton skuadrën emiliane për trajtimin dhe për kushtet që gjen Bajrami në Kombëtare.

Jo vetëm kaq, por si trajner Reja, gjithashtu, edhe drejtues të lartë të FSHF-së kanë kërkuar të zbusin burokracinë dhe pretendimet e procedurave nga skuadra e Empolit. Mbetet për t’u parë, pasi nga momenti në moment pritet dorëzimi i emilianëve, vetëm se nuk dihet nëse do të jetë sot para ndeshjes me Poloninë apo do të jetë nesër e në vazhdim dhe lojtari të bëhet gati për Hungarinë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"