Në stol, fushë dhe gjykim, Abazaj gjithandej në miqësore/ Babai e djemtë, protagonistë në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2021 | 10:40

Në stol, fushë dhe gjykim, Abazaj gjithandej në miqësore/ Babai e djemtë, protagonistë në…

Për Ardjan Abazajn nuk ka qenë fort komode miqësorja e fundit. Teksa luhej Pogradeci-Dinamo, i është dashur që të ketë familjen kundër. Nëse Marini është transferuar te dinamovitët në këtë merkato verore, pakkush e di që djalin tjetër e ka arbitër. Ai quhet Rinaldo dhe është anësor.

Abazaj Pogradeci

Ishte një situatë e rrallë për teknikun e liqenorëve, pasi nuk duhet të orientonte vetëm ekipin e tij në fushë, por hera-herës të kthente vështrimin edhe te djemtë. Sakaq, Pogradeci do të nisë sot një tjetër javë përgatitjesh. Pas afrimit të Ildian Shytit, të tjera përforcime priten. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku kërkon afrime për të gjitha repartet.

“Kemi marrë Ildian Shytin dhe jam i kënaqur. Është një futbollist që çdo ekip do të donte ta kishte në përbërje. Ne kemi arritur akordin me futbollistin dhe mesfushori do të jetë pjesë jona.

Kemi pasur edhe disa largime, por besoj se me prurjet do të mund të gjejmë të duhurit për të përforcuar repartet. Merkatoja sapo ka filluar dhe ne do të jemi aktivë deri në fund”, tha numri një i pankinës pogradecare. Veç prurjeve të konfirmuara, pritet që shumë shpejt të vijnë futbollistë të tjerë në provë.

Në takimet miqësore që do të luhen në ditët e ardhshme, trajneri do të ketë mundësi të kontrollojë gjendjen e këtyre të fundit dhe do të përcaktojë se cili prej tyre do të veshë fanellën e Pogradecit.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"