“Në Vlorë si në shtëpi”, rrëfehet basketbollistja gjermane që po shkëlqen në Shqipëri: Flamurtari i projektuar për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 19:14

“Në Vlorë si në shtëpi”, rrëfehet basketbollistja gjermane që po shkëlqen në Shqipëri: Flamurtari i projektuar për titull

Ecuria e Flamurtarit në basketboll për femra në këtë sezon ka qenë vërtetë fantastike dhe një meritë të madhe për këtë sigurisht e kanë edhe lojtaret e huaja që ka afruar skuadra vlonjate. Një prej lojtareve që ka spikatur në këto javë të para të kampionatit është Selena Kirbreg. Basketbollistja gjermane është e bindur se Flamurtari është një ekip i ndërtuar për të dalë kampion.

GJERMANIA

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Kirberg shprehet e lumtur për fitoren me Tiranën, ndërsa deklaron se skuadra ka elementë cilësorë në përbërje dhe do të japë më të mirën në çdo takim, ku do të futet në parket vetëm për fitore. “Me Tiranën ishte një ndeshje e rëndësishme ku ne treguam forcën tonë dhe dhamë më të mirën.

Në këtë sfidë vërtetuam se jemi një ekip pretendent dhe që e meritojmë edhe besimin e trajnerit. Në të gjitha këto ndeshje që kemi zhvilluar kemi shfaqur shpirt gare, por edhe profesionalizëm. Edhe në këtë ndeshje me Tiranën, dhamë 100% në mbrojtje dhe mbrojtja është ajo që e fiton ndeshjen”, deklaroi Kirberg, e cila më tej u ndal tek  grupi i lojtareve dhe tek objektivat e qarta që skuadra ka: “Në përbërje kemi vajza të talentuara, ku ndërthuret eksperienca me vajzat e reja, të cilat edhe ato po punojnë shumë. Ne jemi një ekip pretendent dhe do të japim maksimumin tonë në të gjitha ndeshjet.

Kam bindjen se në çdo takim do të bëjmë më të mirën tonë për të vijuar vazhdimësinë pozitive. Jemi ndërtuar për të marrë trofe. Ky është objektivi i klubit dhe ne jemi pikërisht aty për ta realizuar atë. Jam e bindur se do të vijojmë me këtë ecuri pozitive edhe në ndeshjet e radhës që na presin si me Elbasanin, ashtu edhe me Partizanin këtu në Vlorë. Do të vazhdojmë të fitojmë për të vijuar rrugëtimin tonë drejt suksesit dhe realizimit të objektivit që kemi”, shprehet Kirberg.

E lindur në Hamburg, 26-vjeçarja që ishte një ndër lojtaret më të mira në ndeshjen e fundit me Tiranën, thotë se ndihet mirë në Vlorë dhe premton se do të japë më të mirën e saj për fanellën e Flamurtarit: “Ndihem shumë mirë që i shërbej ekipit. Pikërisht detyra jonë është që të bëjmë maksimumin dhe për të shënuar sa më shumë, në dobi të skuadrës. Unë mendoj se të gjitha duhet të japim 100% në fushë e lojës.

Po ashtu, ndihem shumë mirë në qytetin e Vlorës. Ndihem si në shtëpinë time. Është një qytet shumë i bukur dhe mikpritës, mbi të gjitha ka njerëz që e duan sportin. Kjo gjë më bën që të ndihem vërtetë shumë mirë”, përfundoi prononcimin e saj Kirberg. Kujtojmë që Flamurtari kryeson me pikë të plota pas 6 javëve të para të kampionatit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"