Në udhëkryq, Ribaj: Pres përgjigje nga Idrizi, rikthimin tek Apolonia do ta mendoja gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 15:14

Në udhëkryq, Ribaj: Pres përgjigje nga Idrizi, rikthimin tek Apolonia do ta mendoja gjatë

Andi Ribaj është një sulmues me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe në sezonin e fundit ishte pjesë e Flamurtarit. Për momentin ai vijon të jetë pa kontratë dhe në një prononcim për “Panorama Sport” pohon se ofertat nuk i kanë munguar, por si fillim pret përgjigjen e administratorit Sinan Idrizi se çfarë do të bëhet me ekipin vlonjat. Ribaj u pyet edhe për një rikthim të mundshëm tek ish-skuadra e Apolonisë, që këtë sezon luan në Superiore, e cila vjet e lejoi atë që të kalonte në Vlorë. Ai pohon se rikthimin tek Apolonia do ta mendonte gjatë, pasi fierakët janë të bazuar te lojtarët me moshë të re.
RIBAJ
Një sezon i lënë pas, me një Flamurtar të rënë në Kategorinë e Parë. Cila është situata juaj në prag të edicionit të ri?
Unë aktualisht jam pa kontratë, por kam folur me drejtuesit e ekipit. Presidenti Idrizi na ka dhënë një garanci vazhdimësie dhe jam ende në pritje të një fakti konkret nga Flamurtari.

Si një lojtar me përvojë, por edhe pa kontratë, a keni oferta konkrete nga skuadra të tjera përveç vlonjatëve?
Nuk më kanë munguar ofertat nga Shqipëria, Kosova, Qiproja, Greqia etj., por siç jua thashë, kam biseduar edhe përpara mbylljes së kampionatit të shkuar me presidentin Idrizi. Nëse gjërat shkojnë siç më është premtuar, besoj se mund ta mbyll te Flamurtari.
Flamurtari festa e golit
Kur mund të vijë përgjigjja përfundimtare nga Flamurtari?
Me sa kam folur me presidentin, më është siguruar se kjo javë do të jetë definitive në çdo drejtim.

Vitin e kaluar ju nënshkruat për Apoloninë, por në momentin e fundit u larguat te Flamurtari, me mirëkuptimin e klubit fierak. A keni ndonjë një ofertë rikthimi nga skuadra fierake dhe nëse po, do ta pranonit?
E, ç’të them… Unë e dua Apoloninë, e dua edhe Flamurtarin. Jam vlonjat i rritur në Fier. E kam ndjekur Apoloninë gjithë kohës, sepse është skuadra ime e zemrës dhe ngjitja në Superiore tregon se kanë bërë mirë në një kampionat me një grup shumë të vështirë.
APOLONIA BESA
Rikthimi im në Fier?
Do mendohesha gjatë para se të vendosja. Strategjia e Apolonisë është bazuar te të rinjtë e perspektivës dhe kjo gjë është pozitive, por nuk mjafton. Përvoja është e domosdoshme për një ekip me moshë të re si Apolonia. Nuk ka të bëjë aspak me emrin tim, sepse jam shumë larg Apolonisë, por kjo skuadër do të garojë në Superiore pas 5 vitesh mungesë dhe nuk do ta ketë të lehtë me një grup lojtarësh të rinj, pavarësisht talentit që ata kanë…

Nëse nuk do të jeni pjesë as e Flamurtarit dhe as e Apolonisë këtë sezon, cili do të ishte mesazhi i Ribajt për këto skuadra?
Nuk bëj dot ekspertin, por mendimin tim po e them. Kur te Flamurtari patëm një ekip me aq lojtarë cilësorë dhe u rrëzuam, imagjinojeni! Duhet që Flamurtari të bëjë një grup të mirë, të konsoliduar, mbi të gjitha me financa të sigurta dhe, nëse këto realizohen, nuk ka dilema rikthimi në Superiore. Për Apoloninë, them se është skuadër e mirë, bëri një arritje të madhe dhe të merituar, por lojtarët e rinj kanë nevojë për futbollistë përvoje, sepse Kategoria Superiore është shumë e vështirë për një skuadër kaq të re. Gjithsesi, drejtuesit e klubit dhe strategjia që ata ndjekin, e kanë më të qartë se si do të operojnë për të pasur një skuadër jo thjesht pjesëmarrëse në Superiore.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"