Në Pukë pas 9 vitesh, Canka: Lushnja ndaj Tërbunit për të treguar veten!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 11:55

Në Pukë pas 9 vitesh, Canka: Lushnja ndaj Tërbunit për të treguar veten!

Lushnja udhëton drejt Pukës pas 9 edicionesh. Përballja e fundit me Tërbunin në transfertë përkon me 29 nëntorin e vitit 2012, kur mundeshin 2-0 (me golat e Mustafa Agastrës dhe Jurgen Kullit).

canka

Faza e parë në “Roza Haxhiu” përfundoi 0-0 dhe duket se të njëjtin mision kanë edhe sot, të mos dalin duarbosh. Ambiciet janë për të marrë trepikëshin dhe këtë e pohon edhe Mikel Canka. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni vlerëson kundërshtarin dhe shpall synimin.

“E kemi përgatitur mjaft mirë ndeshjen. Jemi stërvitur gjithë javën, për të dhënë maksimumin tonë. Tërbuni është një ‘kockë’ e fortë në këtë kategori dhe ka lojtarë me eksperiencë dhe cilësi.

Ata që e njohin mirë këtë ligë, ndaj duhet kujdes dhe sidomos kur luajmë në transfertë. Duhet t’i zbatojmë detyrat tona për të marrë rezultat. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë. Lojtarët po stërviten dhe po e njohin më mirë njëri-tjetrin.

Ne do të shkojmë në Pukë për të treguar veten dhe mos u kthyer ‘bosh’. Çunat janë optimistë për këtë gjë dhe duhet të jenë të përqendruar 100%, për t’i marrë maksimumin ndeshjes.

Kjo skuadër nuk duhet ta diskutojë qëndrimin në Kategorinë e Parë. Të shtojë forcat për të marrë rezultate pozitive dhe mos ta mendojë fundin e tabelës”, përfundoi sulmuesi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"