“Në Superiore hyn kush është i… pranueshëm”, Ilir Gjyla jep edhe një “SMS” për lojtarët: Objektivat nuk i vendos trajneri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 18:29

“Në Superiore hyn kush është i… pranueshëm”, Ilir Gjyla jep edhe një “SMS” për lojtarët: Objektivat nuk i vendos trajneri…

Ilir Gjyla kërkon një Lushnjë pretendente dhe të luftojë për të kapur majat, megjithatë hapur e thotë se objektivat i vendos klubi dhe jo trajneri.

Ilir Gjyla

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai mendon se elita ka dy kritere: duke bërë blerje dhe qenë i pranueshëm. Teksa analizon gjendjen e grupit, ka edhe një mesazh për lojtarët që e shohin veten si… rezervë.

Pak ditë na ndajnë nga starti. E keni në “kokë” formacionin me të cilin do të çelni kampionatin?

Për të qenë i sinqertë, kemi nja dy dilema. Megjithatë, mendoj që sot dhe nesër do t’i zgjidhim.

Keni thënë që nuk keni shumë futbollistë! Si ka mundësi që keni dilema?

Kur them nuk kemi shumë futbollistë, merrem me cilësinë. Në fund të fundit, i kam 25 të tillë dhe me ta do ta përballojmë kampionatin. E megjithatë, Konduri dhe Lajthia na i kanë shtuar alternativat. Dilemat i kam në mesfushë dhe sidomos në qendër, aty jemi më të populluar. E njëjta gjë vlen edhe për sulmin.

Si do ta zgjidhni?

Mendoj që është më mirë kështu kur kemi dilema, dhe akoma edhe më mirë kur futbollistët të vënë në provë. Mendoj që 99% e kemi të zgjidhur. Presim vetëm të luajmë.

Klubi nuk ka objektiva konkretë, por vetë trajneri Gjyla çfarë do të kërkojë nga Lushnja e këtij edicioni?

Ne do të kërkojmë më të mirën. Dihet që çdo trajner kërkon të fitojë çdo ndeshje. Përderisa punojmë, hajde t’i fitojmë. Po fitove, shkon drejt objektivit madhor. Ky është synimi ynë. Pa dashur të bëj hipokritin apo të tërhiqem, unë e kam thënë: Objektivat nuk i vendos trajneri. I vendos klubi, apo jo?

A do ta tentoni ngjitjen?

Fundja fare, pse të mos e arrijmë objektivin madhor. A është e vështirë, kur shihni sa kanë investuar klubet e tjera? Është e vështirë. Pse, do thoni ju? E para, që duhet të jesh i pranueshëm. Nëse nuk je, në Superiore nuk hyn dot. Duhet të marrim parasysh edhe skuadrën që kemi ndërtuar dhe po ta shohësh, ngjiten ato që bëjnë investime.

Të ndalemi pak tek ekipi dhe stërvitja, si është situata?

Optimizëm ka, por vërej diçka dhe ua kam thënë lojtarëve. Ka futbollistë që u duket vetja rezervë dhe janë të qejfmbetur. Por nuk kanë pse, pasi kampionati është i gjatë dhe do ketë vend për të gjithë. Vjet e pamë që luanim me 6-7 mungesa. Kur “lënë” stërvitjen, i prishin punë edhe vetes, veç skuadrës.

Në ekip nuk ka 11 lojtarë, por 25 dhe të gjithë na duhen. U bën mirë që të stërviten dhe të jenë seriozë në punë. E kam me ndonjë tek-tuk, jo me të gjithë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"