Në pritje të Turabov, Bylisi pranë akordit me futbollistin argjentinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 18:11

Në pritje të Turabov, Bylisi pranë akordit me futbollistin argjentinas

Bylisi vazhdon fazën përgatitore me intensitet dhe në Ballsh trajneri Dovedan është duke e përgatitur ekipin me dy seanca në ditë. Trajneri boshnjak është i kënaqur me mënyrën e përgatitjes dhe përballimin e fazës, ndërsa trajneri është në pritje të përforcimeve. 

bylis

Tri largimet e Opokut, Mishel dhe Celisit, apo dhe Selmanit, pa harruar edhe dëmtimet e Bicajt, Ymeralilajt, Aliajt apo dhe Antonit. Ndaj edhe në Ballsh janë në pritje të azerbajxhanasit, Eltun Turabov, një lojtar që në pjesën e parë të sezonit dha shkëndija se është i vlefshëm për ekipin.

eltun turabovv

I afruar gjatë verës së shkuar, Turabov erdhi në Ballsh në formë huazimi nga skuadra e Sabah. Azerbajxhanasi e nisi titullar, e madje ka luajtur në shumicën e ndeshjeve, por pati edhe dy dëmtime duke qëndruar për disa javë jashtë fushave të blerta. Në Ballsh e presin dhe në klub nuk e quajnë të larguar, ndërsa tashmë duket se gjithçka mbetet në dorë të azerbajxhanasit, pasi edhe klubi Sabah duket se ka arritur marrëveshjen me ballshiotët për një vit huazim.

ARGJENTINASI – Ballshiotët duket se janë drejt akordit me një tjetër futbollist të huaj dhe bëhet fjalë për argjentinasin Angel Gonzales Zuluaga Gonçalves, i cili është testuar me skuadrën edhe në verë dhe me shumë gjasa do të gjejë gjuhën e përbashkët me drejtuesit për të firmosur në Ballsh.

Gonzalez

Argjentinasi e njeh kampionatin shqiptar, luan si mesfushor me tipare sulmuese dhe ka realizuar 3 gola sezonin e shkuar si titullar në radhët e skuadrës së Orikut. 24-vjeçari para se të vinte në Shqipëri ka edhe një eksperiencë në Gjeorgji.


Në Ballsh do të synojnë edhe 4-5 afrime të tjera, mes tyre 2-3 lojtarë që të bëjnë diferencën dhe ndonjë element të talentuar që mund të vijë nga tregu vendës, apo dhe talente nga Afrika. Gjithsesi, java që vjen pritet që të jetë vendimtare për merkaton e skuadrës së Bylisit, e cila mendohet të konturohet, pasi presidenca është duke punuar 24 orë dhe po kërkon që të ndërtojë një skuadër akoma më të fortë në pjesën e dytë të garës.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"