Në Vlorë e kanë me gjykimin, mesfushori i Flamurtarit: Ndikoi në Cërrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 10:21

Në Vlorë e kanë me gjykimin, mesfushori i Flamurtarit: Ndikoi në Cërrik

Shtyrja e ndeshjeve për shkak të motit të keq i ka shtuar pushimet Flamurtarit. Stafi teknik po mundohet që ta menaxhojë kohën, për të korrigjuar ndonjë defekt të shfaqur në nisje të 2021-shit. Krenviol Kreshpa mendon se skuadra është përmirësuar, ndërsa për “Panorama Sport” paralajmëron se kur të vijë përballja me Besën, do të jenë më shumë se gati.

kreshpa

“Gjendja e ekipit është e mirë. Ne po stërvitemi fort që të jemi gati kur të fillojë kampionati. Dua të them se shtyrja e kampionatit në këto javët e fundit nuk po ndikon për mirë. Por, po mundohemi ta menaxhojmë situatën në favorin tonë, duke u përmirësuar edhe më shumë. Me pozicionin që mbajmë në renditje ne presim vetëm fitoren me çdo ekip që do të përballemi dhe jo vetëm me Besën. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por duam që ta nxjerrim në favorin tonë duke marrë maksimumin. Na nevojiten tri pikët në këtë takim që të kemi një vazhdimësi të mirë.

kreshpaa

Në ekip ka angazhim maksimal dhe besoj se kemi kohën e nevojshme që ta përgatisim sa më mirë sfidën, duke qenë se këtë javë jemi përsëri pushim dhe do të na duhet që të stërvitemi përsëri javën që vjen për ndeshjen më Besën”, tha fillimisht 20-vjeçari. Në Vlorë ende nuk e kanë harruar atë gjykim të kontestuar në Cërrik. “Vendimet e gjyqtarëve në atë ndeshje ishin kyçe. Në qoftë se do të ishin vendimet e duhura do të kishim fituar. Por, natyrisht që nuk po anashkalojë këtu mundësitë tona për të shënuar. Megjithatë, ne jemi futbollistë dhe shikojmë fushën e lojës, por gjyqtarët duhet që të garantojnë ndeshje sa më ‘Fair Play’”, përfundon mesfushori.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"