“Neglizhuam, por harrojeni mbijetesën”, Gjyla: Ju tregoj ç’më tha ekipi pas Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2021 | 13:17

“Neglizhuam, por harrojeni mbijetesën”, Gjyla: Ju tregoj ç’më tha ekipi pas Elbasanit

Lushnja mori tri pikë në transfertë me El basanin, duke iu larguar Flamurtarit me 12 pikë dhe rrjedhimisht rrezikut për të rënë nga Kategoria e Parë. Tashmë verdhejeshilët do të jenë dy javë pushim e do të shohin se deri ku do të arrijnë vlonjatët dhe shpresojnë që rezultatet t’u shkojnë për shtat e të ruajnë kreun e zonës “play out”. Trajneri Ilir Gjyla më në fund ka mbetur i kënaqur nga reagimi i të tijve. Edhe pse përballë kishin Elbasanin që është praktikisht i rënë, ai vlerëson lojën. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i stolit evidenton se mbijetesën nuk e kanë rrezikuar kurrë.

Ilir Gjyla

“Nuk e kemi vënë ndonjëherë në diskutim mbijetesën. Unë kam kërkuar nga çunat të jenë gjithmonë vetvetja, por gjithë fazën e dytë kemi pasur luhatje. Megjithatë, reaguan në ndeshjen e fundit. Ndoshta ata e bënë për të më treguar mua dhe stafit se kush janë dhe më thanë në fakt: ‘O profesor! Jemi ne këta’. Luanim vërtet me Elbasanin, por kanë bërë një ndeshje të shkëlqyer. E kishin mendjen te ndeshja. I gjithë takimi ka qenë në ekuilibër. Është luajtur mirë, kanë kombinuar, kanë bërë të gjitha ato që u është kërkuar të bënin. Të them të drejtën, jam i kënaqur. Nuk e vumë asnjëherë në diskutim fitoren, ashtu sikurse nuk kemi vënë në diskutim edhe qëndrimin. Për një pikë nuk hymë në 4-shen e parë.

Megjithatë, ne matematika nuk na ka nxjerrë nga vallja, por janë edhe katër ndeshje. Jemi 12 pikë përpara, ndërkohë që Flamurtari ka një ndeshje të prapambetur. Këtë nuk e kemi vënë kurrë në diskutim. Kemi vënë në diskutim atë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Lushnja ka çuna që duam t’i kemi. T’i kemi dhe të bëjmë më të mirën. Unë mendoj se ka pasur një shpërqendrim të lojtarëve ose njëfarë neglizhence që nuk jemi për lart, por nuk jemi as për poshtë. Kanë treguar që janë një skuadër që kur luajnë, dinë ta bëjnë mirë”, deklaroi trajneri Gjyla.

PUSHIMI

Lushnja do t’u rikthehet ndeshjeve të fazës “play out” pas dy javëve pushim. Gjylën nuk e kënaq kjo pauzë, pasi është e stërgjatë. “E di çfarë do të thotë dy javë? Mund të bëhet një fazë tjetër përgatitore në këtë kohë. Megjithatë, nuk ka çfarë na duhet ngarkesa. Pak javë kanë mbetur. Ne do të mundohemi t’i ruajmë lojtarët. Janë dy ndalesa, por përkthehen në fakt në tri javë. Aq kampionat sa ka mbetur, aq pushim kemi. Jo për mua, jo për ne. Për çdo trajner, për çdo skuadër. Kjo hyn në psikologji. Kampionati po mbaron. Do të mundohemi, do të stërvitemi ta ruajnë atë formë që kanë, për të përfunduar kampionatin”, deklaroi trajneri.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"