Në Sarandë me mungesa, zv.trajneri i Besës: Stop gabimeve, lojtarët të kuptojnë vlerën e fanellës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 17:31

Në Sarandë me mungesa, zv.trajneri i Besës: Stop gabimeve, lojtarët të kuptojnë vlerën e fanellës

18 pikë të grumbulluara në 11 javë janë shumë pak për kavajasit. Për vetë përbërjen dhe objektivat, Besa ka gabuar mjaftueshëm. Tani është koha për të rikuperuar, por që kjo të ndodhë, duhet kujdes maksimal. Është kjo këshilla që jep Meglid Mihani, numri dy i stolit të Besës.

bubeqi besa

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë:

“Ndoshta për diplomaci apo respekt të kundërshtarëve, shpesh themi se s’ka rivalë të lehtë. Kjo qëndron pjesërisht, pasi deri tani nuk ka dalë një ekip që të ketë historinë dhe organikën që Besa ka. Për këtë u flasim çdo ditë lojtarëve, duke u kujtuar se fanella që kanë veshur ka konkurruar në Europë e jo më në Shqipëri. Vetëm para 6 vitesh pothuaj të gjitha ekipet që sot luajnë kundër nesh, e kishin nder të bënin miqësore dhe jo më të luanin.

Për të gjitha këto, i takon Besës që në çdo fushë ku luan, brenda apo jashtë, të ketë synim të vetëm fitoren”. Duke u kthyer te rivali i radhës, Butrinti, Mihani qartëson se objektivi mbetet fitorja. “E kemi vënë re se kudo ku luajmë ka një angazhim thuajse 200% të ekipeve për të na mundur dhe nuk i vë faj. Të mundesh Vorën, Maliqin, Cërrikun apo këdo tjetër është krejt ndryshe sesa të mundësh Besën. Nëse kjo ndodh, konsiderohet një arritje që e festojnë gjatë.

Në këtë kuptim, pres që edhe Butrinti të mobilizohet ndaj nesh më shumë se ndaj kujtdo. Çmoj mjaft punën dhe egon e trajnerit Bano, pasi kemi luajtur bashkë dhe njeh mjaft mirë thuajse çdo ekip të Ligës së Parë. E dimë këtë dhe po përgatitemi të japim maksimumin e të bëjmë atë ndeshje si me Tomorin. Terreni i Sarandës është optimal dhe na jep mundësinë të luajmë lirshëm e të shfaqemi si duam. Do të kemi mungesën e Hysenit, por në dyshim është edhe Tafili për arsye shëndetësore. Kjo nuk do të na pengojë, siç thashë, të udhëtojmë drejt Sarandës me objektiv të qartë për t’u kthyer me 3 pikë.

Se sa do ia dalim, këtë do ta përcaktojë fusha, por ne do të hyjmë të motivuar e të vetëdijshëm se javë pas jave duhet të ngjitemi të paktën në vendin e dytë”, përfundoi zv.trajneri.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"