Në Spanjë sigurojnë: Lionel Mesi është… “Topi i Artë”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 11:56

Në Spanjë sigurojnë: Lionel Mesi është… “Topi i Artë”!

Gara e këtij viti për “Topin e Artë” është kthyer më shumë në një “përplasje” mes mediave. Që nga dita e publikimit të listës së kandidatëve garues për trofeun më të rëndësishëm individual për një futbollist, mediat europiane janë vënë në një garë të ethshme mes tyre për të gjetur fituesin e këtij edicioni.

mes 1

Një gjë është e qartë, pavarësisht se në listë janë plot 30 emra, kandidatët më seriozë janë Robert Levandovski (Bajern Mynih), Lionel Mesi (PSG), Zhorzhinjo (Çelsi) dhe Karim Benzema (Real Madrid).

I pari dhe i fundit gëzojnë një formë të shkëlqyer, por polaku i bavarezëve qëndron një shkallë më lart duke parë rendimentin e pabesueshëm të tij në dy sezonet e fundit, pa llogaritur atë që kemi nisur. Ndërkohë, Zhorzhinjo me të drejtë e cilëson veten kandidat serioz, teksa me ekipin e tij Çelsi ka fituar Champions-in, duke i shtuar këtu edhe titullin europian me Italinë.

Për të qëndruar te Leo Mesi, i cili gjithashtu është ndër favoritët absolutë pas suksesit në verë në Kupën e Amerikës së Jugut me Argjentinën. Dhe pikërisht mediat spanjolle kanë bërë me dije se Lionel Mesi do të jetë fituesi i “Topit të Artë” më 29 nëntor kur do të jepet dhe çmimi final, teksa nënvizohet se argjentinasi ka mundur rivalitetin e Karim Benzemasë, i cili ka përfunduar i dyti dhe Robert Levandovskit, që sipas “El Chiringuito” është renditur në vendin e tretë.

Nëse një i tillë do të konfirmohej pas dy ditësh, kjo do të ishte një tjetër goditje për polakun e Bajernit. Ai ishte kandidati numër një për ta fituar “Topin e Artë” në vitin 2020, por ishte pandemia e “COVID-19” që e pengoi të fitonte këtë trofe, teksa ceremonia u anulua. Në fakt, gara e këtij viti ka qenë mjaft e ndikuar në media. Fillimisht ishte gazeta spanjolle “Marca”, që një muaj nga dhënia e çmimit shpallte Robert Levandovskin fitues të trofeut.

Ndërkaq, po nga Spanja ka ardhur një tjetër lajm, krejt i kundërt me atë të publikuar nga “Marca”. Sipas Josep Pedrerol në “Chiringuito Tv”, “Topi i Artë” pritet t’i shkojë Lionel Mesit, ndërkohë që pas tij vijnë Karim Benzema dhe Robert Levandovski. Nëse gjithçka do të rezultonte e saktë, kjo do të ndizte një debat të gjerë në lidhje me trofeun.

Esteban Kambiaso, ish-mesfushori i Interit dhe kombëtares argjentinase ka kritikuar ashpër organizatorët e evenimentit, duke e cilësuar pak a shumë një farsë.

Duke folur për “SKY” pak kohë më parë, Kambiaso ka thënë: “Zyrtarisht kam hequr dorë që nga viti 2010 për këta trofe individualë. Ditën kur pashë që Milito ishte jashtë listës së kandidatëve kam thënë se nuk ia vlen të merresh më me këtë histori, me këto çmime”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"