“Në Shqipëri ka 1 fushë për 100 mijë banorë”, Kokëdhima: Ja kur do të rikthehet futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 22:11

“Në Shqipëri ka 1 fushë për 100 mijë banorë”, Kokëdhima: Ja kur do të rikthehet futbolli

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, është i bindur se futbolli do të rikthehet për t’u luajtur, në momentin që do të plotësohen 4 kërkesat e Ligës. I ftuar në studion e emisionin “Sport News Plus” të moderatores Daljana Sajdia, në televizionin “News 24”, Kokëdhima u shpreh:

Kokedhima

“Futbolli do të rikthehet kur të plotësohen 4 kërkesat e saj. Ato më kryesoret duhet të ishin realizuar kohë më parë. Janë premtuar nga Kryministri disa herë, por janë harruar dhe nuk ka ndodhur. Kjo histori ka 4 vjet që është duke u zhvilluar mes botës shqiptare të futbollit dhe qeverisë. Janë mobilizuar ekspertë dhe specialistë dhe janë parashtruar të gjitha argumentat. Kur vjen puna nuk ndodh asgjë.

Nuk është një zgjedhje bojkoti. Është një gjë shumë e padëshiruar. Futbolli është ai që paguan faturat më të mëdha edhe nga bojkoti. Qeveria nuk ka dëgjim dhe nuk arsyeton, ndaj u mor dhe ky vendim. Ligji i Sponsorizimeve nuk mundëson që klubet të marrin para nga shteti. Ai mundëson financime për projekte elitare në vend. Shqipëria është vend që e ka braktisur sportin. 700 mijë euro buxhet ka qeveria për sportin.

Nuk janë Liga dhe qeveria palët në këtë konflikt, është rinia e Shqipërisë që ka nevojë për financim. Shikoni fushat e futbollit. Vendet e vogla dhe të mëdha kanë 1 fushë për 2 mijë banorë, Shqipëria ka 1 fushë futbolli për 100 mijë banorë”, u shpreh Kokëdhima.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"