“Në shtëpi nuk falim”, flet Dida: Ishte e vështirë t’i shënoje gol Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 17:01

“Në shtëpi nuk falim”, flet Dida: Ishte e vështirë t’i shënoje gol Partizanit

Barazimi me Partizanin B nuk është bërë dramë te Korabi. Dibranët janë të bindur se kthesa nuk do të vonojë, ndaj i kanë përqendruar që të gjitha forcat te Besëlidhja. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi Bekim Dida skanon gjendjen e ekipit në prag të javës së 5-të dhe flet për objektivat.

bekim dida

“Dhamë maksimumin me Partizanin B dhe rastet nuk na munguan, por ishte merita e kundërshtarit që na ndali. Dinin të mbroheshin me shumë forca dhe ishte shumë vështirë t’u shënoje. Barazimi është pjesë e lojës. Edhe pse në fillim u përjetua keq, ashtu si rrodhi ai takim, një pikë në transfertë është deri diku e pranueshme. Te Korabi po bëj tri vite që luaj dhe ndihem shumë mirë.

Ne kemi një grup që luan me zemër, por mbi të gjitha, me këmbë në tokë. I marrim ndeshjet e radhës dhe tashmë vëmendjen e kemi përqendruar te Besëlidhja. I presim në Peshkopi dhe në shtëpi, nuk falim askënd. E vështirë do të jetë, por ne jemi projektuar për të fituar”, tha fillimisht 23-vjeçari. Pas përballjes me lezhjanët, skuadra do të udhëtojë në Burrel.

Këto 180 minuta do të jenë “barometër” për forcën e vërtetë të Korabit. Kur pyetet për këtë fakt, lojtari thotë: “Ne do t’ia bëjmë hyzmetin çdo ndeshjeje. Janë vërtet 180 minuta të forta dhe luftuara, por ashtu si çdo përballje tjetër”. Të besuarit e Klevis Dalipit kanë pretendime madhore këtë sezon, ata lakmojnë ngjitjen në elitë. Këtë e pohon edhe vetë mbrojtësi, ndërsa sqaron edhe objektivin personal. “Këtë sezon dua të përqendrohem vetëm tek ekipi dhe të gjithë se bashku të realizojmë misionin final”, përfundoi Dida.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"